Rusia zgjeron sulmet ndaj Ukrainës - Gjermania dhe Franca, thirrje Putinit

Evropë

Rusia zgjeron sulmet ndaj Ukrainës - Gjermania dhe Franca, thirrje Putinit

Nga: Bota sot Më: 12 mars 2022 Në ora: 07:30
Pamje nga lufta në Ukrainë

(E plotësuar 16:22) -Befason me deklaratën Zelensky: Vetëm në këtë mënyrë Rusia mund ta marrë Kievin 

Në fjalimin e tij të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia mund ta marrë Kievin vetëm nëse e "rrafshon atë me tokë", shkruan Sky Neës, përcjell “Bota sot”.

Gjithashtu, Zelensky deklaroi se nuk sheh "konsensus të përbashkët"që Ukraina të pranohet në NATO, derisa shoti se aleancës i ka munguar "trima" në përgjigjen e saj ndaj pushtimit.

OKB thotë se 579 civilë janë vrarë që prej se ka nisur lufta në Ukrainë

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se të paktën 579 civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës më 24 shkurt, dhe mbi 1,000 të tjerë janë plagosur.

Sipas këtij institucioni, 42 prej viktimave ishin fëmijë, ndërkaq 54 të tjerë janë plagosur.

Një ditë më parë, OKB-ja tha se ka dokumentuar vdekjen e 564 civilëve dhe plagosjen e 982 të tjerëve.

Shumica e viktimave janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese “me një zonë të gjerë ndikimi”, siç janë granatimet me artileri të rëndë dhe sulmet me raketa.

Zyrtarët e OKB-së thanë se besojnë se numri real i viktimave të jetë shumë më i lartë.

 Ukraina: Afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë dhe 500 rusë janë dorëzuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë gjatë 17 ditëve të pushtimit rus.

Burimet perëndimore kanë thënë të premten se afër 6,000 trupoa ruse janë vrarë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Në një konferencë për media nga Kievi, Zelensky pretendoi se afër 500-600 trupa ruse janë dorëzuar ndaj forcave ukrainase të premten.

Macron dhe Scholz i bëjnë thirrje Rusisë për armëpushim të menjëhershëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

Dy liderët evropianë zhvilluan një bisedë telefonike 75-minutëshe me Putinin gjatë së shtunës.

“Biseda është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Scholzit, por shtoi se pjesëmarrësit janë pajtuar që të mos japin detaje lidhur me diskutimet që kanë pasur.

Zëdhënësi tha se kancelari Scholz po ashtu ka biseduar më herët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me situatën.

Ndërkaq, Kremlini tha se Putin ka dënuar, atë që e ka cilësuar si “shkelje flagrante” të ligjit humanitar ndërkombëtar nga forcat ukrainase, edhe pse në deklaratë nuk u saktësua se për çfarë shkelje ka folur Putini.

“Putin i informoi ata për situatën reale”, tha Kremlini. “Në veçanti për një mori faktesh të shkeljeve flagrante të normave të ligjit humanitar ndërkombëtar të forcave të sigurisë së Ukrainës”, u tha në deklaratën e Kremlinit.

Luftime të ashpra pranë Kievit dhe në qytete të tjera të Ukrainës

Luftimet e ashpra po zhvillohen të shtunën në veriperëndim të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, dhe në disa qytete të tjera, ndërsa trupat ruse janë grumbulluar 25 kilometra larg kryeqytetit.

Gjatë natës janë dëgjuar sirena që njoftonin banorët për sulme ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se ka shkatërruar një bazë ajrore ukrainase pranë qytetit të Vasilkivit. Një depo municioni aty pranë u tha gjithashtu se ishte shkatërruar.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se të shtunën forcat ruse bombarduan një xhami në Mariupol, ku ishin strehuar 80 persona. Disa prej atyre që ndodheshin në xhami mendohet se ishin nga Turqia.

Disa korridore humanitare janë planifikuar të hapen të shtunën, duke u siguruar banorëve një kalim të sigurt për t'i shpëtuar dhunës në Kiev, Sumi e rajone të tjera.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia e ka zgjeruar luftën e saj në Ukrainë duke vendosur nën shënjestër zonat në perëndim të vendit dhe duket se po rigrupon trupat pranë Kievit. Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po rrisin sanksionet ndaj Moskës.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti duke iu referuar informacioneve të zbulimit, konfirmoi se Rusia kishte nisur të godiste rajonat në perëndim të Ukrainës, sikurse aeroporte ushtarake që ndodhen në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk të premten. Që nga fillimi i sulmit forcat ruse kanë lëshuar më shumë se 800 raketa duke goditur objektiva të ndryshëm në Ukrainë.

"Unë e dua Odesën, nuk mund ta imagjinoj që të merret nën kontroll"

Valeriy Novak është një eksportues ukrainas i drithërave, i cili tani është bërë një punonjës i ndihmës humanitare.

Ai ka përshkruar situatën në qytetin port jugor të Odesës.

Ai i tha BBC-së se megjithëse qyteti është i qetë dhe jo nën kërcënim të menjëhershëm.

“Të gjithë njerëzit janë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur vendin dhe për të mbrojtur tokën tonë. Shpresojmë që do të jetë e qetë”.

Image
Valeriy Novak

Shumë gra dhe fëmijë janë larguar dhe kanë kaluar kufirin në Moldavinë e afërt, shton ai.

“Nuk do të doja të spekuloja se çfarë ndodh nëse Odesa bie”, përcjell Bota sot.

"Ndoshta po e mbaj veten pozitiv sepse kam lindur dhe jam rritur në Odesa dhe e dua shumë këtë qytet. Edhe në ëndrrat e mia më të çmendura nuk do ta imagjinoja kurrë që dikush mund të marrë nën kontroll këtë qytet të bukur."

