HELSINKI, 9.3.2022 (Lili Verdha) - Duke cituar drejtues të Agjencisë Shtetërore Finlandeze të Transportit dhe Komunikacioneve TRAFICOM, Mediat njoftojnë se që prej disa ditësh pilotët e avionëve po raportojnë për interferenca GPS (ndërhyrje të Sistemit Global të Vendndodhjes) përgjatë Finlandës Lindore , si rezultat i të cilave aparaturat treguese të korridoreve ajrore tronditen deri n'atë pikë sa që japin drejtime të gabuara fluturimi.
Pyetjes së djeshme të Televizionit Shtetëror YLE/TV për këtë dukuri, Drejtori i Korridoreve të Fluturimit Civil , Jari Pëntinen (Pöntinen), iu përgjigj se "numri i saktë i këtyre anomalive ... mund të jetë në mbi 10 raste"! Ndërsa mbrëmë, në intervistën dhënë Kanalit televiziv MTV, Pëntinen tregoi se të Hënën (7.3.) avioni i linjës Savonlinna-Tallin u detyrua të kthehej mbrapsh n'aeroportin e nisjes , duke mënjanuar kështu aksidentet e mundëshme me rrezik jete për pasagjerët. Aktualisht, që prej së Dielës (6.3.) Aeroporti i Savonlinnës është mbyllur për një afat të pacaktuar.
TRAFICOM thekson se fatmirësisht derimëtani nuk ka pasur asnjë aksident. Sidoqoftë, raste të tilla ndërhyrjesh elektronike gjatë fluturimeve në hapsirën e brendëshme ajrore të Finlandës, kanë rritur shqetësimin e autoriteteve vendase .
Ndërhyrje elektronike me pasoja në sigurinë e banorëve u vunë re edhe dje (8.3.), kur nuk mundën të kryheshin provat e sistemit t'alarmit nëpër qytete të ndryshme të Finlandës, të paralajmëruara nga autoritetet finlandeze që para disa ditësh.--
