Britania e Madhe do të sigurojë 53 milionë dollarë shtesë si ndihmë humanitare për Ukrainën në mes të pushtimit rus të vendit, sipas zyrës së Kryeministrit në Londër.
Ndihma shtesë u dha pas diskutimit të kryeministrit Boris Johnson me homologun e tij ukrainas, presidentin Volodymyr Zelensky, dhe takimet me krerët e komunitetit ukrainas në Londër gjatë fundjavës.
Financimi do të ndihmojë "agjencitë e ndihmës t'i përgjigjen situatës së përkeqësuar humanitare, duke krijuar një litar shpëtimi për ukrainasit me qasje në nevojat bazë dhe furnizime mjekësore si ilaçe, shiringa, veshje dhe pako për kujdesin e plagëve", sipas njoftimit.
Gjatë bisedës së tyre të shtunën në mbrëmje, Zelensky e informoi Johnson për "nevojën kritike për ndihmë humanitare pasi njerëzit detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë siguri", thuhet në njoftim.
Johnson theksoi në deklaratë se paketa e fundit "sjell shumën totale të ndihmës së Qeverisë së tij të premtuar për Ukrainën këtë vit në 140 milionë funte”, që është e barabartë me 186 milionë dollarë.
Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss shtoi se financimi do të ndihmonte Ukrainën "të trajtojë atë që po shndërrohet në një krizë humanitare", transmeton CNN.