Ndërkohë, ai është pjesë e një bamirësie të quajtur Odesa in Our Hearts e cila po shpërndan ushqime dhe sende të tjera për banorët në nevojë.

"Ka shumë të moshuar që kërkojnë ndihmë të përditshme dhe të gjithë në qytet që kanë aftësinë po përpiqen t'i ndihmojnë ata njerëz dhe të marrin atë që nevojitet," thotë Novak.

Rusia thotë se mund të shënjestrojë armët e Perëndimit në Ukrainë

Një zyrtar i lartë rus ka paralajmëruar më 12 mars se Moska mund të shënjestrojë pajisjet ushtarake që po dërgon Perëndimi në Ukrainë.

Duke folur për televizionin shtetëror, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë se Moska ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do t’i konsiderojë armët e Perëndimit në Ukrainë si shënjestra.

Ryabkov ka thënë se Rusia “ka paralajmëruar SHBA-në se dërgimi i armëve nga disa shtete, nuk përbën vetëm veprim të rrezikshëm, or edhe është veprim që i bën konvojet si shënjestra legjitime”.

Ai ka kritikuar sanksionet amerikane kundër Moskës - për shkak të pushtimit të paprovokuar në Ukrainë - si “tentim të pashembullt për të goditur sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse”.

Moska është përballur me sanksione të ndryshme ndërkombëtare për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Ryabkov ka thënë se Rusia nuk synon të dëbojë mediat dhe bizneset e Perëndimit, në kohën e rritjes së tensioneve, duke shtuar se “ne nuk do të përshkallëzojmë situatën”.

Abramovich pezullohet si udhëheqës i Chelsea-s

Liga angleze e futbollit ka diskualifikuar pronarin e klubit, Chelsea, Roman Abramovich nga pozita e udhëheqësit, pasi oligarku është sanksionuar nga Qeveria britanike, në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë.

Klubit i është dhënë licencë speciale për të vepruar, pavarësisht se Abramovichit i janë ngrirë asetet.

Liga angleze e futbollit ka thënë se diskualifikimi i Abramovichit nuk do të ndikojë “në aftësinë e klubit për t’u trajnuar dhe për të luajtur”.

Ukraina thotë se 79 fëmijë janë vrarë në luftë

Zyra e Kryeprokurorit të Ukrainës ka thënë se të paktën 79 fëmijë janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Zyra e Kryeprokurorit ka thënë në deklaratën e së shtunës që më së shumti viktima ka në Kiev, Harkiv, Donjeck, Sumi, Herson dhe Zhitomir.

Në deklaratë është thënë se shifrat nuk janë përfundimtare, sepse luftimet janë duke vazhduar.

Zyra e Prokurorit ka thënë që më shumë se 280 institucione edukative janë goditur dhe nëntë prej tyre janë shkatërruar plotësisht, duke ua pamundësuar shumë nxënësve qasjen në edukim.

Zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë!

Në Kiev është ora 15:00

Çfarë duhet të dini nëse na jeni bashkuar tani:

Forcat ruse i afrohen Kievit: Ka raportime për luftime intensive jashtë kryeqytetit të Ukrainës, të cilin Moska e konsideron shënjestër kyçe. Inteligjenca britanike ka thënë se forcat ruse janë 25 kilometra larg qendrës. Zyrtarët ukrainas frikësohen se rusët mund të jenë duke përgatitur sulm të shkallës së gjerë.

Qytetet kyçe janë rrethuar: Sirena dhe mjetet shpërthyese janë dëgjuar në disa qytete rreth Ukrainës. Harkivi, Mariupoli, Mikollaiv dhe Sumi janë duke u përballur me bombardime të vazhdueshme si dhe temperatura të ulëta, pa rrymë dhe me pak rezerva të ushqimit. Në Mariupol, një xhami, që ka strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, është bombarduar nga forcat ruse, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Zemërim për rrëmbimin e kryetarit: Qindra banorë kanë dalë në rrugët e qytetit, Melitopol, për të protestuar kundër rrëmbimit të kryetarit nga forcat ruse. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe ka akuzuar forcat ruse se po “kalojnë në një fazë tjetër të terrorit”

Bisedime të reja: Lideri i Francës dhe ai i Gjermanisë kanë zhvilluar një tjetër rund të bisedave telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin. Ata kanë qenë në kontakt me të edhe të enjten, kur Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Moska, në anën tjetër, ka hedhur poshtë këtë kërkesë.

Kriza me refugjatë: Konflikti ka nxitur 2.5 milionë ukrainas të largohen drejt shteteve fqinje. Polonia ka thënë se 1.6 milion persona kanë arritur në këtë shtet, derisa Moldavia ka thënë se arritur në pikë kritike të menaxhimit të situatës.

Liderët e Gjermanisë dhe Francës bisedë të re telefonike me Putinin

Liderët e Francës dhe Gjermanisë po zhvillojnë një raund tjetër bisedimesh telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ata ishin në kontakt më parë të enjten, kur presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz kërkuan një armëpushim të menjëhershëm nga Rusia.

Moska ka refuzuar thirrje të tilla.

Presidenti Macron gjatë gjithë krizës ka theksuar nevojën për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë dhe ka zhvilluar nëntë biseda telefonike me liderin e Kremlinit.

Dita e 17-të e rezistencës heroike, ukrainasit nxjerrin detajet e fundit për rajonet ku po përballen me armikun

Po vazhdon dita e shtatëmbëdhjetë e rezistencës heroike të popullit ukrainas ndaj pushtimit ushtarak rus.

Në një postim në Facebook, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka bërë një përmbledhje të situatës në terren, të cilën e sjellë të përkthyer "Bota sot":

Armiku vazhdon ofensivën kundër Ukrainës.

Pasi pësoi humbje në drejtimet Polissya, Siversky dhe Pivdennobuzhsky, ai u ndal në kufijtë e arritur më parë, rigrupoi trupat, rivendosi aftësinë luftarake të njësive të tij dhe plotësoi rezervat e tij.

Lajmi i plotë KETU

Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët

Dje ukrainasit ndaluan 3 tanke të Rusisë dhe një objekt artilerie vetëlëvizëse.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, pamjet janë në rajonin e Sumyt, ku armiku po vazhdon të humbë, përcjell Bota sot.

"Burrave të zakonshëm ukrainas nuk u intereson kush është kundër tyre, sepse ata janë në shtëpi. 

Pra, kundërshtari vazhdon të marrë humbjen.

Së bashku do të fitojmë!", thuhet në postimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në Facebook.

Pamje dramatike nga momenti kur kryetari i Melitopolit rrëmbehet nga rusët, ushtarët i kishin vendosur qese në kokë

Gjatë të premtes, është rrëmbyer kryetari i komunës së Melitopolit nga forcat ruse. Siç bëhet e ditur, ky rrëmbim ka ndodhur pasi Ivan Fedorov ka refuzuar që të bashkëpunojë me armikun, transmeton "Bota sot".

Pas kësaj ngjarje, ka reaguar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku e ka konfirmuar rrëmbimin e kryetarit të komunës së Melitopolit. Zelensky e ka quajtur rrëmbimin një “krim kundër demokracisë” dhe e ka cilësuar këtë veprim të Rusisë si “terrorizëm”.

“Rrëmbimi i kryetarit të Melitopolit është një krim. Është një krim kundër vetë demokracisë... Veprat e pushtuesve rusë do të konsiderohen si ato të terroristëve të Shtetit Islamik”, ka thënë Zelensky.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Zelensky jep detajet e fundit nga lufta në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbajtur fjalimin e tij të fundit televiziv.

Gjatë fjalimit, ai njoftoi se ushtria ruse ka pësuar humbjet e saj më të mëdha në dekadat e fundit.

Zelensky kërkoi lirimin e kryebashkiakut të Melitopolit, i cili thuhet se është rrëmbyer nga forcat ruse.

"Trupat ruse po pësojnë humbje të mëdha," thotë ai, shkruan Sky News, përcjell "Bota sot".

"Ne mund të flasim edhe tani për goditjen më të madhe ndaj trupave ruse në dhjetëra vitet e fundit."

Ai tha se 31 grupe taktike ruse ishin bërë të paaftë për të luftuar.

Udhëheqësi tha se Ukraina po ruante një armëpushim përgjatë rrugëve kryesore humanitare nga Mariupoli i rrethuar dhe i bëri thirrje Rusisë që të bëjë të njëjtën gjë.

Bjellorusia: Nuk do t’i bashkohemi Rusisë në luftën kundër Ukrainës

Në një deklaratë mbrëmjen e djeshme, Ukraina shprehu shqetësimin se Bjellorusia do ti bashkohej pushtimit rus brenda disa orësh, shkruan Skynews.

Madje, disa zyrtarë thanë se Rusia kishte kryer bastisje në territorin e Bjellorusisë nga hapësira ajrore ukrainase për të krijuar një pretekst që Minsku të dëgojë forcat ushtarake në kufi.

Megjithatë, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura bjelloruse, Viktor Gulevich, ka theksuar se vendi nuk ka plane t’i bashkohet pushtimit rus -por tha se po dërgonte pesë grupe batalionesh në kufirin e saj për të zëvendësuar forcat e vendosura tashmë atje.

“Dua të theksoj se dërgimi i trupave nuk ka të bëjë me asnjë përgatitje për pjesëmarrjen e ushtarëve bjellorusë në operacionin special ushtarak në territorin e Ukrainës”, përfundoi ai

Izraeli mohon se i ka kërkuar Ukrainës t’ua vë veshin kërkesave të Rusisë

Zyrtarët izraelitë kanë hedhur poshtë raportimet e mediave se Izraeli i ka kërkuar Ukrainës “të dorëzohet” ndaj kërkesave ruse gjatë negociatave.

Izraeli është përfshirë në përpjekjet për tentim të dhënies fund të luftës në Ukrainë.

Kryeministri i tij, Naftali Bennett ka udhëtuar në Moskë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin të shtunën e kaluar, dhe ka biseduar përmes telefonit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në disa raportime të mediave është sugjeruar se Bennett ka tentuar të shtyjë Ukrainën që t’ua vë veshin kushteve ruse për dhënie fund të luftës.

Mirëpo një zyrtar i lartë izraelit kanë thënë se raportimet janë “të rreme”.

“Bennett nuk i ka treguar kurrë Zelenskyt si të veprojë, dhe as nuk synon diçka të tillë”, ka thënë ky zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në fakt, “Izraeli është duke sugjeruar se Rusia duhet t’i vlerësojë ngjarjet në mënyrë në adekute”, ka thënë këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhaylo Podolyak, përmes një postimi në Twitter.

Vazhdojnë sulmet, pavarësisht planeve për evakuim

Guvernatorët e Kievit dhe Donjeckut kanë thënë se sulmet ruse po vazhdojnë në rajonet ku ishte planifikuar evakuimi i civilëve, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Për të shtunën, 12 mars, është planifikuar hapja e korridoreve humanitare dhe largimi i banorëve nga zonat e sulmit, përfshirë Mariupolin që gjendet në rajonin Donjeck.

“Ngarkesa humanitare është duke lëvizur drejt Mariupolit, ne do të informojmë për zhvillimet. Situata është e komplikuar, ka bombardime të vazhdueshme”, ka thënë guvernatori i Donjecut, Pavlo Kyrylenko sipas mediave lokale.

