Autoritetet në Ukrainë thanë se as sot nuk ishin në gjendje të evakuonin civilët nga qyteti jugor i Mariupolit.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk e përshkroi situatën në terren si "katastrofike", shkruan Sky News, përcjell "Bota sot".
Njerëzit prej disa ditësh kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike dhe armëpushimet e përkohshme të premtuara nga rusët janë “shkelur”.
Ky ishte rasti sot, kur një rrugë evakuimi për në Zaporizhia u bë e pamundur për shkak të granatimeve të vazhdueshme ruse në rajon.
“Armiku ka nisur një sulm pikërisht në drejtim të korridorit humanitar”, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës, duke shtuar se trupat ruse “nuk i lanë fëmijët, gratë dhe të moshuarit të largoheshin nga qyteti”.
Mariupol është përballur me bombardime të rënda që nga fillimi i luftës me Rusinë 13 ditë më parë dhe po përballet me mungesë ushqimi, ujë dhe energji elektrike.