Forcat Tokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës kanë njoftuar se e kanë zënë rob një pjesëtar të OMON (njësi speciale policore ruse për qëllime të posaçme).
Pjesëtari i forcave ruse duke folur në telefon me nënën e tij thotë se i ka shpëtuar mrekullisht vdekjes.
“Komandantët na tradhtuan. Në Ukrainë u bombarduam me granata. Unë mbijetova mrekullisht”, citohet të ketë thënë ai.
Gjeneralmajori ukrainas Borys Kremenetsky u tha gazetarëve në Washington të shtunën se i kanë kapur rreth 200 ushtarë rusë, raporton CNN.
“Kemi kapur rreth 200 ushtarë rusë, disa prej tyre të rinj, të patrajnuar fare, të pajisur keq. Ne i trajtojmë ata sipas Konventës së Gjenevës, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Kremenetsky, i cili është një zyrtar i mbrojtjes në Ambasadën e Ukrainës në SHBA.
Ai tha gjithashtu se ushtarëve iu lejua t’i telefononin prindërit e tyre dhe iu dhanë ushqim e ujë.