“Situata është jashtëzakonisht e vështirë”.

Shqetësuse: Civilët në Chernihiv po vdesin, s’ka ujë, gaz e as ngrohje

Sulmet raketore ruse kanë shkaktuar dëme në veri dhe në jug të qytetit Chernihiv.

Kështu ka bërë të ditur kreu i administratës së rajonit Chernihiv, Vyacheslav Chaus, i cili tha se një hotel, 100 kilometra në veri të Kievit, që shpërbente si pikë referimi në qytet, është bombarduar gjatë natës.

Ai, tutje tha se ka civilë ukrainas që po vazhdojnë të vdesin e shumë njerëz po plagosen.

“Armiku po vazhdon të lëshojë sulme ajrore në qytetin e Chernihiv. Civilët po vdesin, shumë njerëz po plagosen. Ata po granatojnë infrstrukturën civile, ku nuk ka ushtri”, ka thënë ai, shkruan CNN.

Më tej, Chaus shtoi se qyteti s’ka energji elektrike, ujë, gaz e as ngrohje, teksa tha se gjatë të premtes përpjekjet për të rivendosur energjinë elektrike kishin sukses, rusët sulmuan përsëri rrjetin elektrik.

A po përgatitet Putin të shkatërrojë Kievin?

Putin është qartësisht i paduruar. Dhe nuk ka dyshim për këtë, Rusia po kalon në një fazë të re të këtij konflikti, shkruan BBC

Ata kanë grumbulluar artilerinë e tyre, raketat, dronët, raketat afër qyteteve të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin, Kievin.

Ndoshta treguesi më i mirë se si Rusia do të zhvillojë betejat përfundimtare  është të kujtoni luftën në Grozny, në Çeçeni dhe në Aleppo, në Siri – luftime në çdo rrugë por absolutisht duke shkatërruar të gjitha qytetet.

A do ta bëjë Putin diçka të tillë me Kievin? Është e vështirë ta dimë tani

Kiev është historik, ishte kryeqyteti i Perandorisë Kyivan Rus, shumë kohë përpara se Moska të ekzistonte. Dhe nëse ai shkatërron Kievin, historia do të zhduket. Por unë mendoj se Putini nuk do të ndalet para asgjëje për ta nënshtruar Ukrainën ndaj vullnetit të tij.

Ai do të preferonte të  shihte një Ukrainë të shkatërruar  sesa Ukraina t’i bashkohej Perëndimit dhe Europës, duke u bashkuar me BE-në dhe NATO-n.

Rusia kërcënon me sulm autokolonat e shteteve që ndihmojnë me armë Ukrainën

Rusia kërcënon se do të shënjestrojë autokolonat e huaja të ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov tha se Moska kishte paralajmëruar SHBA-në se autokolonat e armëve të huaja do të ishin “objektiva legjitime për Forcat e Armatosura Ruse”, siç citohet nga media ruse RIA Novosti, transmeton "Bota sot".

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg kishte thënë më herët se një sulm rus në linjat e furnizimit të vendeve aleate që mbështesin Ukrainën do të ishte “një përshkallëzim i rrezikshëm i luftës".

Vetëm pak më paërë, Ryabkov deklaroi se “Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet për kontrollin e armëve me Shtetet e Bashkuara”.

Zhvillimet e orëve të fundit rreth luftës në Ukrainë:

Një aeroport ushtarak në jug të Kievit është goditur me raketa, teksa raportimet sugjerojnë se forcat ruse janë vetëm 25 kilometra larg qendrës së kryeqytetit ukrainas

Sirenat janë dëgjuar përgjatë natës në shumë qytete rreth Ukrainës – nga Lviv në perëndim deri te Sumi në verilindje

Një xhami është bombarduar nga forcat ruse në qytetin Mariupol, ku kanë qenë duke u strehuar 80 civilë, kanë thënë zyrtarët ukrainas

Banorët e Mariupolit besohet se janë duke jetuar në temperatura të ulëta. Ata janë pa rrymë, me pak ushqim dhe ujë

Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka refuzuar gati të gjitha ofertat për të krijuar korridore humanitare në qytetet ku ka sulme

Presidenti amerikan, Joe Biden ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen drejtpërdrejt kundër Rusisë në luftën në Ukrainë

Rusia ka bërë pretendime – pa të dhëna – për aktivitete me armë biologjike amerikane në Ukrainë, në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Ukraina sugjeron se Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit rus në orët në vijim.

Raketat godasin një aeroport ushtarak në jug të Kievit

Një aeroport ushtarak ukrainas në jug të Kievit, është goditur nga raketat ruse.

Kryetari i qytetit Vasilkiv ka thënë sulmi ka shkatërruar pistën dhe një depo të naftës, si dhe ka shkaktuar shpërthim të municionit.

Në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale është parë duke dalë tym i zi nga zona e sulmit.

Në pjesën tjetër të Ukrainës, qyteti Çernihiv është përballur me bombardime intensive.

Në të nuk ka furnizime të ujit dhe në disa zona as rrymë.

Qyteti Mikollaiv, i cili gjendet në mes të qytetit të pushtuar Herson dhe qytetit të tretë më të madh ukrainas, Odesa, është përballur po ashtu me bombardime.

Një spital për trajtim të kancerit është goditur, ndonëse sipas raportimeve fillestare nuk ka të plagosur seriozisht.

NEXTA TV: Ukraina e ka kërkuar nga Perëndimi edhe këtë armë

Televizioni NEXTA Tv po raporton se Ukraina ua ka bërë një kërkesë shteteve perëndimore që t’ia japin sistemin anti-raketor S-300.

Siç raporton ky televizion, negociatat për një mundësinë e pajisjes së Ukrainës më një armë të tillë janë duke vazhduar.

