I numëruan se sa helikopterë rusë po fluturojnë mbi lumin Dnjepër drejt Kievit.
E më pas ushtarët ukrainas hapën zjarr në drejtim të 17 fluturakeve të Moskës.
Kjo ngjarje, pamjet e të cilës u publikuan të martën, ndodhi ditën e 24 shkurtit, kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Në fakt, qeveria ukrainase, për pesë ditët e para të luftës, po pretendon se ka shkatërruar 29 helikopterë, krahas 29 aeroplanëve, 198 tankeve dhe 846 makinave të armatosura.
Por, më shumë se kaq, Kievi po e sheh si suksesin më të madh vrasjen e më shumë se 5,700 ushtarëve rusë dhe kapjen e mbi 200 të tjerëve.
Këto shifra nuk janë konfirmuar nga Mbretëria e Bashkuar, por edhe ajo beson që forcat ruse janë duke u përballur me humbje të mëdha gjatë pushtimit.
Ndërkohë, zyrtarët në Moskë, pas disa ditë mohimi, pranuan se disa ushtarë kanë vdekur në luftime.