Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dënoi sot deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin se ai kishte vënë në gatishmëri forcën parandaluese.
“Është një retorikë e rrezikshme dhe një sjellje e tillë është e papërgjegjshme”, tha Stoltenberg në një intervistë për CNN.
Ai theksoi se një retorikë e tillë, e kombinuar me atë që po ndodh në Ukrainë, ku Rusia po bën luftë kundër një shteti të pavarur dhe sovran, e bën situatën edhe më serioze.
Stoltenberg shtoi se Rusia kërcënon jo vetëm Ukrainën, por edhe anëtarët e NATO-s, pasi kërkon që Aleanca të tërheqë të gjitha forcat e saj nga anëtarët lindorë.
Putin njoftoi sot se forcat për frenimin e ushtrisë ruse, të cilat mund të përfshijnë komponentin bërthamor, janë vënë në gatishmëri.