Përfundon takimi Lavrov – Kuleba, çfarë u arrit

Evropë

Përfundon takimi Lavrov – Kuleba, çfarë u arrit

Më: 10 mars 2022 Në ora: 09:59
Pamje nga takimi

E plotësuar (12:13) - Këto janë deklaratat e Kulebas dhe Lavrovit pas takimit në Turqi

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Ukraina është e gatshme të kërkojë zgjidhje të balancuara diplomatike, por se vendi nuk do të dorëzohet.

Ai tha se përshtypja e tij është se Rusia nuk është aktualisht në një pozicion për të vendosur armëpushim dhe se nuk ka diskutuar për furnizimet ushtarake për Ukrainën me ministrin e Jashtëm rus, raporton The Guardian.

Kuleba tha se Ukraina është e gatshme për diplomaci, por se janë gjithashtu të gatshëm ta mbrojnë veten.

“Ukraina nuk mund ta ndalë luftën nëse vendi që filloi agresionin nuk ka dëshirë ta bëjë këtë”, tha Kuleba.

Ai tha se shpreson se Rusia do të lejojë funksionimin e korridorit humanitar në Mariupol, qytetin të cilin tha se e kanë prioritet. Ai gjithashtu shpreson se mund të arrihen një armëpushim 24 orësh.

"Rusia nuk është në një pozicion në këtë pikë për të vendosur një armëpushim. Ata kërkojnë një dorëzim nga Ukraina. Kjo nuk është ajo që ata do të marrin. Ukraina është e fortë, Ukraina po lufton."

Kuleba tha se është i gatshëm ta vazhdojë angazhimin për ta ndalur luftën.

“Bisedimet ishin të lehta dhe të vështira. Rusia nuk u tërhoq nga pozicionet e saj. Situata momentalisht është shumë e vështirë në Mariupol i cili është duke u bombarduar nga forcat ruse. Kërkova nga ministri Lavrov krijimin e korridoreve humanitare në Mariupol për largimin e civilëve. Lavrov hezitoi pasi nuk ishte në gjendje të përgjigjej për këtë gjë pa marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse. Biseduam dhe për një armëpushim 24 orësh për të adresuar problemet humanitare, nuk arritëm progres. Jam i gatshëm të takohem sërish në këtë format”, tha ai.

Rusia nuk e ka ndërmend të ndalet/ Ministri rus hedh akuza të rënda ndaj Ukrainës

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka folur në një konferencë për shtyp në lidhje me takimin me homologun rus.

Ai deklaroi se diskutoi çështje humanitare me homologun e tij ukrainas, duke përfshirë atë që trupat po bëjnë për të mbrojtur civilët.

Lavrov akuzoi gjithashtu "nacionalistët" ukrainas për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Ministri tha gjithashtu se korridoret humanitare në Ukrainë janë diskutuar, duke shtuar se ato rrugë janë duke u përcaktuar nga ekipet e secilit vend, shkruan Sky News, përcjell “Bota sot”.

Furnizimi me ushqime dhe stabiliteti i çmimeve në Evropë ishte gjithashtu në axhendë, u tha ai gazetarëve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga BBC nëse një armëpushim do të ishte i mundur, Lavrov tha se "operacioni special ushtarak" do të vazhdojë dhe se Vladimir Putin thotë se strategjia e tij do të planifikohet.

Lavrov tha gjithashtu se duke i ofruar ndihmë mbrojtëse Ukrainës, Perëndimi "po sillet në mënyrë të rrezikshme".

"Ne nuk e sulmuam Ukrainën," shpjegoi ai, duke pretenduar se Rusia po kërcënohej dhe duhej të mbronte rajonet e Donetsk dhe Luhansk, të cilat Rusia i sheh si të pavarura nga Ukraina.

Në një pyetje në lidhje me bombardimin e një spitali në Mariupol nga CNBC, zoti Lavrov tha se media nuk kishte dhënë një histori të ekuilibruar për atë që kishte ndodhur dhe se ndërtesa ishte bosh nga pacientë dhe nën kontrollin e "radikalëve" ukrainas.

***

Takimi mes ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas, Sergei Lavrov dhe Dmytro Kuleba në Turqi ka përfunduar me pak progres që duket se është bërë.

Në një konferencë shtypi më pas, Reuters raporton se Kuleba tha se nuk është bërë përparim në një marrëveshje për armëpushim dhe se Lavrov nuk u angazhua për një korridor humanitar në Mariupol, ku tha se situata është më e vështira.

Ai tha se mbajtja e takimit nuk ishte e lehtë, por se është gati të takohet sërish duke përdorur të njëjtin format.

Lavrov dhe Kuleba, përballë në Antalia/ Shpresë për paqe, çfarë ndodhi pak para takimit

Ka marrë një vëmendje të madhe takimi mes ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalia ku pritet që të paktën të ketë hapa konkretë drejt arritjes së paqes pas dy javëve luftë.

Takimi është zhvilluar nën koordinimin e diplomacisë turke, e cila ka raporte të mira me Ukrainën dhe Rusinë. Pak minuta para uljes përballë të Lavrovit dhe Kuleban, ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu zhvilloi një takim veçmas kokë më kokë me secilin prej tyre, të cilët zgjatën pak minuta.

Mediat turke kanë publikuar pamje nga pritja që Çavusoglu i bëri dy ministrave të Jashtëm në hyrje të hotelit Regnum Carya në Belek, ku në vitin 2015 u zhvillua takimi i rendësishëm Obama-Putin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi pak më parë për një takim mes Putinit dhe Zelensky-t pas takimit të ministrave të Jashtëm gjatë ditës së sotme. Data dhe vendi nuk janë vendosur ende, ndërkohë që Rusia ka tre kushte themelore ndaj Ukrainës, të cilat janë: Njohja e Luhanskut dhe Donjeckut si republika të pavarura; Ndryshimi i Kushtetutës duke garantuar mos bërjen pjesë të asnjë aleance perëndimore si edhe njohja e Krimesë nga Ukraina si pjesë të Rusisë.

Mure çeliku dhe xhama të blinduar, delegacioni rus merr masa ekstreme sigurie në Turqi

Ka nisur tashmë takimi i nivelit të lartë mes ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalia të Turqisë. Siç duket edhe nga fotot, dy delegacionet janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndërsa në mes është shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu.

Takimi do të zgjasë një orë e gjysmë dhe në fund të tij pritet që delegacionet të dalin në një deklaratë për shtyp veçmas. Siç raportojnë mediat turke, dy delegacionet nuk do të kenë kontakt tjetër përveç takimit që do të zgjasë një orë e gjysmë, ndërsa rusët mësohet se janë vendosur në një hotel të sigurisë së lartë, me xhama të blinduar dhe mure të rrethuar nga fletë çeliku të trasha, përcjell abcnews.al.

Ndërkohë, ukrasinasit po qendrojnë në një hotel tjetër me pesë yje, por me elementë sigurie më të ulët.

Takimi është duke u kryer në hotelin Regnum Carya në Belek, i cili është rrethuar nga bllokues valësh dhe qindra policë dhe agjentë të shërbimeve sekrete turke, ruse dhe ukrainase. Krahas bllokuesve të valëve të celularit janë vendosur edhe bllokues valësh për dronët në mënyrë që të mos lejohet asgjë të fluturojë për aq kohë sa liderët janë aty.

Në këtë hotel janë takuar në vitin 2015 edhe Barak Obama me Vladimir Putinin.

Turqia ka marrëdhënie të mira me Ukrainën pasi mes shteteve ka disa marrëveshje për shitje armësh dhe prodhim të përbashkët të dronëve “TB2”, ndërkohë që në një nivel të ngjashëm janë edhe raportet me Rusinë.

Turqia ka blerë sistemet anti-ajrore S-400 duke nxitur zemërimin e amerikanëve, ndërkohë që Rusia po ashtu akuzohet se ka vrarë dhjetra ushtarë turq përmes bombardimeve në Siri.

Dalin pamjet nga takimi Rusi – Ukrainë

Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas janë takuar për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndodhen në Antalia, Turqi

Ai u ndërmjetësua nga ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu.

Fotot e takimit shfaqnin të dy të ulur përballë njëri-tjetrit.

Ministri i Jashtëm ukrainas mbërrin në Antalia

Dmitro Kouleba, ministri i Jashtëm ukrainas ka mbërritur në Antalia, ku është pritur nga homologu i tij, Mevlut Çavusoglu.

Ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë do të kenë sot takimin e tyre të parë kokë më kokë në Turqi që nga shpërthimi i luftës më 24 shkurt.

Sergei Lavrov u nis dje nga Rusia për në Turqi për të marrë pjesë në një forum që mbahet në një resort turistik për të takuar Kulebën.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka rritur përpjekjet e ndërmjetësimit që nga shpërthimi i krizës, tha të mërkurën se Turqia “mund të bisedojë me Ukrainën dhe Rusinë”. “Ne po punojmë që kjo krizë të mos kthehet në tragjedi”, shtoi ai.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat