Rusia sulmon me bomba qytetet kyçe të Ukrainës, lajmi i fundit për bisedimet mes dy vendeve

Evropë

Rusia sulmon me bomba qytetet kyçe të Ukrainës, lajmi i fundit për bisedimet mes dy vendeve

Më: 2 mars 2022 Në ora: 07:10
Ukrainë

(E plotësuar 17:48) -Ministri i Jashtëm ukrainas: Kemi nevojë për armë tani

Ministri i Jashtëm i UkrainësDimitri Kuleba, gjatë një bisede telefonike me  Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, ka kërkuar më shumë armë nga SHBA.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministri Kuleba, i cili përmes një postimi në twitter ka zbardhur bisedën e tij me Blinken.

‘Pata një telefonatë me @SecBlinken për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë derisa ajo të ndalojë luftën e saj kundër Ukrainës dhe të tërheqë forcat e saj.

Përpjekjet e koordinuara për të parandaluar shmangien e sanksioneve. Theksova: Ukraina ka nevojë për dërgesa shtesë të armëve, veçanërisht për Forcën tonë Ajrore, tani’, shkruan në postimin e tij Kuleba.

Ndërkohë që Kryetari i Senatit të SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i tha CNN të martën se SHBA po ofron një “tubacion ndihme në Ukrainë”, duke iu referuar një sërë sistemesh mbrojtëse vdekjeprurëse që po dërgohen në vend.

 Pritet të mbahet rundi i dytë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Rundi i dytë i bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë ukrainase dhe ruse duket se do të ndodhë.

Dy palët u takuan të hënën, por takimi përfundoi pa rezultate.

Një delegacion rus raportohet se është nisur për bisedime, sipas agjencisë bjelloruse të lajmeve Belta.

Kjo agjenci nuk tregoi se kur apo ku do të mbahen bisedimet.

Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve ruse Tass raportoi se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia kishte gati një delegacion për të vazhduar bisedimet.

Ndërkaq, këshilltar i Presidencës ukrainase, Olexiy Arestovych, tha më herët për Suspilne TV se bisedimet do të mbahen.

Por, ai shtoi se “mendoj se gjërat do të mbesin njësoj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Ne do të mbajmë qëndrimin tonë”.

Në rundin e parë të bisedimeve, që u zhvilluan në Bjellorusi, Ukraina kërkoi armëpushim dhe tërheqjen e ushtrisë ruse.

Kryetari i Mariupolit: Rusia po bombardon pa pushim zonat e banuara

Kryetari i qytetit juglindor ukrainas, Mariupol, thotë se dhjetëra civilë janë vrarë gjatë 14 orëve të fundit në granatimet e pamëshirshme të zonave të banuara nga forcat ruse.

Vadym Boychenko i tha kanalit televiziv ukrainas 1+1 se trupat e Moskës kanë ndaluar gjithashtu evakuimet e civilëve nga qyteti port, duke penguar mijëra të ikin nga beteja.

“Ka pasur shkatërrim kolosal të infrastrukturës së banimit, ka shumë të plagosur dhe fatkeqësisht shumë civilë të vdekur, gra, fëmijë, të moshuar,” tha Boychenko. “Një gjenocid në shkallë të plotë i popullit ukrainas është duke u zhvilluar.”

“Duhet të kuptoni se forcat pushtuese të Federatës Ruse kanë bërë gjithçka për të ndaluar daljen e civilëve nga qyteti ynë me gjysmë milioni banorë. Lidhja jonë hekurudhore është ndërprerë – ata madje shkuan në stacionin hekurudhor dhe qëlluan në lokomotivat tona me naftë, në mënyrë që njerëzit të mos mund të evakuohen. Pra, misioni i tyre është të na shkatërrojnë, ata nuk kanë ndërmend të ndihmojnë civilët”, ka thënë Vadym Boychenko.

Qyteti i Mariupolit ndodhet në një vend strategjik, duke ndarë forcat ruse në gadishullin e aneksuar të Krimesë nga trupat separatiste në Ukrainën lindore.

“Mami, djali yt rob po të pret”

“Mami, djali yt rob po të pret”. Ky është slogani i Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë, që njofton familjet e rusëve për t’i marrë të dashurit e tyre sërish në shtëpi.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt zemrave të nënave, edhe një herë, Kievi po përpiqet gjithashtu të ushtrojë presion mbi tërheqjen spontane të trupave armike.

“Ne ukrainasit, ndryshe nga fashistët e Putinit, nuk luftojmë me nënat dhe fëmijët e tyre të burgosur: ne po ju presim në Kiev, ku djali juaj do t’ju kthehet”.

Mesazhi është më se i qartë dhe është pjesë e fushatës që po zhvillon Ukraina, që po ndihet si e pushtuar nga vëllezërit.

Shumë imazhe të tjera të ushtarëve të rinj të kapur çdo ditë transmetohen në kanalet zyrtare të Ukrainës, për t’i lejuar ata që presin në shtëpi t’i njohin ato, në një fushatë që shpesh çon në propagandën më mizore nga të dyja palët.

Që në ditën e parë të pushtimit, qeveria ukrainase u kishte bërë thirrje nënave ruse që të kujtonin fëmijët e tyre ose t’i pengonin disi të shkonin në front për të luftuar. Që në momentin e parë u aktivizua edhe një numër pa pagesë për familjet ruse për të mësuar fatin e fëmijëve të tyre, të rënë apo të kapur.

 Rusët i japin ultimatum qytetit Konotop 

Trupat ruse po rrethojnë gjithashtu qytete në Ukrainën jugore, duke përfshirë qytetin Konotop. Siç raporton “The Guardian”, duke cituar një video në rrjetet sociale, kryebashkiaku Artem Semenikhin thuhet se u ka shpjeguar qytetarëve të tij:

Trupat ruse na dhanë një ultimatum. Nëse luftojmë kundër pushtimit, ata duan të rrafshojnë qytetin tonë”.

Në takim, Semenikhin pyeti: "Nëse doni të luftoni, ne do të luftojmë. Kush dëshiron të luftojë?". Siç shihet edhe në video, mazhoranca ishte me forcë pro rezistencës.

Boris Johnson paralajmëron saksione edhe për njerëzit e lidhur me Putinin

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka paralajmëruar të tjera goditje për Rusinë. Përpara deputetëve ai tha se nëse Presidenti Vladimir Putin “dyfishohet, atëherë do të bëjmë edhe ne”.

Ai tha gjithashtu se qeveria do të përputhë donacionet nga britanikët me apelin e Komitetit të Emergjencave të Fatkeqësive për Ukrainën, duke filluar nga 20 milionë funte.

 

Kreu i opozitës Keir Starmer i kërkoi kryeministrit të ndërmarrë veprime kundër rusëve që ai thotë se janë të lidhur me Putinin.

Sipas tij Roman Abramovich, pronari i Chelsea Football Club është “një person me interes… për shkak të lidhjeve të tij me shtetin rus dhe lidhjes së tij publike me aktivitete dhe praktika korruptive”.

Ai ngre gjithashtu rastin e ish-zëvendëskryeministrit të Putinit, Igor Shuvalov, për të cilin tha se zotëronte “dy apartamente jo pesë minuta më këmbë nga kjo godine dhe ato vlejnë mbi 11 milion £”.

Boris Johnson përgjigjet se “kishte më shumë për të bërë”, por shton se Mbretëria e Bashkuar ka marrë “një rol udhëheqës” në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë. 

Kryeministri britanik: Veprimet e Rusisë në Ukrainë konsidserohen si krime lufte 

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të mërkurën se veprimet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë cilësohen si krim lufte.

"Ajo që ne kemi parë tashmë nga regjimi i Vladimir Putin në përdorimin e municioneve që ata tashmë kanë hedhur mbi civilët e pafajshëm... sipas mendimit tim, tashmë vlerësohen plotësisht si një krim lufte", tha ai në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Johnson tha gjithashtu se Putini kishte "llogaritur keq" përgjigjen ukrainase.

“Në sulmin e tij të neveritshëm ndaj një kombi sovran, ai ka nënvlerësuar forcën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas dhe unitetin dhe vendosmërinë e botës së lirë për t'iu kundërvënë barbarisë së tij”, tha ai, raporton CNN.

“Nëse Putini ashpërsohet, atë do e bëjmë edhe ne, duke rritur më tej presionin ekonomik dhe duke mbështetur Ukrainën me financa, armë dhe ndihmë humanitare”, shtoi Johnson, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë t’i shtrëngojë lakun rrethit të regjimit të Putinit”.

“Putini duhet të dështojë në veprimet e tij. Nuk kam dyshim se ai do të dështojë dhe se ne do të kemi sukses në mbrojtjen e Ukrainës”, tha ai.

 Frikë për viktima masive në Mariupol pas granatimeve të vazhdueshme, thonë zyrtarët

Zyrtarët në qytetin juglindor të Mariupolit, pranë kufirit me Rusinë, thonë se kanë frikë se një numër i madh njerëzish mund të jenë të vdekur pas shumë orësh granatime të vazhdueshme në qytet.

Nënkryetari i Bashkisë, Sergiy Orlov, thotë se një lagje buzë lumit, shtëpia e 130 mijë njerëzve, duke përfshirë babain e tij, është e shkatërruar pothuajse plotësisht.

“Ne nuk mund të llogarisim numrin e viktimave atje, por besojmë se të paktën qindra njerëz kanë vdekur. Ne nuk mund të hyjmë për të tërhequr trupat”, tha ai për BBC me telefon.

“Ushtria ruse po punon me të gjitha armët e saj këtu – artileri, sisteme të shumta lëshimi raketash, aeroplanë, raketa taktike. Ata po përpiqen të shkatërrojnë qytetin”, thotë Orlov.

Ai thotë se forcat ruse janë disa kilometra larg nga të gjitha anët.

“Ushtria ukrainase është shumë e guximshme dhe ata do të vazhdojnë të mbrojnë qytetin, por stili i ushtrisë ruse është si piratët. Ata nuk luftojnë me ushtrinë e tyre, ata thjesht shkatërrojnë rajone të tëra,” thotë Orlov.

Më i madhi në Evropë, forcat ruse marrin nën kontroll termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë

Forcat ruse kanë marrë kontrollin e zonës rreth termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës, sipas shefit të mbikëqyrjes bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi.

Në një deklaratë, Grossi tha se diplomatët rusë në Vjenë informuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se personeli ka vazhduar punën e tij dhe se nivelet e rrezatimit “mbeten normale”.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia është termocentrali më i madh në Evropë dhe ka gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të Ukrainës.

Me heret qytetare dhe punetore bllokuan rrugen per te termocentrali, duke vendosur postblloqe të improvizuara pranë qytetit Energodar, ku ndodhet uzina e Zaporizhzhia.

Ukrainasit rimarrin qytetin verior: Rusët na qëlluan me raketa

Fokusi i mediave ndërkombëtare është në frontet e Kievit, Kharkivit dhe Khersonit, por përballja e ukrainasve me forcat ruse po ndodh në një pjesë të mirë të territorit të Ukrainës.

Sipas BBC, ushtria ukrainase thotë se kanë çliruar nga rusët qytetin verior të Chernihiv pak ditë pasi ai u mor nga forcat e Putinit gjatë fillimit të ofensivës. Ky qytet është në mes të rrugës nga kufiri mes Bjellorusisë dhe Kievit dhe mbart një rëndësi strategjik për ofensivën e Rusisë ndaj kryeqytetit ukrainas.

Pas humbjes së qytetit, rusët e goditën atë me raketa duke shkaktaur dëmtime të mëdha në infrastrukturë dhe godina të tjera.

