Një zyrtar i lartë ukrainas në rajonin jugor të Khersonit, i cili tani është nën pushtimin rus, ka thënë se rusët po i bëjnë presion këshillit rajonal për të rënë dakord për referendum mbi "pavarësinë" e zonës nga Ukraina.
Serhiy Khlan, deputet i këshillit rajonal të Khersonit, ka thënë se "pushtuesit po përgatisin një referendum mbi krijimin e Republikës Popullore të Khersonit".
Ai shtoi se deputetët lokalë po thirreshin për t’u pyetur nëse janë gati për "bashkëpunim".
"Unë refuzova kategorikisht të bashkëpunoja me ta", deklaroi Khlan.
“Krijimi i Republikës Popullore të Khersonit do ta kthejë rajonin tonë në një gropë të pashpresë pa jetë dhe të ardhme”.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të refuzojnë të bashkëpunojnë.
Pasi separatistët e mbështetur nga Rusia morën kontrollin në vitin 2014 të pjesëve të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, republikat popullore u shpallën në të dyja zonat.
Nuk ka pasur asnjë fjalë nga pala ruse për ndonjë plan referendumi.