Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes të vendit të tij për komentet e konsideruara pro-ruse.
“Askush nuk ka të drejtë të bëjë politikë të jashtme për veten, veçanërisht në kohë krize”, u tha Petkov gazetarëve në Sofje, sidomos kur “Bashkimi Evropian është më i bashkuar se kurrë”.
Ministri Stefan Yanev është përballur me kritika për shmangien e përdorimit të fjalës ‘luftë’ për të përshkruar veprimet ruse në Ukrainë.
Në vend të kësaj ai i është referuar si një ‘operacion’ sulmit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës.
Javën e kaluar Yanev dënoi “agresionin e papranueshëm” nga Moska, por u tha qytetarëve që të mos e përdorin me lehtësi termin “luftë”. Këtë fjalë vetë Vladimir Putin e shmang, tha Yanev.
Në Bullgari ditëve të fundit ka pasur thirrje të përsëritura që ai të japë dorëheqjen, duke përfshirë një peticion online që ka mbledhur mijëra nënshkrime.