Raketat goditën ndërtesat administrative pranë spitalit të qytetit, tha ushtria. Vala e shpërthimit dëmtoi spitalin, por pacientët ndodheshin në një strehë në atë kohë. U dëmtuan edhe linjat e furnizimit me ujë.

Sulmi rus fajësohet për shkatërrimin e banesave afër Kievit

Operacionet e shpëtimit kanë nisur më 2 mars në Irpin, afër kryeqytetit të Ukrainës, pasi një sulm, për të cilin janë fajësuar forcat ruse, ka goditur një zonë banimi.

Sot në Ukrainë po zhvillohet dita e shtatë e luftës

Ndër zhvillimet kyçe janë këto:

Raportohet për luftime intensive në veri, lindje dhe jug të shtetit. Qyetet Harkiv dhe Herson janë më të shënjestruara nga artileria ruse

Një raketë ka goditur selinë e policisë dhe ndërtesën universitare në Harkiv këtë mëngjes. Katër persona është raportuar të kenë vdekur

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e Harkivit, por autoritetet lokale pretendojnë se qyteti është ende nën kontrollin ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po tenton të zhdukë historinë ukrainase dhe ka lavdëruar rezistencën e ushtrisë ukrainase

Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT. Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB

Kryeministri britanik, Boris Johnson, është zotuar se Mbretëria e Bashkuar do të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe do të mbështesë Ukrainën me armë dhe ndihmë humanitare

Rreth 700,000 persona kanë ikur nga Ukraina. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për më shumë furnizime

Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur dukshëm prej shpërthimit të luftës

Atletët rusë dhe ata bjellorusë do të lejohen të garojnë në Lojërat Paralimpike në Pekin, mirëpo vetëm si neutralë.

BE përjashton shtatë banka ruse nga sistemi SWIFT

Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.

Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.

“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.

“Kjo është paketa më e madhe me sanksione në historinë e Bashkimit Evropian. Vendimi i sotëm shkëput bankat kyçe ruse nga rrjeti SWIFT dhe dërgon një tjetër sinjal të qartë për Putinin dhe Kremlinin”.

Në listë nuk janë përmendur bankat e mëdha ruse, Sberbank dhe Gazprombank, të cilat kanë qasje në SWIFT për t’ua mundësuar shteteve të BE-së të kryejnë pagesa për naftën dhe gazin rus.

Mirëpo një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se lista do të jetë “vazhdimisht nën shqyrtim”.

Raportohet se Rusia mund të shpallë gjendje lufte

Këshilltari i presidencës ukrainase, Mykhailo Podoliyak ka thënë se më 4 mars, të dyja dhomat e Parlamentit rus do të mbajnë takime të jashtëzakonshme.

“Si e mora vesh, në agjendë është miratimi i gjendjes së luftës, si masë parandaluese”.

Në një postim në Twitter, ai ka thënë se nëse miratohet, gjendje e re mundëson ndalesë totale në marshe, shkëputje nga bota e jashtme dhe kufizime financiare.

Rusia mori kontrollin e Çernobillit, Ukraina kërkon ndihmë për mbrojtjen e centraleve bërthamore

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi se ka marrë një kërkesë nga autoriteti i energjisë bërthamore të Ukrainës për të ofruar ndihmë të menjëhershme në koordinimin e aktiviteteve në lidhje me sigurinë e Çernobilit dhe objekteve të tjera bërthamore.

CNN raporton se kërkesa është bërë pasi Rusia njoftoi se forcat e saj kanë marrë kontrollin e territorit rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës.

Në letrën ruse drejtuar IAEA-s thuhej se personeli i uzinës vazhdonte “punën e tij për sigurimin e sigurisë bërthamore dhe monitorimin e rrezatimit në mënyrën normale të funksionimit. Nivelet e rrezatimit mbeten normale.”

Forcat ruse morën kontrollin e termocentralit të Çernobilit në Ukrainën veriore, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë, javën e kaluar.

IAEA tha se Grossi do të zhvillojë konsultime dhe do të mbajë kontakte për të adresuar kërkesën e Ukrainës.

“Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar vazhdimisht se çdo veprim ushtarak ose ndonjë veprim tjetër që mund të kërcënojë sigurinë ose sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës duhet të shmanget. Ai gjithashtu tha se stafi operativ duhet të jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tyre të sigurisë dhe sigurisë dhe kanë aftësinë për të marrë vendime pa presione të panevojshme”, shtoi agjencia.

Ukraina informoi agjencinë se të gjitha termocentralet e saj bërthamore mbetën nën kontrollin e operatorit kombëtar.

BE vendos sanksione ndaj mediave shtetërore ruse

Bashkimi Evropian të martën ka vendosur masa të reja kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në bazë të këtyre masave, BE-ja do të pezullojë urgjentisht aktivitetet e transmetimit të mediave shtetërore ruse, Sputnik’ dhe RT/Russia Today në BE.

Këto masa do të zgjasin derisa agresionit ndaj Ukrainës të marr fund dhe derisa Federata Ruse dhe organet e lidhura me të mos shpërndajnë informacione dezinformuese dhe manipuluese ndaj BE-së dhe shteteve të saj anëtare.

“Manipulimi sistematik i informacionit dhe dezinformimi nga Kremlini përdoret si një mjet operacional në sulmin e tij ndaj Ukrainës. Ai është gjithashtu një kërcënim domethënës dhe i drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë publike të Unionit”, ka thënë Josep Borrell, përfaqësues i Lartë për Punët e Jashtme në BE.

Më herët BE kishte vendosur edhe sanksionime të tjera përballë Rusisë, ku përfshihen edhe ndalimin e fluturimit të hapësirës ajrore të BE-së, ndalimin e transaksioneve me Rusinë.

Raportohet për më shumë se 2,000 civilë të vrarë në Ukrainë

Autoritetet ukrainase kanë thënë që më shumë se 2,000 civilë janë vrarë gjatë pushtimit rus, i cili ka nisur më 24 shkurt.

