Putin shkel marrëveshjen me Ukrainën, rusët pushtojnë edhe një qytet - Britania lëshon paralajmërimin e tmerrshëm

Evropë

Putin shkel marrëveshjen me Ukrainën, rusët pushtojnë edhe një qytet - Britania lëshon paralajmërimin e tmerrshëm

Nga: Bota sot Më: 4 mars 2022 Në ora: 16:35
Zona e dëmtuar pas sulmit afër termocentralit bërthamor në Zaporizhja.

(E plotësuar 00:44) Ukraina këtë muaj do të marrë 700 milionë dollarë nga Banka Botërore

Grupi i Bankës Botërore thotë se po përgatitet që këtë muaj të japë 700 milionë dollarë kredi për Ukrainën.

Kryetari i saj, David Malpass, foli në telefon me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Bordi i bankës tani po shqyrton një propozim kredie prej 500 milionë dollarësh, të quajtur Financimi i Rimëkëmbjes nga Emergjenca Ekonomike në Ukrainë, raporton BBC.

Kredia është “rritur me garanci nga partnerët dypalësh, duke përfshirë Holandën dhe Suedinë”, vuri në dukje banka.

Malpass i tha gjithashtu Zelenskyt se banka po punonte për të “siguruar një mbështetje shtesë prej 200 milionë dollarësh në fund të marsit” dhe ka krijuar një “fond besimi më shumë për të lehtësuar kanalizimin e burimeve të granteve nga donatorët në Ukrainë”.

Sulmohen me plumba gazetarët e SkyNews, kameramani merr goditje në pancir

Gazetarët e televizionit britanik SkyNews, janë sulmuar me plumba të hënën në afërsi Kievit, derisa raportonin për luftën.

Në videon e publikuar në uebfaqen e televizionit, dëgjohen të shtënat me plumba mbi korrespondentim Stuart Ramsay dhe ekipin e tij.

Kameramani Richie Mockler është goditur dy herë në pancirin mbrojtës trupor dhe Ramsay është lënduar, thuhet në njoftimin e televizionit.

“Përvoja e tyre ilustron shkallën e lartë të dhunës, përderisa pushtimi rus hyn në një fazë të re edhe më vdekjeprurëse”, shkruan televizioni.

Ekipi i televizionit është kthyer shëndosh në Britaninë e Madhe.

Pamjet KETU.

Kryeministri britanik thotë se Putin do të dyfishojë sulmet në Ukrainë

Kryeministri britanik Boris Johnson beson se Vladimir Putin synon të "dyfishojë" sulmin e tij në Ukrainë, pasi presidenti rus parasheh se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse "të vazhdojë me shkatërrimin".

Kryeministri përshkroi momentin kur u zgjua në mes të natës me lajmin e granatimeve ruse të një centrali bërthamor në Ukrainë më 4 mars, duke thënë se siguria evropiane është "po aq e rrezikuar" nga një sulm i tillë.

Rusia tradhton Ukrainën, nuk e respekton marrëveshjen që u arrit dje

Ukraina është ankuar që Rusia nuk është duke bashkëpunuar për hapjen e korridoreve në Kherson për civilët dhe futjen e ushqimeve e ilaçeve, sipas marrëveshjes së arritur në takimin e dytë mes dy delegacioneve që zhvilluan negociatat.

Zyrtarë lokalë në qytetin jugor të Ukrainës kanë thënë sot, se Rusia nuk është duke marrë përgjegjësitë për të cilat është zotuar, që kishin të bëjnë me hapjen e korridoreve humanitare, që furnizimet ushqimore dhe të tjera furnizime të nevojshme të futeshin brenda qytetit.

Guvernatori rajonal Gennady Laguta ka shkruar në Facebook për mos zbatimin e marrëveshjes nga pala ruse. Ai ka thënë se autoritetet ukrainase kishin përgatitur 19 kamionë me furnizime, por nuk janë lejuar të hyjnë në qytet.

“Rusët thonë se do të sjellin vetë ndihma humanitare”, ka shkruar Laguta.

Po ashtu, edhe kryetari i Khersonit, Ihor Kolykhaev, ka thënë se marrëveshja nuk është duke e ndihmuar qytetin.

