Rreth 10.000 shtëpi janë pa energji në veri të Skocisë dhe në veri-lindje të Anglisë e me dhjetëra shkolla do të qëndrojnë të mbyllura edhe për një ditë tjetër teksa vazhdojnë përpjekjet për pastrimin e zonave të goditura nga stuhitë Malik dhe Corrie.
Rrjeti i energjisë Elektrike ishte në alarm të kuq pasi 114,500 konsumatorë mbetën në errësirë. Përpjekjet për të riparuar dëmet u penguan nga erërat e fuqishme dhe të vazhdueshme në zonë.
Edhe pse për një pjesë të banorëve të prekur u arrit të kthehej energjia, gati 10 mijë të tjerë kanë mbetur sërish në terr e në të ftohtë, e kjo situatë mund të zgjasë.
Mungesa e ngrohjes ka detyruar autoritetet të vendosin që shumë shkolla të qëndrojnë të mbyllura. Rrjeti i shpërndarjes së energjisë po kështu ka pësuar dëme të mëdha.
Stuhia Malik u përplas këto ditë mbi Europën perëndimorë duke lënë pas disa të vdekur. Erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu e dëborë goditën Mbretërinë e Bashkuar, Danimarken, Gjermaninë e Poloninë ku lanë me qindra mijëra vetë pa energji elektrike. Për shkak të saj, disa ura u mbyllën, tragetet nuk dolën në lundim e mjaft udhëtime me tren u anuluan, ndërsa nuk munguan dhe përmbytjet.