Ambasada ukrainase në Turqi, i ka bërë të ditura këto shifra, duke cituar Shërbimin Shtetëror të Emergjencave në Ukrainë.

 

Raportohet se është goditur ndërtesa e Këshillit të Harkivit

Një raketë ruse ka goditur ndërtesën e këshillit lokal të qytetit në Harkiv, kanë raportuar autoritetet lokale, transmeton BBC.

Ky qytet është afër kufirit rus dhe ka qenë shënjestër e sulmeve në dy ditët e fundit.

Ka pasur raportime edhe për luftime në rrugë në këtë qytet, pas zbarkimit të parashutistëve rusë gjatë natës.

Të shkulin mushkërinë nga vendi, çfarë janë bombat termobarike që Putini po i përdor në Ukrainë

Rusia është akuzuar për përdorimin e armëve termobarike – të njohura edhe si bomba me vakum – në pushtimin e Ukrainës.

Këto bomba janë janë shumë më shkatërruese se eksplozivët konvencionalë të përmasave të ngjashme dhe kanë një ndikim të tmerrshëm te këdo që është në rrezen e tyre të shpërthimit.

Rubla ka “shkrirë”, Rusia e pranon: Sanksionet po na rrënojnë

Ekonomia ruse po merr “goditje serioze”, pranoi Kremlini të mërkurën, pasi izolimi në rritje i vendit grumbullon presione të mëtejshme mbi sistemin e tij të lëkundur financiar, raporton CNN. Apple (AAPL), ExxonMobil (XOM), Ford (F), Boeing (BA) dhe Airbus (EADSF) iu bashkuan listës së kompanive që mbyllën ose pezulluan aktivitetin e tyre në Rusi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, përcjell Gazeta Express. Rubla u dobësua sërish. “Ekonomia e Rusisë po përjeton goditje serioze”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një telefonatë me gazetarët e huaj. “Por ka një kufi sigurie, ka potencial, ka disa plane, po punohet”, tha Peskov duke iu përgjigjej një pyetjeje në lidhje deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden në fjalimin e tij se ekonomia ruse po goditet rëndë.

Si funksionon një bombë termobarike?

Një bombë vakum, e quajtur gjithashtu një bombë termobarike, përbëhet nga një enë karburanti me dy ngarkesa të veçanta shpërthyese. Ajo mund të lëshohet si një raketë ose të hidhet si një bombë nga avioni. Kur godet objektivin e saj, ngarkesa e parë shpërthyese hap kontejnerin dhe shpërndan gjerësisht përzierjen e karburantit si një re.

Lufta Rusi-Ukrainë, shtyhet raundi i dytë i bisedimeve për paqe, zbulohet vendi ku do takohen

Raundi i dytë i bisedimeve diplomatike Rusi-Ukrainë nuk është anuluar por është shtyrë, njoftuan mediat ruse duke cituar një burim të afërt me negociatat. Sipas TASS, raundi i ri i negociatave ruso-ukrainase do të zhvillohet në Belovezhskaya Pushcha të Bjellorusisë. Megjithatë, raportet e fundit të mediave pohuan se Rusia është “gati” të fillojë diskutimet me Ukrainën të mërkurën në mbrëmje. TASS raportoi duke cituar burimin të thoshte, “Jo një anulim; orari u zhvendos; informacioni zyrtar do të vijë së shpejti”, raporton Republicworld.

“Mos ikni, erdhën shejtanët!” Vasali i Putinit nis forcat çeçene për të vrarë ukrainasit

Çeçeni Kadyrov i mbetet besnik shefit të tij, Putin, poston video të ushtarëve të tij duke u nisur në Ukrainë Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është besnik i shefit të tij Putinit, ka postuar një video në rrjetin e tij social të një brigade ushtarësh çeçenë duke u nisur për në frontin e luftës në Ukrainë.

Kadyrov ka shkruar se janë duke shkuar në luftë dhe i ka porositur ukrainasit që të “mos ikin”.

Kryetari i Kievit: Është koha të përgatitemi për rezistencë

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, është duke paralajmëruar banorët e kryeqytetit se forcat ruse janë duke lëvizur drejt qytetit dhe u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda dhe të përgatiten për të mbrojtur qytetin.

“Armiku po mbledh forcat afër e më afër”, ka thënë Klitschko, duke shtuar se ka luftime në afërsi të Kievit.

“Ne jemi të përgatitur dhe do ta mbrojmë Kievin. U bëj thirrje banorëve të Kievit që të mos humbin guximin”.

Deri më tani, Kievi u ka rezistuar përpjekjeve për pushtim rus.

Një konvoj i armatosur – 65 kilometra i gjatë – është duke iu afruar qytetit nga veriu.

Analistët besojnë se konvoji mund të shërbejë si ndihmë për një tentim pushtimi nga perëndimi.

Kremlini thotë se ekonomia ruse po merr “goditje serioze” kur u pyet për fjalimin e Bidenit për gjendjen e Bashkimit

Ekonomia ruse po ndikohet si rezultat i sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, pranoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet në lidhje me komentet e presidentit amerikan Joe Biden në fjalimin e tij për gjendjen e bashkimit.

Ekonomia e Rusisë po përjeton goditje serioze, tha Peskov në një telefonatë me gazetarët e huaj të mërkurën. Por ka një kufi sigurie, ka potencial, ka disa plane, puna është duke u zhvilluar."

Ekonomia do të qëndrojë në këmbë”, përfundoi ai.

Në fjalimin e tij të martën, presidenti Biden tha se ekonomia ruse kishte mbetur e “rrëmbyer” nga të gjitha sanksionet, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Duke folur me udhëheqësit politikë në Uashington, Biden e filloi fjalimin duke nënvizuar unitetin kundër Rusisë brenda Shteteve të Bashkuara dhe midis aleatëve të saj.