“Ukraina ka kërkuar sistemin anti-raketor S-300 nga vendet perëndimore. Ka negociata lidhur me mundësinë e marrjes së tyre”, shkruan NEXTA TV.

Lufta në Ukrainë/ Rusia e gatshme për bisedime - vjen me një propozim për Amerikën

"Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet për kontrollin e armëve me Shtetet e Bashkuara", tha zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov.

Agjencia e lajmeve RIA citoi zotin Ryabkov të thoshte se Moska dhe Uashingtoni mbeten në kontakt të vazhdueshëm, por se Kremlini nuk sheh shenja se Uashingtoni është gati të vazhdojë një dialog për Ukrainën, raporton Sky News, përcjell “Bota sot”.

Megjithatë, ai shtoi se propozimet për garancitë e sigurisë që Rusia i kishte dërguar SHBA-së dhe NATO-s përpara se forcat ruse të hynin në Ukrainë muajin e kaluar nuk ishin më të vlefshme pasi situata tani kishte ndryshuar plotësisht.

Këto deklarata sapo janë bërë, kështu që SHBA-ja ende nuk është përgjigjur, megjithëse në mënyrë të pashmangshme do të ketë pyetje nëse oferta e bisedimeve për kontrollin e armëve mund të merret me vlerë – apo se janë thjesht përpjekjet e fundit të Kremlinit për të kontrolluar narrativën. rreth pushtimit me deklarata mashtruese dhe të pasinqerta.

Harta/ Beteja për pushtimin e Kievit, cilat zona kontrollohen nga forcat ruse

Edhe pse Rusia nuk ka pushtuar qytetet e mëdha, forcat ruse kanë marrë në kontroll qytetet e vogla dhe kanë rrethuar rajonet më të mëdha. Përparimet e forcave ruse kanë qenë shpesh të mundimshme dhe të kushtueshme. Në disa zona, forcat ukrainase kanë zmbrapsur forcat pushtuese dhe kanë ndërprerë  linjat e furnizimit.

Ukrainasit kanë arritur të mbajnë forcat ruse jashtë qyteteve të mëdha, edhe pse Rusia ka bombarduar zonat civile me sulme ajrore shkatërruese. Por edhe përparimi i ngadaltë i forcave ruse ka ushtruar presion të madh mbi civilët ukrainas, disa prej të cilëve nuk kanë energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

“Ne jemi të rrethuar,” tha Vladyslav Atroshenko, kryebashkiaku i Chernihiv, në një mesazh të postuar në mediat sociale të mërkurën.

Jashtë Kievit, forcat ruse morën në kontroll qytetin e  Bucha disa ditë më parë dhe u zhvendosën në jugperëndim në një përpjekje për të rrethuar kryeqytetin. Forcat ruse po i afroheshin gjithashtu Kievit nga lindja, me luftime të ashpra që përfshinin një autokolonë tankesh në periferi të Brovary, sipas videove të postuara të enjten.

Image
Harta

Forcat ruse vazhdojnë të kenë epërsinë në jug. Ata vazhduan ofensivën e tyre në Mykolaiv ndërsa ata po përpiqeshin për të rrethuar qytetin nga lindja. Disa trupa ndodhen në Oleksandrivka, jo shumë larg termocentralit bërthamor të Ukrainës Jugore, i dyti më i madhi i vendit. Të tjerë ndodhen në veri dhe verilindje të Mykolaiv në drejtim të Kryvyi Rih, megjithëse nuk është raportuar asnjë ofensivë e qëndrueshme.

Mariupol, një qytet port jugor, mbetet i rrethuar dhe nën bombardime të vazhdueshme. Forcat separatiste të mbështetura nga Rusia nga Donbasi kanë pohuar gjithashtu se kontrollojnë autostradën nga Volnovakha në Mariupol.

Rusët duket se po grumbullojnë forca të tjera në veri të Krimesë për një ofensivë në Zaporizhzhia. Në lindje, përveç përpjekjes për të rrethuar qytetin e Kharkiv, forcat ruse po  përparojnë në jug, me shumë gjasa në një përpjekje për tu bashkuar me forcat në zonat e kontrolluara nga Rusia në Donbas që po lëvizin drejt perëndimit.

Image
Harta

Falë një ofensivë të tillë, forcat ruse mund të marrin  në kontroll rajonin verilindor të Ukrainës. Trupat ruse kanë sulmuar Izium dhe qytetet përreth. Civilët u evakuuan nga Izium, i cili ishte një nga korridoret humanitare e  hapura gjatë luftimeve.

Disa qytete të tjera midis Kharkiv dhe Izium kanë qenë gjithashtu në sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse. Në Slobozhanske, zyrtarët ukrainas raportuan se ishte sulmuar një tjetër ndërtesë civile, duke shkaktuar të paktën 4 viktima.

Image
Harta

Ministria ukrainase: Rusia bombardon një xhami që​ strehonte 80 persona

Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku janë strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase.

Ministria ka thënë se xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në Mariupol është bombarduar nga “pushtuesit” rusë.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se nuk po lejon daljen e qytetarëve nga Mariupoli, dhe për pasojë qindra mijëra persona kanë mbetur të bllokuar.

Rusia fajëson Ukrainën se ka dështuar në përpjekjet për evakuim.

Ende nuk ka informacion nëse është vrarë apo plagosur dikush brenda xhamisë.

Moska, në anën tjetër, hedh poshtë vazhdimisht raportimet për shenjëstrim të civilëve.

Rusia me plane të reja, ushtarët ukrainas përgatiten për sulm në Kiev

Të premten, ushtarët ukrainas po drejtonin me gëzim tanket ruse dhe automjete të tjera ushtarake të braktisura dhe të dëmtuara në një periferi lindore të Kievit, pasi kishin zënë pritë dhe kishin kthyer trupat e huaja.

Mirëpo, pas largimit të trupave ruse, ushtarët ukrainas përgatiten për sulm në Kiev.

Megjithatë, Sky News raporton se ka ende shumë mbetje të automjeteve e tankeve ruse në autostradën kryesore E95, e cila të çon në qendër të kryeqytetit, transmeton "Bota sot".

Korrespodenti nga Ukraina u shpreh se ushtarët më të cilët ai bisedoi ishin të egër dhe sipas atyre, shumë nga kolegët e tyre ishin përfshirë në luftime të ashpra në lindje, pasi rusët dukej se po rigrupoheshin dhe po bënin sulme të reja.

Ata presin sulme në kryeqytetin ukrainas brenda disa ditësh.

Pulla postare në Ukrainë: “Luftanije ruse, shko q***”

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Emine Dzheppar, ka bërë të ditur se shteti ukrainas së shpejti do të bëhet me pullë të re postare.

Pulla e re postare do ta ketë emrin “Luftanije ruse, shko q***”, që është skicë e artistit Boris Grohi, që sipas Dzheppar, mori më së shumti vota dhe do të publikohet nga kompania postare shtetërore e Ukrainës.

Video e publikuar, ku dëgjohen 13 roje kufitare në ishullin “Snake” të Ukrainës, në perëndim të Krimesë, teksa e shanë një anije luftarake ruse, u bë virale nëpër të gjithë botën.

Sipas autoriteteve ukrainase, 13 ushtarët janë gjallë dhe po mbahen pengë, pavarësisht raportimeve se ata u vranë nga forcat ruse, teksa dëgjohet biseda përmes radiolidhjes, ku ata shajnë luftanijen ruse.

Image
Pulla postare në Ukrainë

“I vrave fëmijët tanë, tani do ta paguash”, gratë e Ukrainës paralajmërojnë Putinin derisa marrin armët në dorë

Gratë në Ukrainë që kanë marrë armët për të mposhtur Vladimir Putinin dhe dje i thanë tiranit: “Ti na ke vrarë fëmijët – tani do të paguash”.

Ushtaret janë në mesin e trupave të vijës së parë që luftojnë forcat ruse në lindje të vendit të shkatërruar nga lufta, shkruan The Sun, përcjell Bota sot.

Dhe mijëra të tjera po kalojnë nëpër trajnime për armë për të mësuar se si të gjuajnë me AK-47.

Të tjerë kanë lënë jetën e tyre në pritje për të bërë rrjeta kamuflazhi dhe për të ndihmuar në kujdesin për 2.3 milionë refugjatët e dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Është një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjithë dhe për të cilën gratë janë të bindura se do të kontribuojë në mposhtjen e trupave pushtuese ruse.

Lajmin e plotë mund ta lexoni Këtu.

Biznesmeni rus thirrje Putinit: Mos na rikthe në revolucionin e 1917

Biznesmeni më i pasur rus ka paralajmëruar Kremlinin kundër konfiskimit të aseteve të  kompanive që kanë ndërprerë aktivitetet e tyre në vend pas pushtimit të Ukrainës, duke thënë se një hap i tillë do ta kthente vendin pas në 1917, shkruan CNN

Vladimir Potanin, president i gjigantit të metaleve Norilsk Nickel (NILSY) dhe aksioneri i tij më i madh, tha se Rusia rrezikonte të kthehej në ditët e trazuara të revolucionit të vitit 1917.

“Vendimi i shumë kompanive për të pezulluar aktivitetet në Rusi mund të jetë si rezultat i presionit të paprecedentë nga opinioni publik jashtë vendit", shtoi ai.

Potanin është miliarderi më i pasur i Rusisë, me një pasuri prej 22.5 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg, pavarësisht se ka humbur rreth një të katërtën e pasurisë së tij këtë vit pas rënies së aksioneve.

‘Breshëri’ raketash gjatë natës/ Ukraina paralajamëron betejë të përgjakshme

Beteja për kryeqytetin e Ukrainës Kiev mund të jetë Stalingradi i ri i Rusisë, thotë një deputet ukrainas për BBC, transmeton “Bota sot”.

Sviatoslav Yurah, deputeti i Ukrainës dhe një ish-këshilltari i Presidentit Zelensky, po ndihmon me mbrojtjen vullnetare në Kiev.

Ai tha për programin Today të BBC Radio 4 se kryeqyteti është përballur me një "breshëri" raketash gjatë natës dhe ka beteja të vazhdueshme në periferi të qytetit.

Por ai paralajmëron se Rusia duhet të përgatitet për humbje të mëdha nëse ajo përparon në qytet.

"Është një qytet masiv me miliona njerëz dhe nëse rusët përpiqen të hyjnë, ata do të kenë një luftë të madhe në duart e tyre - ky do të jetë Stalingradi i tyre nëse duan ta bëjnë atë," thotë ai, duke iu referuar betejës më të përgjakshme të Luftës Botërore. Dy, në të cilat vdiqën rreth 1.1 milion trupa sovjetike dhe 800,000 trupa naziste gjermane dhe rumune.

Beteja e viteve 1942-43 ishte një pikë kthese, duke ndaluar përparimin nazist në Rusi.

"Askush nuk do të dorëzohet - unë mund t'ju garantoj patjetër për këtë," thotë ai.

Ai thotë se ka qenë duke koordinuar sjelljen e furnizimeve, duke përfshirë thasë me rërë, si dhe ka biseduar me njësi të ndryshme të ushtrisë për të kryer "efektivisht" betejën e ardhshme.

Qyteti mbetet në pikën kryesore të trupave ruse të gatshme për të kryer një sulm në kryeqytetin ukrainas

Këto janë humbjet marramendëse të Rusisë në Ukrainë

Sot janë bërë 17 ditë që nga fillimi i sulmeve të para nga forcat rusë ne Ukrainë.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës që nga fillimi i luftës Rusia ka humbur më shumë se 12 mijë persona, 362 tanke, mbi 35 mijë sisteme artilerike dhe 1 mije e 205 mjete të blinduara.

Gjithashtu ky shtab ka njoftuar se forcat ruse kanë humbur edhe 62 sisteme të zjarrit me raketa, 33 mjete të mbrojtjes ajrore, 58 avionë dhe 83 helikopterë.

Ndërkaq, është bërë e ditur se Rusia ka humbur 585 mjete motorike, 3 anije dhe 7 UAV.

Rreth 1.6 milion persona ikin në Poloni

Rreth 1.6 milion persona kanë ikur nga Ukraina në Poloni, prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt, ka thënë Garda Kufitare polake të shtunën.

Jo të gjithë prej këtyre refugjatëve besohet se janë në Poloni.

Forcat ruse po rrisin përpjekjet për sulm drejt Kievit

Forcat ruse duket se kanë bërë përparim të vogël në luftën e tyre drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Sirenat janë dërguar në disa qytete të Ukrainës në orët e para të 12 marsit, bashkë me thirrjet që njerëzit të gjejnë streha të sigurta, sipas mediave lokale.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se Ukraina “veçse ka arritur në një pikë kthese strategjike”.

”Është e pamundshme të themi edhe sa ditë na kanë mbetur për të çliruar tokën ukrainase. Mirëpo mund të themi se do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë Zelensky në një video-adresim, teksa pushtimi rus ka hyrë në javën e tretë.

Në qytetetin jugor, Mariupol, sulmet e pandërprera kanë penguar tentimet e vazhdueshme për të dërguar ushqim dhe ujë, si dhe për të evakuuar civilët e bllokuar.

Sipas zyrtareve të qytetit, në 12 ditët e sulmit, në Mariupol kanë vdekur 1,500 njerëz.

Sipas kryetarit të qytetit, bombardimet kanë detyruar ekipet që të mos gërmojnë për varreza masive, andaj “të vdekurit as nuk janë duke u varrosur”.

Një sulm vdekjeprurës në një spital materniteti në këtë qytet, gjatë kësaj jave, ka nxitur zemërim ndërkombëtar dhe sugjerime për krime të luftës.

Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë se ka dëmtuar një spital për trajtim të kancerit dhe disa ndërtesa të banimit në qytetin Mikollaiv.

Udhëheqësi i spitalit, Maksim Beznosenko, ka thënë se qindra pacientë kanë qenë në objekt kur kanë ndodhur sulmet, mirëpo asnjëri nuk ka vdekur.

Sulmet kanë dëmtuar ndërtesën dhe kanë thyer dritaret.

Forcat ruse kanë rritur sulmet në Mikollaiv, qytet rreth 470 kilometra në jug të Kievit, në tentim e sipër për ta rrethuar qytetin.

Konflikti ka nxitur mbi 2.5 milionë refugjatë që të largohen nga shteti.

Forcat e Kremlinit janë duke tentuar të rigrupohen dhe të rikthejnë momentumin, pas rezistencës së ashpër në dy javët e fundit.

Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë se Rusia është duke tentuar të “ripozicionojë” trupat e veta, në përgatitje e sipër për të nisur sulmet kundër Kievit.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes, ka thënë në kushte anonimiteti se rusët janë duke avancuar në verilindje të Kievit.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Një depo e magazinimit të ushqimit të ngrirë në rajonin e Kievit mori flakë të shtunën si pasojë e granatimeve, sipas një postimi nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (SES).

Granatimet kishin ndodhur në orën 3:40 të mëngjesit të së shtunës në mëngjes, thanë ata, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Imazhet e publikuara nga SES treguan punonjësit e urgjencës që po vraponin për të shuar një flakë masive në atë që dukej të ishte një magazinë njëkatëshe, ndërsa shtëllungat e larta të tymit ngriheshin nga flakët.

SES tha se zjarri ishte lokalizuar në orën 07:54 dhe se zjarrfikësit po punonin ende për shuarjen e flakëve.

Deri më tani nuk raportohet për viktima.

Lajmet e fundit nga Ukraina

Këtë mëngjes, u dëgjuan raporte të sirenave ajrore që bien nëpër qytete të ndryshme në Ukrainë, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ja çfarë tjetër duhet të dini:

Ukraina ka akuzuar edhe një herë Rusinë për pengimin e evakuimit të njerëzve nga qyteti port jugor i Mariupolit.

Kushtet në qytetin e rrethuar thuhet se po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruara, pasi thuhet se njerëzit po durojnë temperaturat e ulëta pa energji elektrike dhe po pakësohen furnizimet me ushqim dhe ujë.

Më shumë korridore humanitare janë rënë dakord për qytetin verilindor të sulmuar të Sumy të shtunën në mëngjes, tha një zyrtar lokal.

Në fjalimin e tij të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri një lutje nënave ruse të rekrutëve që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në luftë.

Presidenti amerikan Joe Biden rithekson se vendi i tij nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt ushtarakisht kundër Rusisë në Ukrainë, por do të zgjerojë listën e oligarkëve rusë që i nënshtrohen sanksioneve ekonomike.

Rusia bën pretendime të pabazuara për aktivitete të armëve biologjike të SHBA-së në Ukrainë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ukraina sugjeron se Bjellorusia mund t'i bashkohet pushtimit rus në orët e ardhshme.

Korridoret humanitare mund të hapen të shtunën

Korridoret humanitare në Ukrainë, përfshirë ato nga qyteti i rrethuar jugor, Mariupol, mund të hapen të shtunën, ka thënë, Vadym Denysenko, këshilltar në Ministrinë ukrainase për Punë të Brendshme, në një deklaratë dhënë televizionit shtetëror më 12 mars.

Çernihivi, kryesisht pa rrymë

Duke u përballur me bombardime dhe mungesë të furnizimeve, situata në qytetin e rrethuar të Ukrainës, Çernihiv, është duke u përkeqësuar secilën ditë, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.

Gazi, ngrohja dhe uji, janë ndërprerë në këtë qytet.

Vetëm pak rajone kanë rrymë dhe pjesa më e madhe e qytetit është pa drita dhe qasje në komunikim.

Ky qytet, i cili para luftës ka pasur rreth 300,000 banorë – është i rrethuar nga forcat ruse dhe në të është raportuar për dëme të mëdha nga sulmet.

Mëngjesi i së shtunës “ka nisur me shpërthime"

Shpërthimet janë dëgjuar në qytetet si Njikollaev, Dnjipro dhe Kropavnajtski, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC, duke cituar autoritetet lokale.

Sipas llogarisë së tyre në Telegram, sistemi ajror për mbrojtje në Dnjipro është aktivizuar me sukses.

Ende nuk është bërë e qartë sa shpërthime kanë ndodhur në Dnjipro, mirëpo autoritetet kanë thënë se janë duke pritur për të dëgjuar të dhënat e fundit nga ushtria.

Odesea e mbron me thasë statujën e atij që e modernizoi qytetin

Banorët e Odesës shtruan 1200 thasë me rërë për të mbrojtur një nga simbolet kryesore të qytetit, një monument arkitekture dhe arti me rëndësi kombëtare të Dukës de Richelieu.

Richelieu ishte një fisnik francez përgjegjës për kthimin e Odesës në një qytet modern.

Ai u bë kryebashkiak i Odessa në 1803, dhe nga 1805 deri në 1814 guvernator i përgjithshëm i Odessa.

Banorët e këtij qyteti e konsideruan atë themeluesin e qytetit, ku me përpjekjet e kryetarit të ri, qyteti u shndërrua në një port të madh tregtar.

Operacionet ruse rreth Kievit, “kryesisht kanë ngecur”

Instituti për Studime të Luftës, ka thënë se operacionet ruse rreth Kievit, “kryesisht kanë ngecur në 24 orët e fundit” dhe forcat tani synojnë “rifurnizim dhe riparim”.

“Ofensiva e pakoordinuar dhe sporadike e Rusisë kundër qyteteve të mëdha ukrainasve, mbështet vlerësimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës se forcat ruse kanë probleme në rritje me furnizime dhe kanë humbur iniciativën”.

Në rrjetin social, Twitter, Instituti ka shfaqur një fotografi që tregon avancimin e Rusisë drejt perëndim të Ukrainës.

Përveç kësaj, Instituti ka thënë se ka raportime që presidenti rus, Vladimir Putin është duke kryer një spastrim të brendshëm të “ofertave të gjeneralëve dhe personelit të inteligjencës” me qëllim të rikalibrimit të përpjekjeve të Rusisë për luftë.

Zelensky u thotë nënave ruse: Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij të fundit përmes një video, u ka bërë thirrje nënave ruse që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në luftë dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.

Në një lutje të pasionuar, ai tha “Dua t’ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj”.

Ai u bëri thirrje atyre që të “mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje” dhe u kërkoi atyre “të veprojnë menjëherë” nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.

Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë – shumë prej të cilëve nuk ishin të trajnuar për betejë – dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.

Sërish Rusia tregohet e pabesë

Përkundër që Rusia ka paralajmëruar që do të bëjë armëpushim, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Autoritetet ukrainase janë ankuar se qytetarët nuk kanë mundur të zhvendosur në një territor më të sigurt për shkak të sulmeve ruse.

LEXO edhe: Bombardime të reja në Ukrainë, pamje tronditëse

Siç raportohet, vetëm në qytetin e Mariupol janë vrarë 1500 njerëz, transmeton "Bota sot".

Ndërkaq, ukrainasët në këtë zonë po përballen me temperaturat e ulta, përveç kësaj ata kanë mungesë të ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike.

Kurse, në fjalimin e fundit me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi Rusinë për bllokimin e njerëzve në qytet.

Ndërkaq, deklaroi se rusët nuk po lejojnë dërgimin e ndihmave humanitare të nevojshme për qytetarët e bllokuar.

Zelensky shtoi se është bërë numër i vogël i evakuime në katër qytete kyçe ditët e fundit për shkak të sulmeve të vazhdueshme të artilerisë ruse.

Guatemala pranon grupin e parë të refugjatëve ukrainas

Edhe një shtet ka dalë në krah të Ukrainës.

Mbështetjen ndaj Ukrainës e ka bërë duke pranuar refugjatë, transmeton "Bota sot".

Tashmë në këtë shtet janë vendosur në Guantamala 8 persona të cilët janë larguar nga lufta.

Ndërkaq, është paralajmëruar se edhe 10 ukrainas të tjerë do të vendosen në Guantamala, shkruan Reuters.

Siç raportohet ende është i paqartë numri i personave që janë vendosur në  Guatemalë që nga fillimi i sulmeve ruse në Ukrainë.

Ndryshe, presidenti Alejandro Giammattei deklaroi me 6 mars se ukrainaset do të jenë të  sigurt në Guantamala.

Ukraina nën sirenat e luftës

Tashmë në Ukrainë ka kaluar ora 7 e mëngjesit.

Në ora 6 qytetarët e Ukrainës janë zgjuar nga sirenat të cilat alarmojnë afrimin e pushtueseve rusë afër vendbanimeve.

Këto sirena janë dëgjuar në 15 rajone të Ukrainës, transmeton "Bota sot".

Ato u dëgjuan në Kiev, Odesa, Sumy, Kharkiv, Dnipro dhe në disa qytete të tjera..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat