Një vit pas grushtetit në Mianmar, Parlamenti Evropian (PE) përgatiti një rezolutë për vendet të cilat dënonin ndryshimin e dhunshëm të qeverisë, shkeljet e të drejtave të njeriut, arrestimet politike dhe mbytjen e demokracisë.
Rezoluta e PE-së, e cila do të diskutohet nesër nga eurodeputetët, propozon dhënien e një “goditje” të rëndë kundër Serbisë, e cila, siç thuhet në dokument, së bashku me Rusinë dhe Kinën eksporton armë në vendet aziatike.
Në projekt-rezolutën, e cila u sigurua nga portali Nova.rs, thuhet se Parlamenti Evropian në shumë raste ka shprehur shqetësim për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet sistematike dhe të përhapura ndaj popullatës rohingia në Mianmar.
Përveç kësaj, PE-ja kritikon faktin se shumica e figurave ushtarake, të cilat mbikëqyrën sulmet, mbetën në pozitat e tyre përkundër faktit që qeveria në Mianmar refuzoi të bashkëpunonte me mekanizmat e OKB-së.
Përmbajtja e Rezolutës dënon Kinën dhe Rusinë por veçanërisht Serbinë për eksportimin e raketave dhe artilerisë në Mianmar.
“PE dënon fuqishëm furnizimin me armë dhe pajisje ushtarake për Tatmadau (ushtria e Mianmarit) nga Kina, Rusia dhe Serbia. “Theksojmë se vendet si Kina, Rusia dhe Serbia, të cilat furnizojnë me armë juntën e Mianmarit, janë drejtpërdrejt përgjegjës për krimet e kryera me këto armë”, thuhet në Rezolutë.
Në dokument thuhet se Parlamenti Evropian shpreh keqardhjen që Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e diskutoi projekt-rezolutën për Mianmarin dhe u bënë thirrje vendeve anëtare të rrisin presionin ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mënyrë që të arrihet uniteti në miratimin e sanksioneve ndaj Mianmarit.
Kjo, siç thuhet në Rezolutë, do të nënkuptonte pezullimin e çdo dërgese, shitjeje ose transferimi të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera ushtarake e të sigurisë.
Më 1 shkurt 2021, Ushtria e Mianmarit organizoi një grusht shteti dhe arrestoi udhëheqësen e atëhershme Aung San Suu Kyi. Ajo akuzohet për korrupsion, rebelim dhe mashtrim zgjedhor dhe së fundmi është dënuar me katër vjet burg.