Ai e mbylli me një ndjenjë tingëlluese optimizmi dhe uniteti teksa bota shikon pushtimin rus të Ukrainës, duke thënë se besimi i tij te populli amerikan është ajo që i jep atij siguri se demokracia do të mbizotërojë në këtë moment kritik.

***

Publikohen pamje të ushtrisë ruse brenda qytetit të Khersonit

Gjatë ditës së sotme po vazhdon tensioni mes Ukrainës dhe Rusisë.

Mirëpo ajo se po vazhdon të jetë e paqartë është qyteti I Khersonit, shkruan BB, përcjell “Bota sot”.

Raportet nga qyteti janë të përziera, autoritetet lokale ende pretendojnë se qyteti është nën kontrollin e Ukrainës.

Tani një video e postuar në YouTube duket se tregon ushtrinë ruse në qendër të qytetit, duke përfshirë një tank dhe ushtarë të veshur me shirita të bardhë.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

BBC ka verifikuar në mënyrë të pavarur vendndodhjen e pamjeve në qendër të Khersonit.

***

Papa Françesku kërkon nga të gjitha vendet të jenë bashkë për Ukrainën

Papa Françesku u ka kërkuar njerëzve në mbarë botën që të strehojnë ukrainasit në strehimoret e nëndheshme që kërkojnë mbrojtje nga bombardimet dhe falënderoi Poloninë që pranoi pjesën më të madhe të refugjatëve nga lufta.

Françesku foli në audiencën e tij të përgjithshme javore të mërkurën e hirit, të cilën ai e ka shpallur një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në Ukrainë, raportoi Reuters, përcjell “Bota sot”.Pasi iu drejtua polakëve, Papa u largua nga shkrimi për të thënë se përkthyesi polak në skenë me të, At Marek Viktor Gongalo, është ukrainas. Papa tha:

Prindërit e tij tani janë në strehimore nëntokësore për t'u mbrojtur nga bombat në një vend afër Kievit.

Duke e shoqëruar, ne shoqërojmë të gjithë njerëzit që vuajnë nga bombardimet, përfshirë prindërit e tij të moshuar dhe shumë të moshuar të tjerë që janë në strehimore të nëndheshme duke u mbrojtur. Le t'i kujtojmë këta njerëz në zemrat tona.

Banorët e Kievit janë strehuar në stacione metroje dhe vende të tjera nëntokësore gjatë natës, ka radhë të gjata për karburant dhe disa produkte po mbarojnë nëpër dyqane”, tha Françesku.

***

Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e shtatë të tyre.  

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.

Liz Throssell, një zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se numri real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

***

OKB: Rreth 700 mijë qytetarë janë larguar nga Ukraina deri më tani

Sipas një raporti të OKB-së, 677,243 refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi, duke u strehuar në vendet fqinje, shkruan skynews.

Image
Pamje nga një helikopter i aviacionit të Ushtrisë Ruse teksa shoqëron njësitë e Forcave të Armatosura Ruse në Ukrainë, gjatë pushtimit të tyre, në një vend të paspecifikuar në këtë ekran të marrë nga mediat sociale, 2 mars 2022. Ministria ruse e mbrojtjes/Fletore nëpërmjet REUTERS

Por sa ukrainas janë larguar dhe ku po strehohen momentalisht?

Polonia – 377.400

Hungaria – 89.561

Moldavia – 65.391

Sllovakia – 54.304

Rumania – 38.461

Bjellorusia – 329

Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se 51,797 persona janë larguar  në vende të tjera europiane.

Bilanci i luftës, rreth 6 mijë ushtarë rusë të vrarë nga Ukraina, 30 avionë të rrëzuar

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë njoftuar numrin e trupave ruse të vrarë dhe artilerisë ruse që kanë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt.

Humbjet totale ruse të pretenduara nga Ukraina deri më tani janë:

• 5840 trupa ushtarakë
• 30 avionë
• 31 helikopterë
• Deri në 211 tanke
• 862 mjete patrullimi të blinduara (APV)
• 85 sisteme artilerie
• 9 sisteme kundërajrore
• 60 depozita karburanti
• 355 automjete
• 40 raketahedhës MLRS

“Putini nuk është Rusi” – Navalny bën thirrje për protesta ditore

Lideri i burgosur opozitar i Rusisë, Aleksei Navalny ka bërë thirrje për protesta ditore pas vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën, duke thënë se Rusia nuk mund të bëhet “komb i njerëzve të frikësuar dhe të heshtur”.

Në një postim të gjatë në Twitter, kritiku i Kremlinit e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin “car të çmendur” për nisje të luftës në Ukrainë, duke ua kujtuar rusëve mantrën e epokës sovjetike të “luftës për paqe”.

“Të mos bëhemi komb i frikësuar dhe i heshtur, komb që pretendon se nuk po e vëren luftën agresive të nisur kundër Ukrainës nga cari i çmendur”, ka thënë Navalny.

“Putini nuk është Rusi”.

Navlany, kritiku më i ashpër i Putinit, është burgosur më 2021 pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas helmimit gati fatal me agjent nervor.

Ai ka fajësuar Putinin për tentim-vrasje, pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Protestat sporadike janë parë nëpër Rusi prej kur Moska ka nisur pushtimin, por policia ka shtypur këto organizime.

Sipas faqes, OVD-Info, organizatë joqeveritare që vëzhgon arrestimet nëpër Rusi, 6,835 persona janë ndalur deri më tani në protestat kundër luftës.

“Ne duhet të tejkalojmë frikën, të dalim dhe të kërkojmë dhënien fund të luftës… secili person i arrestuar duhet të zëvendësohet me dy të rinj”, ka shkruar Navalny.

“Gjithçka ka çmim dhe tani, në pranverën e vitit 2022, ne duhet të paguajmë këtë çmim. Askush tjetër. Të mos bëhemi ‘kundër luftës’. Të luftojmë kundër luftës”, ka shtuar mes tjerash ai.