“Përkundër se dje arritëm një marrëveshje në nivele të larta të përfaqësimit, në praktikë asgjë nuk është duke funksionuar”, ka theksuar ai.

“Por, gjykuar nga rrethanat, çlirimtarët e mirë po bëhen gati që të sjellin vetë shpëtimin në Kherson. Së pari e sollën situatën në një gjendje kritike, e tani do të na shpëtojnë heroikisht”, ka shkruar me ironi kryetari i Khersonit, duke iu referuar rusëve.

Rusët pushtojnë edhe një qytet, paralajmërojnë pushkatimin e mjekëve nëse ata ikin nga qendra e mjekësisë

Qyteti i Trostyanets u pushtua nga ushtria ruse, kështu bëri të ditur guvernatori i rajonit të Sumyt në Ukrainë, Dmytro Zhyvytskyi në Telegram.

Sipas kreut të administratës shtetërore rajonale, pushtuesit po kontrollojnë një qendër të mjekësisë, ata nuk po i lejojnë mjekët të intervenojnë, vetëm tek fëmijët në raste urgjente.

Mjekët u paralajmëruan se do të pushkatoheshin nëse largoheshin vetë. Ambulancat nga vendbanimet tjera nuk lejohen, raporton The Kyiv Independent.

“Popullsia vendase nuk është në gjendje të blejë ushqime dhe mallra të tjera. Të gjitha dyqanet janë plaçkitur, qyteti kontrollohet vazhdimisht dhe snajperët po punojnë. Gjithashtu nuk ka asnjë mundësi për të hyrë në qytet për të ndihmuar popullatën”, tha Zhyvytskyi.

 Sulmi ajror rus vret gjashtë persona në një fshat afër Kievit

Një sulm ajror rus ka vrarë gjashtë persona, duke përfshirë një fëmijë, në fshatin Markhalivka pranë Kievit, tha policia rajonale më 4 mars.

Dy të rritur dhe dy fëmijë u plagosën në sulmin ajror dhe u dërguan me urgjencë në spital, tha policia rajonale e Kievit.

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha më herët gjatë ditës se që nga mesnata e 3 marsit, u regjistruan 1006 viktima, përfshirë 331 vdekje, të regjistruara mes civilëve në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Shifrat e OKB-së bien ndesh me ato të autoriteteve ukrainase, të cilat thanë më 2 mars se më shumë se 2,000 civilë ishin vrarë nga sulmet ruse që nga java e kaluar.

Macron 'jashtëzakonisht i shqetësuar' për sigurinë bërthamore në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu të premten shqetësimin lidhur me sigurinë bërthamore në Ukrainë pasi termocentrali më i madh bërthamor në Evropë u sulmua dhe u kap nga forcat pushtuese ruse.

Macron tha se është "jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet për sigurinë bërthamore, sigurinë dhe zbatimin e masave mbrojtëse ndërkombëtare që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës", tha presidenca franceze në një deklaratë.

Ai shtoi se Franca në orët e ardhshme do të propozojë "masa konkrete" për të garantuar sigurinë e pesë vendeve kryesore bërthamore në Ukrainë pas kapjes së uzinës së Zaporizhjas nga forcat ruse.

Seanca e OKB-së, Rusia akuzohet për sulmin ndaj centralit bërthamor të Ukrainës

Sulmi i Rusisë në vendndodhjen e centralit bërthamor të Ukrainës është një kërcënim për të gjithë Evropën dhe botën, deklaroi sot ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfeld.

“Faleminderit Zotit që bota i shpëtoi një katastrofe bërthamore” mbrëmë”, tha ambasadorja amerikane në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbledhur për shkak të sulmit në seli, të cilin ajo e quajti të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm.

Sipas saj, "jo vetëm që Vladimir Putin nuk i dëgjoi" thirrjet për t'i dhënë fund pushtimit të Ukrainës "por ne dëshmuam një përshkallëzim të ri të rrezikshëm që përbën një kërcënim të madh për të gjithë Evropën dhe botën".

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës dhe Perëndimit se Moska ishte përgjegjëse për sulmin. Ai shtoi se Ukraina është “përgjegjëse” për zjarrin që shpërtheu në vendndodhjen ku ndodhet termocentrali bërthamor Zaporozhzhia, në jug të vendit. Megjithatë, ambasadori rus pranoi se ushtarët rusë morën pjesë në luftimet në zonë.

Gjatë seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të thirrur me kërkesë të Britanisë, ambasadorja britanike Barbara Woodward theksoi se nuk kishte dyshim se forcat ruse sulmuan termocentralin Zaporozhzia, i cili është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë.

Në fillim të seancës, Rosemary DiCarlo, ndihmës sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështje Politike, vuri në dukje se sulmet ndaj vendeve bërthamore janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, theksoi rëndësinë e 15 termocentraleve bërthamore në Ukrainë nëpërmjet një lidhjeje video nga një aeroplan që udhëtonte për në Iran.

Ai përsëriti se ishte gati të shkonte në Ukrainë në vendet ku ndodhen termocentralet bërthamore dhe se këtë kërkesë ia dërgoi Ukrainës dhe Rusisë, të cilat po e “shqyrtojnë”. Sipas tij, misioni i IAEA do të kufizohej në kontrollin e “sigurisë” së selisë dhe nuk do të kishte karakter politik.

Termocentrali i Zaporozhzia është goditur nga zjarri i artilerisë ruse mbrëmë. Ndërtesat shoqëruese pranë selisë ku ka rënë zjarri janë goditur. Sot, ushtria ruse pushtoi selinë. Organi rregullator ukrainas njoftoi se zjarri që goditi një laborator dhe ndërtesën e stërvitjes ishte shuar dhe nuk u zbulua asnjë rrjedhje radioaktive.

Britania e Madhe rrit sanksionet kundër Kremlinit

Britania e Madhe po “forcon” paketën e saj të sanksioneve kundër Kremlinit me “fuqi të reja në arsenalin tonë për të shkuar më tej dhe më shpejt”, tha Boris Johnson.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar tha se ndryshimet do të rrisin presionin mbi ato elita kriminale që përpiqen të pastrojnë para në tokën e Mbretërisë së Bashkuar, duke siguruar që ata nuk kanë ku të fshihen, raporton agjencia e lajmeve PA, transmeton Bota sot.

Ndryshimet në projektligjin për krimin ekonomik (Transparenca dhe Zbatimi) do të “ndihmojnë në riorganizimin e legjislacionit aktual në mënyrë që ne të mund t'i përgjigjemi edhe më shpejt dhe më efektivisht krizës aktuale në mënyrën se si ne sanksionojmë individët”, tha Ministria e Jashtme.

FCDO tha se dispozitat do të lejojnë MB të përafrohet më shpejt me përcaktimet individuale të vendosura nga aleatët si SHBA, Kanada dhe BE.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu shkurtimin e kohës që pronarëve të huaj të pronave në Mbretërinë e Bashkuar do t'u jepet për të deklaruar identitetin e tyre të vërtetë sipas një regjistri të ri të subjekteve jashtë shtetit, nga 18 muaj në gjashtë muaj.

Dënimet penale për mospërputhje janë vendosur të rriten nga gjobat deri në 500 në ditë në deri në 2500 në ditë sipas një ndryshimi të mëtejshëm.

Rreth 100 njerëz mund të kenë mbetur nën rrënoja, pas sulmit me raketa

Rreth 100 njerëz mund të kenë mbetur ende nën rrënoja pasi një sulmi me raketa që goditi një bllok të madh apartamentesh në Borodyanka, një qytet i vogël 60 km në veri-perëndim të Kievit, thonë nga shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës, shkruan The Guardian, transmeton Bota sot.

Një zëdhënës i shërbimit i tha CNN se rreth 100 njerëz mund të jenë të bllokuar nën rrënoja në Borodyanka, por është e pamundur të jepet një shifër më e saktë për momentin.

Ekipet e shpëtimit nuk kanë akses tek këta persona për shkak të granatimeve të vazhdueshme.

Ne jemi gati të evakuojmë njerëzit sapo të arrihet një marrëveshje për një korridor të gjelbër.

Shtetet e G7-tës dënojnë sulmin ndaj civilëve të Ukrainës

Ministrat e Jashtëm të G7-tës thanë të premten se ishin "thellësisht të shqetësuar" me pasojat humanitare nga "sulmet e vazhdueshme të Rusisë" kundër popullsisë civile të Ukrainës.

Ata shtuan se do të kërkojnë përgjegjësi për krimet e luftës.

"Ne ritheksojmë se sulmet (pa i kursyer civilët) janë të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare.

Ne do të mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë përdorimin pa kriter të armëve kundër civilëve", thanë ministrat e jashtëm të G7-të në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Stafi i centraleve bërthamore në Ukrainë "po mbahet peng"

Stafi i centraleve bërthamore ukrainase, në Zaporizhja dhe Çernobil, po mbahet peng nga forcat ruse, dhe po punon nën kërcënimin e armëve, sipas ish-udhëheqësit të inspektoratit bërthamor në Ukrainë.

Rusia ndalon protestat kundër pushtimit të Ukrainës në kryeqytet

Autoritetet në Moskë kanë refuzuar kërkesat për protesta nga kundërshtarët e pushtimit të Ukrainës, si dhe nga mbështetësit e forcave të armatosura të Rusisë.

Në një deklaratë të premten, qyteti përmendi pandeminë e koronavirusit në arsyetimin e ndalimit.

Autoritetet nuk zbuluan se kush kishte bërë kërkesë për tubime dhe me çfarë arsyeje.

Partia opozitare, Yabloko, megjithatë kishte kritikuar ashpër pushtimin e Ukrainës nga presidenti, Vladimir Putin dhe njoftoi se do të organizonte një marsh proteste në Moskë.

Sipas një raporti të faqes së pavarur të lajmeve Meduza, kërkesa për protestë ka pasur gjithashtu nga mbështetësit e asaj që Kremlini e quan "operacion special ushtarak" në Ukrainë.

Demonstratat janë ndaluar në Moskë për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë.

Megjithatë, kohët e fundit njerëzit dolën në rrugë në dhjetëra qytete ruse për të protestuar kundër luftës në Ukrainë, pavarësisht se po përballen me arrestime, gjoba të mëdha dhe dhunë policore.

Mijëra janë arrestuar deri më tani.

Në Moskë, administrata e qytetit mori disa aplikime për protesta me 25,000 deri në 100,000 pjesëmarrës, tha ai.

Yabloko u bëri thirrje kundërshtarëve të luftës në Ukrainë që të bëjnë kundërshtimin e tyre në mediat sociale dhe të organizojnë peticione.

Zelensky flet në telefon me Erdoganin për terrorin e Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njofton se edhe sot ka pasur biseda telefonike me liderë të shteteve të ndryshme. Në postimin e fundit ka treguar se foli me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Zelensky thotë se sot ka vazhduar kontaktin e rregullt me Erdoganin, e me të ka folur për sulmet që forcat ushtarake ruse po i kryejnë në territorin e Ukrainës.

“Pata bisedimet e rregullta me Presidentin Erdogan. Jam falënderues për mbështetjen e palëkundur të Turqisë. E informova për agresionin e vazhdueshëm dhe terrorizmin nuklear nga Federata Ruse. Ne duhet t’i japin fund armiqësive”, ka shkruar Zelensky.

Presidenti ukrainas është shumë aktiv në profilet e tij në rrjete sociale dhe njofton vazhdimisht në ukrainisht dhe anglisht për të gjitha zhvillimet.

Ai tregon se është në kontakt me liderët perëndimorë, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe udhëheqësit e shteteve të tjera, të cilët i kanë dalë në krah Ukrainës, në luftën me Rusinë.

Zelensky dhe instuticionet ukrainase kanë thënë se Presidenti i vendit nuk është larguar nga territori i Ukrainës, asnjëherë prej kur aty ka nisur lufta, më 24 shkurt.

Pse forcat ajrore ukrainase nuk po sulmojnë kolonën e gjatë ruse që po i afrohet Kievit?

Dy pyetje që po shtrohen së fundmi rreth gjendjes në Ukrainë janë: Si po hyn ndihma ushtarake dhe pse forcat ajrore ukrainase nuk po sulmojnë kolonën e gjatë ruse që po i afrohet Kievit?

Dhe sipas BBC, kufiri perëndimor i Ukrainës me Poloninë dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është ende në duart e Rusisë (agresioni rus ka ardhur nga tre anët e tjera – veriu, jugu dhe lindja), kështu që ka ende një korridor për furnizimet.

Në anën tjetër, bregdeti i Detit të Zi megjithatë tani është kryesisht nën kontrollin rus dhe konsiderohet i pasigurt për shumicën e transportit.

Ndërsa sa i përket pyetjes së dytë, të gjithë janë të habitur se përse Ukraina nuk ka bërë më shumë për të sulmuar autokolonën ruse.

Në këtë drejtim, vë në pah shkrimi i BBC, ka disa shpjegime të mundshme.

Për shembull, shpjegimi i parë thotë se Ukrainës po i mbarojnë dronët e armatosur dhe forca e saj e vogël ajrore, është e kujdesshme kur bëhet fjalë se mund të rrëzohet nga bateritë ruse të mbrojtjes ajrore.

Kështu, Ben Barry nga qendra e mendimit në Londër IISS sugjeron se ukrainasit mund të kursejnë burimet që kanë në gatishmëri për të kundërsulmuar kur rusët t’i afrohen Kievit.

Ndryshe, se konvoji i ushtrisë ruse është nisur drejt Kievit e kanë dokumentuar edhe disa pamje satelitore.

Kompania amerikane Maxar Technologies ka realizuar një video, ku shihet makineria luftarake e Rusisë në afërsi të kryeqytetit ukrainas.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se progresi i konvojit rus ka ngecur – por sulmet mbi kryeqytetin ukrainas nuk kanë të ndalur. 

***

Putin: Kërkesat e Rusisë duhet të plotësohen në bisedimet e paqes

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se ai është i gatshëm të diskutojë mënyrat për t'i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij ... por vetëm nëse plotësohen kushtet që ai ka vendosur që nga fillimi i konfliktit.

Putin i tha Scholzit se ai është i gatshëm të flasë me këdo që dëshiron lirinë në Ukrainë.

"Me kusht që të gjitha kërkesat ruse të përmbushen", tha ai.

Këto kërkesa, të cilat Putini i parashtroi përsëri, përfshijnë: "çmilitarizimin" e Ukrainës; "denazifikimin" e Ukrainës; një status neutral dhe jo-bërthamor për Ukrainën; njohja ndërkombëtare e aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe sovraniteti për rajonet separatiste ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut.

Sulmi rus në Çernihiv la 47 të vdekur

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se 47 persona janë vrarë pas një sulmi ajror rus në qytetin verior të Ukrainës, Çernihiv.

“Më 3 mars, 47 persona (38 burra dhe 9 gra) u vranë nga një sulm ajror rus në një zonë të banuar në Çernihiv”, thanë autoritetet lokale në Facebook.

Që kur nisi sulmin ndaj Ukrainës më shumë se një javë më parë, Rusia ka thënë se nuk synon zonat civile.

Por ka pasur shumë raportime për viktima në mesin e civilëve.

Zelensky me Von der Leyen bisedojnë për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zelensky tregoi se me Von der Leyen kanë folur në lidhje me bashkëpunimin e tyre dhe terrorizmin bërthamor të agresorit.

Po ashtu, lideri i ukrainasve tha se kanë diskutuar edhe për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Bisedova me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo më informoi për terrorizmin bërthamor të agresorit. Parandalimi i tij është detyrë e jona e përbashkët. Ne diskutuam për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë. Në rend dite ishte edhe çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE”, ka shkruar Zelensky.

BE-ja: Ushtria ruse po bombardon dhe granaton gjithçka në Ukrainë

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ushtria ruse po “bombardon dhe granaton gjithçka” në Ukrainë.

“Sot, ajo që ne shohim është fytyra e shëmtuar e luftës që shpërthen sërish në kufijtë tanë. Dhe rusët po bombardojnë dhe granatojnë  gjithçka: spitale, shtëpi, shkolla. Shumë viktima civile. Është një formë barbare e të bërit luftë”, tha Borrell gazetarëve përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të premten.

Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë bombardimet.

“Putini duhet të ndalet që të ndalë këtë luftë. Ne mbetemi të bashkuar në kërkesën që kjo luftë të ndalet dhe për shmangur vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, shtoi Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së shtoi se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut së shpejti do të “fillojë një mision për të vlerësuar shkeljen e të drejtave të njeriut që po ndodhin në territorin ukrainas”.

Zyrtarë të SHBA-së dhe të tjerë perëndimorë i kanë thënë CNN se Rusia pritet të godasë gjithnjë e më shumë objektivat civile dhe të zhvendoset drejt një strategjie të “asgjësimit të ngadaltë” të ushtrisë ukrainase.

Vriten tre komandantë rusë në Ukrainë 

Zyrtarët perëndimorë kanë konfirmuar se tre komandantë rusë janë vrarë.

Gjenerali rus Andrei Sukhovetsky u qëllua nga një snajper. Po ashtu një komandant divizioni dhe komandant regjimenti janë vrarë gjithashtu nga forcat ukrainase.

Zyrtari tha: “Vlerësimi im do të ishte se ata komandantë janë vrarë sepse u është dashur të shkojnë më tej dhe më afër frontit”.

“Ky është një tregues i një shkalle zhgënjimi dhe një shkalle mungesë progresi dhe ata po përpiqen të imponojnë llojin e personalitetit të tyre në fushën e betejës dhe të vënë veten në rrezik personal.”

 “Zelensky ka lëshuar Ukrainën”, reagon ashpër Parlamenti i Ukrainës 

Në faqen zyrtare të Parlamentit të Ukrainës thuhet se është shpërndarë një lajm i rremë nga rusët, se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar Ukrainën.

“Rajoni i Khersonit! Okupuesit kanë lëshuar një rrenë tjetër se Presidenti Volodymyr Zelensky është larguar nga Ukraina. KJO NUK ËSHTË E VËRTETË!. Presidenti është në Kyiv. Është me popullin e tij”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Parlamenti ukrainas.

Në njoftim kërkohet që të shpërndahet sa më shumë që është e mundur informata te banorët e rajonit të Khersonit, i cili ka rënë në duar të rusëve dhe thuhet se banorëve të atij rajoni u është thënë se Zelensky e ka lënë vendin.

Ushtria ruse po vazhdon të kontrollojë ndërtesat e qeverisjes lokale dhe rajonale në portin e Khersonit, kanë thënë autoritetet ukrainase, të cilat i ka cituar the Guardian.

Forcat ruse duket se po tentojnë t’i shkëpusin lidhjet e Ukrainën nga deti nëpërmjet porteve të saj kryesore jugore, duke zaptuar Khersonin.

Pasojat e sulmeve ruse, qyteti ukrainas urgjentisht kërkon ndihmë

Qyteti ukrainas, Mariupol, i cili në zonën juglindore është përballur me bombardime intensive gjatë ditëve të fundit. Forcat ruse po përpiqen ta marrin nën kontroll këtë qytet.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Vadym Boychenko, tani ka bërë një thirrje urgjente për ndihmë ushtarake.

Sipas The Guardian, Mariupol tani është pa ujë, ngrohje apo energji elektrike dhe ushqimi po mbaron, ka thën ai.

Qyteti është i një rëndësie strategjike për Rusinë, pasi ajo do të shpresojë të lidhë rajonet lindore të kontrolluara nga separatistët, Luhansk dhe Donetsk me Krimenë e aneksuar në jug.

Sulmi rus afër centralit nuklear, Ukraina jep një lajm të mirë 

NEXTA TV po raporton se shkalla e rrezatimit nga territori në afërsi të centralit bërthamor në Zaporizhzhya të Ukrainës ka mbetur i pandryshuar dhe s’paraqet kurrfarë kërcënimi.

Kështu ka thënë një zyrtar i shtetit të Ukrainës në kuadër të Administratës së Ukrainës.

Ky raportim nga NEXTA TV vjen pasi Rusia sot në orët e hershme të mëngjesit ka bombarduar në afërsi të centralit bërthamor në rajonin e Zaporizhzhya.

Se s’ka ndonjë rrjedhje radioaktive nga centrali në këtë rajon e kanë thënë edhe amerikanë.

Parlamenti i Lituanisë mbështet zbatimin e qiellit të mbyllur në Ukrainë

Parlamenti i Lituanisë e ka mbështetur zbatimin e qiellit të mbyllur në Ukrainë, pas luftës që ka nisur Rusia në këtë shtet.

Lajmi është bërë i ditur nga “Kyiv Post”.

“Parlamenti i Lituanisë mbështeti zbatimin e qiellit të mbyllur në #Ukrainë”, thuhet në njoftim.

Lituania është pjesë e NATO’s.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të NATO-s u dakorduan sot që të mos aplikojnë zonën e ndalim-fluturimit mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, ka deklaruar Sekretari Jens Stoltenberg.

Politikania ruse tregon çfarë po i ndodh ushtrisë së Putinit në Ukrainë

Politikania ruse, Lyudmila Narusova, ka pranuar se Rusia është duke u përballur me humbje të mëdha sa i përket forcave ushtarake në luftën në Ukrainë.

Siç raporton NEXTA TV, ajo ka treguar se si një grup prej 100 rekrutësh që ishin dërguar për të luftuar në Ukrainë, gjallë janë kthyer vetëm katër prej tyre.

“Dje rekrutët, që u detyruan të nënshkruajnë një kontratë apo nënshkroi dikush për ta, u tërhoqën nga zona e luftës në Ukrainë.

Por nga një grup prej njëqind burrash mbetën gjallë vetëm katër”, ka thënë Narusova.

***

Disa shpërthime janë dëgjuar radhazi në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, ka bërë të ditur Reuters një dëshmitar okular.

Po ashtu janë dëgjuar edhe sirenat e sulmit ajror.

Forcat ruse janë të përqendruara në rrethimin e Kievit, ka thënë në një deklaratë të premten Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Në deklaratë thuhet se trupat ruse janë “bllokuar dhe ndaluar në zonën e Makarov”, e cila është rreth 60 km larg kryeqytetit ukrainas.

Dita e tetë e luftës në Ukrainë me incidente të mëdha, ngjarjet kryesore

Dita e tetë e luftës në Ukrainë është shënuar me incidente të mëdha.

Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve dhe reagimeve kryesore në orët e fundit.

Forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua.

Sipas autoriteteve ukrainase, disa persona janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e sulmit te centrali bërthamor.

Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja

Forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera.

Ukraina thotë se po ndalon avancimin rus në portin Mykolayiv të Detit të Zi.

Kremlini ka bërë thirrje për unitet kombëtar rus. "Tani nuk është koha për t'u përçarë, tani është koha që të gjithë të bashkohen… dhe natyrisht të bashkohemi rreth presidentit tonë," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Të paktën 331 civilë janë konfirmuar të vrarë dhe 675 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, por numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale.

Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e "informacionit të rremë". Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit "të rremë" në lidhje me forcat e armatosura.

Ukraina planifikon bisedime me Rusinë këtë fundjavë

Ukraina planifikon të mbajë një rund të tretë bisedimesh këtë fundjavë me zyrtarët rusë në përpjekje për t'i dhënë fund luftimeve të shkaktuara nga sulmet e i Moskës, tha të premten një nga negociatorët e Kievit.

"Takimi i tretë mund të zhvillohet nesër ose pasnesër, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm," tha këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, në ditën e tetë të luftës.

Dita e tetë e luftës në Ukrainë është shënuar me incidente të mëdha.

Disa persona janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer pas sulmeve ruse në një central bërthamor ukrainas, ka thënë Ministria e Jashtme e Ukrainës.

331 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse në Ukrainë

Lexo edhe: Të vrarë e të plagosur nga sulmi në centralin bërthamor të Ukrainës, reagojnë liderët botërorë

Zyra për të Drejtat e Njerëzve pranë Kombeve të Bashkuara, ka thënë se 331 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse në Ukrainë.

Sipas kësaj zyre, kanë mbetur të plagosur edhe 675 civilë.

Sulmet ruse në Ukrainë kanë hyrë të premten në ditën e nëntë. Rusia së fundmi ka sulmuar termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia.

Ky sulm është quajtur krim lufte nga SHBA-ja, derisa edhe shtetet e tjera e kanë quajtur një lëvizje të tillë shumë të rrezikshme, duke kërkuar nga Rusia që t’i ndalë sulmet ndaj termocentraleve bërthamore.

Image
Pamje nga Ukraina
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat