Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova ka bërë thirrje për një “model të ri” të përpjekjeve hetimore për të trajtuar krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë.
Duke folur në një konferencë shtypi të mërkurën, Venediktova falënderoi 39 vende që thuhet se iu bashkuan apelit të Ukrainës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Rusisë, raporton CNN
Venediktova bëri thirrje gjithashtu që të krijohet një gjykatë speciale për krizën “e paprecedentë” në Ukrainë.
“E Drejta Ndërkombëtare Humanitare, e Drejta Ndërkombëtare Publike, të gjitha institucionet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore si parandaluese, nuk janë mjaft të afta. Prandaj, ne kemi nevojë për modele të reja, mekanizma të rinj. Ne po kërkojmë nga partnerët tanë modele të përbashkëta investigative, sepse ato që kemi fatkeqësisht nuk funksionojnë”, tha ajo.
Venediktova njoftoi se zyra e saj kishte nisur tashmë hetimet penale për “shkeljen e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e Ukrainës dhe zhvillimin e një lufte agresive” dhe lëshoi paralajmërime për 40 individë që janë pjesë e elitës politike të Rusisë.
Prokurorja e përgjithshme tha se zyra e saj gjithashtu “ndërmori veprime kundër atyre që nxitën luftën dhe provokuan mizori të mëtejshme në territorin ukrainas”.
Një paralajmërim thuhet se iu dha një numri njerëzish që ajo i quajti “propagandistë” rusë, duke përfshirë disa të famshëm rusë që Venediktova i përshkroi si mbështetës të Putinit.
Venediktova zbuloi gjithashtu një portal të ri qeveritar ku publiku mund të raportojë krimet e luftës që ata dëshmojnë në Ukrainë: warcrimes.gov.ua.