“Të lutem NATO, mbyll qiejt mbi Ukrainë”, rrëfimi prekës i banorit nga Kharkiv

Njerëzit që jetojnë në qytetin verilindor Kharkiv i kanë thënë BBC-së se si është të jetosh nën bombardimet ajrore ruse.

Glib Mazepas, i cili jeton në qendër të qytetit në qytetin e dytë të Ukrainës, thotë se ka pasur "bombardime të rënda" gjatë natës nga një aeroplan që qarkulloi tre herë përpara se të godiste rreth 1 km (0.6 milje) nga shtëpia e tij, përcjell Bota sot.

Ai përshkroi gjithashtu momentin kur dëgjoi sulmin me raketa të djeshme në Sheshin e Lirisë në Kharkiv.

"Ishte një zë fishkëllimë mbi kokat tona... pastaj bum. Mbaj mend që shtëpia jonë nuk po dridhej aq shumë sa po dridhej nga e majta në të djathtë, për rreth pesë sekonda. Ishte një ndjenjë shumë e çuditshme."

Ai thotë se çdo zhurmë që dëgjon tani ai supozon se mund të jetë një sulm rus.

"Dje gruaja ime po ngrohte diçka me mikrovalë. Dhe unë u tremba sepse mendova se ishte një lloj sulmi."

"Ju mësoheni shumë shpejt me luftën, më besoni. Është çështje një ose dy ditësh. Nuk e kisha menduar kurrë se do të ishte kështu."

Mazepas thotë se është mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare, por dëshiron që NATO të shkojë më tej duke vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

"Ju lutemi mbyllni qiejt për raketat ruse dhe për aeroplanët rusë. Sepse ata thjesht do të bombardojnë të gjithë qytetin deri në hi."

Spanja ndihmon Ukrainën me armë

Spanja do të furnizojë Ukrainën me “armë sulmi”, ka thënë të mërkurën kryeministri i këtij shteti, Pedro Sanchez para Parlamentit.

“Dua t’ju njoftoj se Spanja do të ofrojë po ashtu ndihmë ushtarake për rezistencën ukrainase”, ka thënë Sanchez para deputetëve.

Deri më tani Spanja ka ofruar ndihmë vetëm në kuadër të pakos së Bashkimit Evropian, i cili është pajtuar për të ndarë 450 milionë euro për të blerë armë për Ukrainën.

Sanchez ka thënë se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën është “përpjekje brutale për të ndalur ndërtimin e Evropës mbi baza dhe vlera të kundërta prej asaj që përfaqëson autoritarizmi”.

Flamuri ukrainas është hequr në ambasadën e Moskës

Flamuri ukrainas është rrëzuar në ambasadën e vendit në Moskë, njoftoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.

Sipas RIA, një shenjë që tregonte se ndërtesa ishte shtëpia e ambasadës ukrainase u hoq gjithashtu dhe dyert u mbyllën.

Qeveria ukrainase ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë më 24 shkurt, pasi Moska urdhëroi një pushtim të vendit.

Situata e qetë në Kiev, gazetari raporton nga vendi i ngjarjes

Sot në mëngjes është qetë në qendër të qytetit sa mund të dëgjosh edhe erën që fryn mes ndërtesave, një botë larg nga një javë më pare, thotë gazetari i BBC nga vendi i ngjarjes.

Në katedralen e Shën Sofisë pas meje ka një shërbim në mesditë të organizuar nga krerët e kishës në të gjithë qytetin, një qëndrim i vërtetë sfide”, thotë gazetari, përcjell “Bota sot”.

Presidenti Zelensky ka mbajtur një fjalim duke folur për lidhjen e Ukrainës më afër në shtatë ditët e fundit sesa ka qenë në 30 vjet që nga pavarësia.

Ai foli për atë sulm me raketa në kullën televizive dhe radiofonike që goditi në fakt një memorial të rëndësishëm të Holokaustit. Zelensky është hebre dhe ai vuri në dyshim pse dikush do ta bënte këtë dhe akuzoi Vladimir Putinin se po përpiqej ta fshinte atë, popullin e tij dhe historinë e vendit të tij.

Por këtu është një qetësi shumë e pakëndshme, duke pasur parasysh atë që po shohim në Kharkiv dhe avancimin e trupave ruse në jug.

Por siç qëndrojnë gjërat, dhe ne duhet ta bëjmë këtë orë pas ore, qytetet kyçe të Ukrainës - me përjashtim të Khersonit - po përfshihen gjithnjë e më shumë nga përparimi rus, por për momentin po qëndrojnë”, u shpreh gazetari për BBC.

***

Ministri britanik: Pushtimi i Ukrainës do të jetë “shumë i vështirë” për Rusinë

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se Rusia përballet me “sfidë të madhe” për të hyrë në qytetet kryesore ukrainase, pasi forcat e armatosura dhe civilët pritet të luftojnë armikun me të gjitha mjetet e mundshme.

Ai ka thënë se është pjesë e doktrinës ushtarake ruse që të rrethojë qendrat urbane të qyteteve dhe të bombardojë “pa bërë dallim” derisa të mbetet një pjesë e vogël e popullsisë nga e cila mund të marrë atë që ka mbetur.

Mirëpo ai ka thënë se madhësia gjeografike e Ukrainës dhe popullsia prej 44 milionë banorëve, do ta bënte pushtimin nga Rusia “shumë të vështirë”.

“Pushtimi i një shteti me forcë dërrmuese është një gjë dhe pushtimi i një populli me 44 milionë banorë që nuk të do, është diçka krejt tjetër”.

Ai ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se nuk është në favor që NATO-ja të marrë vendim për ndalim të fluturimeve, duke thënë se çfarëdo shkelje e vendimit prej anës së Rusisë, “mund të çojë në luftë përreth Evropës”.

Qyteti i tretë më i madh i Ukrainës po bëhet gati derisa forcat ruse po afrohen

Qendra e qytetit të Odessas është bërë fantazmë. E barrikaduar me thasë me rërë ky qytet është gati për betejë.

Bombardimet nuk kanë filluar ende, por qyteti i tretë më i madh në Ukrainë në bregun jugor duket sikur është tashmë nën bombardim.

Për ditë të tëra, banorët e Odesës janë paralajmëruar për mundësinë e një zbarkimi amfib rus. Banorët e rinj tani e dinë se është radha e tyre për të luftuar. Disa civilë tashmë kanë marrë armët.

Të plagosur nga një luftë e gjeneratës së fundit, vendasit janë në avantazh ndërsa forcat ruse shkelin bregun e Detit të Zi të Ukrainës. Ata thonë se ky është tamam si një episod që bën që gjyshërit e tyre të shpërthejnë në lot nervor kur kujtojnë tmerrin e vitit 1941 gjatë sulmit nga Gjermania naziste.

Një sallë ushqimi është shndërruar me nxitim në një makineri të mirë, e krijuar për të mbështetur rininë e qytetit me ilaçe dhe furnizime të tjera thelbësore. Teatri i Operës pranë qytetit është i fortifikuar, ashtu siç ishte më shumë se tetë dekada më parë.

Por derisa mund të duket sikur të gjithë po qëndrojnë për të luftuar, trenat po mbushen me njerëz – nëna të reja dhe fëmijët e tyre – të dëshpëruar për të shpëtuar.

Ata panë marshimin rrëqethës të rusëve në qytetin Kherson, rreth 125 milje (200 km) në perëndim të Odessa – një qytet ku vendasit nuk e imagjinonin kurrë se do të kishin trupa ruse që ecnin nëpër rrugë.

***

Pse është Hersoni i rëndësishëm për Rusinë?

Ministria ruse e Mbrojtjes po pretendon se ka marrë kontrollin e Hersonit.

Ky qytet ka 300,000 banorë.

Nëse këto pretendime vërtetohen, Hersoni do të bëhet qyteti më madh ukrainas në duart e rusëve.

Hersoni është i rëndësishëm për portin që ka në Detin e Zi dhe njihet si qendër industriale.

Kontrollimi i Hersonit nënkupton kontrollimin e një burimi të madh të ujit po ashtu.

Ukraina ka vendosur digë në kanalin e Krimesë Veriore, pasi Rusia ka pushtuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Prej atëherë pjesa më e madhe e ujit të freskët është bllokuar në drejtim të Krimesë, duke shkaktuar probleme me furnizim në rajonin e aneksuar.

Një nga shënjestrat e para të ushtrisë ruse ka qenë zhbllokimi i digës dhe rikthimi i furnizimeve në Krime.

Pajisjet ushtarake ruse kanë hyrë në qendër të Hersonit natën e kaluar.

Kryetari i qytetit, Igor Kolyikhayev, ka thënë të mërkurën se qytetit i duhet një mrekulli.

Raportime të përziera nga Hersoni

Moska ka thënë pak më parë se ka fituar plotësisht kontrollin e qytetit Herson.

Mirëpo autoritetet rajonale ukrainase kanë thënë se Herson është i rrethuar plotësisht nga forcat ruse, duke rënë në kundërshtim me pretendimin.

“Ne ende jemi Ukrainë. Ende të fortë”, ka thënë kryetari i qytetit.

Raporte të përziera vijnë nga Kherson

Ende nuk është konfirmuar pretendimi i Rusisë se ka pushtuar qytetin portual të Khersonit në jug të Ukrainës, raporton BBC, tansmeton "Bota sot".

Më herët Moska tha se tani kshte nën "kontroll të plotë" qytetin.

Por guvernatori i rajonit ka thënë se Kherson është plotësisht i rrethuar nga forcat ruse, duke u kundërshtuar me pretendimin. Kryebashkiaku i qytetit postoi gjithashtu në Facebook: "Ne jemi ende Ukrainë. Ende të vendosur." Ne do t'ju sjellim më shumë përditësime kur ato vijnë.

Zelensky: Rusia dëshiron “ta zhdukë” Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë të mërkurën se po synon të “zhdukë” ukrainasit, shtetin dhe historinë e tyre.

Në një video-adresim, lideri ukrainas ka thënë se sulmet me raketa në një zonë të masakrës së Holokaustit tregon se “për shumë njerëz në Rusi, Kievi ynë është plotësisht i huaj”.

“Ata nuk dinë asgjë për kryeqytetin tonë. Për historinë tonë. Mirëpo ata kanë urdhër për të zhdukur historinë tonë. Për të zhdukur shtetin tonë. Për të na zhdukur të gjithë neve”.

Image
Një shpërthim shihet në kullën televizive, mes pushtimit rus të Ukrainës, në Kiev, Ukrainë, 1 mars 2022. REUTERS/Carlos Barria

Ukraina nis ditën me më shumë shkatërrim

Ukrainasit kanë nisur ditën e mërkurë me zhurmat e sirenave në disa qytete.

Këto janë disa nga zhvillimet e fundit:

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, ka thënë kryetari i qytetit

Ka raportime për një sulm të ri me raketë në këtë qytet, i cili ka goditur Policinë rajonale dhe një pjesë të Universitetit Karazin

Parashutistët rusë kanë arritur në Harkiv me qëllim të rrethimit të qytetit, ka thënë ushtria ukrainase

Forcat ruse janë duke avancuar më shumë në jug të Ukrainës, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes, duke pretenduar se ka marrë kontrollin e qytetit Herson

Qasja në lajme dhe transmetime televizive është penguar, pasi dy raketa ruse kanë goditur kullën televizive duke lënë të vdekur pesë persona dhe duke plagosur pesë të tjerë

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbajtur fjalimin para kombit, duke njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të mbyllin hapësirën ajrore për aeroplanët rusë.

