Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka biseduar me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën dhe e përditësoi atë për bisedën e tij të mëparshme me presidentin rus Vladimir Putin.
“Kam folur me presidentin Putin dhe më pas me presidentin Zelensky. Ne po përpiqemi të ruajmë integritetin e centraleve bërthamore civile të Ukrainës, përveç kërkesave të tjera prioritare që i kemi paraqitur Rusisë: një armëpushim dhe mbrojtjen e civilëve”, shkruan Macron në Twitter.
Macron kishte shprehur "shqetësimin e tij të madh" për sigurinë bërthamore gjatë një telefonate me Putin më herët të dielën.
Në telefonatën e tij me Zelensky, Macron kishte "përsëritur domosdoshmërinë absolute për të shmangur çdo sulm ndaj integritetit të objekteve bërthamore civile të Ukrainës".
Sipas Pallatit Elysee, u diskutua edhe për situatën humanitare dhe Macron i kishte thënë Zelensky-t se do t'i kushtojë "vëmendje të madhe nevojave të Ukrainës dhe Franca do të vazhdojë të rrisë mbështetjen e saj në këtë fushë".