Këshilli i Evropës e përjashtoi Rusinë nga anëtarësimi i asaj organizate kryesore evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për shkak të agresionit kundër Ukrainës.
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi sot në mëngjes në një takim të jashtëzakonshëm që Rusia të pushojë së qeni anëtare pas 26 vjetësh në këtë organizatë.
Vendimi për përjashtimin e Rusisë nga anëtarësimi është marrë në kuadër të procedurës së nisur në bazë të nenit 8 të Statutit të Këshillit të Evropës.
Mbrëmë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi njëzëri mendimin se Rusia nuk mund të jetë më anëtare e asaj organizate.
Pak para kësaj, qeveria ruse e informoi sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Maria Pejçinoviq-Buriq, se ajo ishte duke filluar procedurën e tërheqjes nga organizata dhe për qëllimin e saj për të dalë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.