Ai ka përmendur edhe rezistencën e ukrainasve, duke thënë se presidenti rus, Vladimir “Putin mund të rrethojë Kievin me tanke, mirëpo nuk do të fitojë kurrë zemrën e popullit ukrainas”.

Rusia pretendon kontrollin e qytetit Kherson

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se trupat e saj tani kanë pushtuar qytetin jugor të Ukrainës, Kherson.

Nëse kjo ka ndodhur, do të thotë që qyteti më i madh në Ukrainë që është kapur nga forcat ruse deri më tani.

Gjatë natës ne raportuam se trupat ruse ishin parë në rrugët e qytetit.

Kryetari i bashkisë tha se stacioni i trenit dhe porti i Khersonit ishin kapur./Bota sot

Sërish dëgjohen sirenat në Kiev që paralajmërojnë sulmet ajrore

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kiev të Ukrainës, janë aktivizuar sërish alarmet që paralajmërojnë sulmet ajrore të ushtrisë ruse.

Editorja e Sky News, Deborah Haynes, ka publikuar një video nga vendi i ngjarjes ku dëgjohen sirenat nëpër kryeqytetin e Ukrainës.

“Edhe këtë mëngjes janë aktivizuar sirenat, që alarmojnë banorët dhe autoritetet e sigurisë për sulme ajrore nga trupat ruse”, ka shkruar Haynes.

Ndërkaq mbrëmë ushtria ruse bombardoi kullën e televizionit të Kievit, ku si pasojë humbën jetën pesë persona.

Luftime të ashpra në Kharkiv, humbin jetën 21 persona dhe plagosen 112 tjerë

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 tjerë janë plagosur nga granatimet ruse në lindje të Ukrainës – pra në qytetin Kharkiv, ku gjatë 24 orëve të fundit ka pasur luftime të ashpra.

Ky numër i viktimave është konfirmuar nga guvernatori i qytetit Oleh Synyehubov pak qaste më parë.

Vdekjet kanë ndodhur si pasojë e granatimeve ruse në Kharkiv në 24 orët e fundit, ku raketat ruse goditën edhe objektet e komunës si dhe ndërtesat kolektive.

Ndërkohë, është raportuar se trupat ruse kanë sulmuar spitalin ushtarak në Kharkiv.

Drejtori i policisë në Kharkiv, Volodymyr Tymoshko, ka thënë se “situata në afërsi të spitalit është nën kontrollin e ukrainasve”.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Civilë të vrarë në sulmin në Zhytomyr

Ukraina thotë se një sulm raketor rus gjatë natës ka vrarë të paktën dy persona në qytetin Zhytomyr, i cili shtrihet 120 km (75 milje) në perëndim të Kievit.

Sulmi, që synonte një bazë ajrore në qytet, goditi shtëpitë e banimit aty pranë, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës ka shkruar në Twitter se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur.

Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, kishte thënë më herët në llogarinë e tij në Telegram se numri i të vdekurve ishte edhe më i lartë.

"Deri më tani, katër persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë," tha ai.

Llogaritë e qeverisë së Ukrainës në Facebook dhe Telegraph kanë shpërndarë një video për të cilën ata thanë se ishte nga pasojat e shpërthimit. Vizioni tregoi shpëtimtarët që po përpiqeshin të nxirrnin të mbijetuarit nga rrënojat.

***

 Parashutistët rusë sulmojnë Harkivin

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

OKB: Të paktën 136 viktima në Ukrainë, përfshirë 13 fëmijë

Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 136 civilë janë vrarë prej nisjes së sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Trembëdhjetë fëmijë besohet se janë në mesin e të vdekurve.

Liz Throssell, zëdhënëse e Komisionit të OKB-së për të Drejta të Njeriut, ka thënë se shifra reale e viktimave mund të jetë shumë e lartë.

Throssell ka thënë se shumica e viktimave e kanë pësuar nga sulmet ajrore dhe shpërthime tjera të mëdha.

OKB ka thënë po ashtu se rreth 400 persona janë plagosur në luftime.

Megjithatë, të dhënat e publikuara nga Qeveria ukrainase sugjerojnë se 352 civilë kanë vdekur dhe mbi 1,600 janë të plagosur.

Bursa e Moskës e mbyllur për tri ditë me radhë

Tregtimi në bursën e Moskës do të pezullohet për të tretën ditë me radhë, ka njoftuar Banka Qendrore e Rusisë përmes një deklarate.

Megjithatë, ajo do të ofrojë disa shërbime të kufizuara për herë të parë këtë javë.

Këto vendime janë marrë pas valuta ruse, rubla, është zhvlerësuar në nivele rekorde dhe kompanitë ruse jashtë shtetit janë përballur me rënie të vlerës së aksioneve.

***

Ushtria ukrainase lëshon një raport të rëndësishëm

Në vazhdën e ditës së shtatë të luftimeve kundër agresorit rus, Stafi Gjeneral i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka njoftuar për përpjekjen e rrethimit të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar në llogarinë zyrtare të tyre në ‘Facebook’, thuhet se forcat ruse po synojnë që të bllokojë Kievin nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.

Në drejtimin Podolsk, armiku [Rusia] po përpiqet të vazhdojë ofensivën përgjatë kufirit të Gorenichi, Gostomel, Demidov në drejtim të Kievit në mënyrë që të bllokojë kryeqytetin nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e tyre.

Po ashtu, ata kanë paralajmëruar edhe për organizim ushtarak detar rus, që sipas tyre, do të realizohet në Zonën Operative të Detit të Zi.

I pasuksesshëm në avancimin e forcave ushtarake, armiku vazhdon në mënyrë tinëzare të lëshojë sulme me raketa dhe bombardime në infrastrukturën kritike për të frikësuar popullsinë civile, e cila është krah-përkrahë me Forcat e Armatosura të Ukrainës”, thuhet më tej.

Sot shënohet dita e shtatë e rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit rus, në krye me presidentin e tyre, Vladimir Putin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat