Zyra e Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski konfirmoi se një delegacion ukrainas do të takohet me zyrtarët rusë. Përmes një njoftimi në aplikacionin Telegram, zyra e presidentit njoftoi se të dyja palët do të takohen në një vend të paidentifikuar në kufirin bjellorus, por nuk dha ndonjë kohë të saktë për takimin.
Njoftimi nga Kievi erdhi disa orë pasi Rusia njoftoi se delegacioni i saj ishte nisur për në Bjellorusi në pritje të takimit. Fillimisht zyrtarët ukrainas kishin thënë se ishin gati për bisedime, por jo në Bjellorisi, një vend ku Rusia kishte dislokuar një numër të madh trupash para se të niste sulmin ndaj Ukrainës të enjten.
Zyra e presidentit Zelenski tha se presidenti Alexander Lukashenko i Bjellorusisë, një aleat i presidentit Putin, “kishte pranuar të garantonte që gjithë aeroplanët, helikopterët dhe raketat e vendosura në Bjellorusi do të mbeteshin në tokë, gjatë udhëtimit, bisedimeve dhe kthimit pas të delegacionit ukrainas”.
Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sot forcat bërthamore ruse në gadishmëri të nivelit të lartë, siç u shpreh ai, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës.
“Siç e shikoni, vendet perëndimore jo vetëm që kanë marrë masa jo-miqësore kundër vendit tonë në sektorin ekonomik, siç janë sanksionet e paligjshme, por zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s kanë bërë komente agresive ndaj vendit tone”, tha zoti Putin të dielën gjatë një fjalimi televiziv.
Shtëpia e Bardhë reagoi duke thënë se urdhri i Presidentit Vladimir Putin për të vënë forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë është pjesë e modelit të sajimit të kërcënimeve nga Moska për të justifikuar agresionin.
"Ne e kemi parë shpesh atë ta bëjë një gjë të tillë. Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës", tha të dielën tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki për programin "This Week" të televizionit ABC./VOA