Vendimi i kobshëm i Ukrainës

Evropë

Vendimi i kobshëm i Ukrainës

Nga: Agim Galica Më: 11 mars 2022 Në ora: 17:53
Bill Clinton, John Major, Boris Yeltsin

Më 5 dhjetor 1994, në Budapest të Hungarisë nënshkruhet një marrrëveshje, që tani po del të ketë qenë vendim dhe nënshkrim i gabuar dhe i kobshëm për Ukrainën, si dhe me pasoja të papara globale, duke pasur parasysh nga njëra anë situatën tejet të rëndë në të cilën tani ky shtet është nga agresioni rus, dhe nga ana tjetër rrezikun potencial nga shpërthimi i Luftës së Tretë Botërore.

Ky dokument, i quajtur Memorandum mbi Zotim të Sigurisë, përmes të cilit Ukrainës i jepet zotimi me shkrim se i garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial në këmbim të dorëzimit dhe shkatërrimit të arsenalit të armëve të saja bërthamore të trashëguara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, është nënshkruar nga Bill Clinton në emër të SHBA, dhe John Major në emër të MB, si edhe nga Boris Yeltsin në emër të Federatës Ruse, dhe Leonard Kuchma në emër të Ukrainës.

Në atë kohë, kjo marrëveshje duket të jetë bërë me qëllime fisnike, së paku nga ana e Ukrainës, por që tani, për herë të dytë, në mënyrë të njëanshme po thehet nga ana e autokratit Putin, kurse dy palët tjera nënshkruese po bëjnë perpjekjet të matura për të siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht për të shmangur një konfrontim ushtarak të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Nga ky dokument, ligjërisht joobligues pasi që nuk ka karakter zyrtar, tani po del në pah edhe arsyeja kryesore përse mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës janë SHBA –ja dhe MB-ja, duke qenë se janë nënshkrues të dokumentit dhe garantues të marrëveshjes në fjalë.

Ja dhe përmbajtja e plotë e dokumentit të lartpërmendur, aq shumë të përfolur edhe në vitin 2014 kur u bë pushtimi dhe aneksimi i gadishullit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, kurse BE, e shtyrë nga interesat vitale të Gjermanisë, të cilat ishin ngusht të lidhura me Rusinë, nuk ishte  e pajtimit me SHBA-të për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Memorandum mbi Zotim të Sigurisë

Memorandum mbi Zotim të Sigurisë në lidhje me bashkangjitjen e Ukrainës Traktatit për Moszgjerim të Armëve Bërthamore

Budapest, 5 dhjetor 1994

Ukraina, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Duke mirëpritur bashkangjitjen e Ukrainës Traktatit mbi Moszgjerimin e Armëve Bërthamore në cilësi të një shteti pa armë bërthamore,

Duke marrë parasysh përkushtimin e Ukrainës për të hequr të gjitha armët bërthamore nga territori i saj brenda një periudhe të caktuar kohore,

Duke parë ndryshimet e sigurisë gjithëbotërore, përfshirë edhe përfundimin e Luftës së Ftohtë, të cilat kanë krijuar kushtet për një zvogëlim të madh të forcave bërthamore,

Vërtetojnë si në vijim:

Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ripërsërisin Ukrainës zotimin e tyre, në perputhje me parimet e Aktit Përfundimtar të CSCE (Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europe - tani OSBE, A.G.), për të respektuar pavarësinë e sovranitetin, si edhe kufijt ekzistues të Ukrainës.

Ukraina, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ripërsërisin detyrimin per tu përmbajtur nga kërcënimi apo përdorimi i forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të Ukrainës, dhe se asnjëra nga armët e saja nuk do të përdoren asnjëherë kundër Ukrainës, përveç për vetëmbrojtje apo për sulm në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ripërsërisin Ukrainës zotimin e tyre, në përputhje me parimet e Aktit Përfundimtar të CSCE, se do të përmbahen nga shtrëngimi ekonomik i paramenduar që për interesa të tyre të zhvlerësojnë të ushtruarit e të drejtave nga ana e Ukrainës, të pandashme nga sovraniteti i saj dhe, rrjedhimisht, për të siguruar përfitime të çfarëdo lloji.

Ukraina, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ripërsërisin zotimin e tyre se do të kërkojnë një veprim të menjëhershëm nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, si një shtet miratues i Traktatit të Moszgjerimit të Armëve Bërthamore, në rast se Ukraina do të bëhej viktimë e ndonjë agresioni apo objekt i ndonjë kërcënimi të agresionit, ku do të përdoreshin armët bërthamore.

Ukraina, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rastin e Ukrainës, ripërsërisin zotimin e tyre për mospërdorim të armëve bërthamore kundër cilitdo shtet miratues të Traktatit të Moszgjerimit të Armëve Bërthamore, me përjashtim të rastit të ndonjë sulmi ndaj vet atyre, territoreve të tyre apo territoreve të varura (nga to, A.G.), forcave të tyre të armatosura, apo të aleatëve të tyre, nga ana e një vendi të tillë e në bashkëpunim apo aleancë me një shtet që ka armë bërthamore.

Ukraina, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të këshillohen (mes veti A.G.), në rast se paraqitet ndonjë situatë e cila do të ngre ndonjë çështje në lidhje me këto zotime.

Memorandumi do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit.

I nënshkruar në gjuhën ukrainase, angleze, dhe ruse, në katër kopje me vlerë të barabartë.

Për Ukrainën: Leonid Kuchma (nëshkrimi)

Për Federatën Ruse: Boris Yeltsin (nënshkrimi)

Për Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore: John Major (nënshkrimi)

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Bill Clinton (nënshkrimi)

Budapest, 5 dhjetor 1994

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat