(E plotësuar 00:04) - Zelensky: Të paktën 103 fëmijë janë vrarë në Ukrainë deri më tani
Të paktën 103 fëmijë janë vrarë në Ukrainë prej kur ka filluar pushtimi rus, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një videomesazh të postuar në Facebook gjatë të mërkurës.
“Mbrëmë, trupat ruse vazhduan të bombardojnë territorin ukrainas, qytetet tona paqësore, qytetarët tanë. Kharkiv dhe rajonin…Ata bombarduan bregdetin e rajonit Odesa. Ata goditën me raketa Kievin. Goditën civilë të Zaporizhzhia. Deri në mëngjesin e sotëm, 103 fëmijë janë vrarë”, ka thënë ai duke folur para se t’i drejtohej Kongresit Amerikan, por që videoja u publikua më pas në Facebook.
Zelensky tha se trupat ruse kanë shkaktuar “qindra herë më shumë dëme” në Ukrainë sesa në Donbas në tetë vjet luftë. Presidenti ukrainas deklaroi se gjithsej 400 institucione arsimore janë shkatërruar në Ukrainë deri më sot, ku 119 janë në rajonin e Donetsk.
***
Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që ndodhën sot:
-Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e quajti “kriminel lufte” presidentin rus, Vladimir Putin
-Rusia dënoi këto deklarata të Bidenit duke i quajtur “të papranueshme dhe retorikë të pafalshme”.
-Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtua Kongresit amerikan dhe bëri thirrje për më shumë ndihmë nga Perëndimi
-SHBA-ja tha se do t’i japë Ukrainës 1 miliard dollarë ndihmë ushtarake, përfshirë: dronë, raketa, raketahedhës, pushkë, -mitraloza, sisteme kundërajrore dhe municion
-Në Mariupol, Teatri i Dramës u godit nga sulmet ajrore. Autoritetet lokale thanë se ndërtesa e teatrit përdorej nga civilët për t’u strehuar. Ata thanë se besojnë se 1,200 civilë ishin në ndërtesë kur ajo u godit nga një bombë, e lëshuar nga një avion rus
-Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e quajti “krim lufte” sulmin ndaj teatrit në Mariupol. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur për viktima të mundshme nga ky sulm
-Në qytetin Çernihiv, dhjetë persona u vranë teksa po prisnin në radhë për bukë, kur trupat ruse granatuan
-Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – autoriteti më i lartë i drejtësisë i Kombeve të Bashkuara – urdhëroi Rusinë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës
Inteligjenca amerikane: Rusia po e shqyrton mundësinë e sjelljes së forcave të reja
Sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes, avancimet ruse në Ukrainë përgjithësisht kanë ngecur, shkruan transmetuesi britanik BBC. Sipas këtij zyrtari të lartë, ka tregues se Rusia po e shqyrton shkallën në të cilën do të duhet të sjellë trupa zëvendësuese nga jashtë Ukrainës për t’iu bashkuar luftës.
Ky zyrtar shtoi:
-Rusët kanë lëshuar mbi 980 raketa
-Ushtria ruse ka përdorur 75 për qind të totalit të batalioneve të saja taktike në këtë pushtim
-Në jug të Ukrainës, luftanijet ruse po granatojnë zonat përreth Odesës dhe ka rritje të aktivitetit detan në veri të Detit të Zi. Mariupoli është izoluar dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi po kanë efekt vdekjeprurës
-Në veri, avancimet ruse përgjithësisht kanë ngecur pranë Kievit
-Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me aleatët për sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore që ukrainasit dinë t’i përdorin – dhe mund të pritet që për sistemet e mbrojtjes ajrore të diskutohet gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin në Sllovaki dhe Bullgari
Johnson: Putin ka dështuar, duhet të kthejë pas tanket dhe armatën e tij nga Ukraina
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tashmë ka dështuar.
Johnson tha se Putin nuk e dinte se çka do ta priste atë kur i dërgoi trupat ushtarake në Ukrainë, raporton BBC.
Ai e akuzoi kreun e shtetit rus se ka kryer krime lufte të nivelit që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani në Evropë.
“Putin duhet të kuptojë se ai nuk mund të ketë sukses tani”.
“Ai nuk do të jetë në gjendje të shtypë dhe pushtojë Ukrainën, sepse ata kanë treguar në thelb se kanë një shpirt të paepur. Pra… ai duhet të tërhiqet. Ai duhet ta mbyllë këtë gjë. Ai duhet të kthejë pas tanket dhe armatën e tij”.
Boris Johnson po ashtu tha se duhet të gjendet një zgjidhje që respekton vullnetin e popullit ukrainas.
Sllovakia shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave S-300 në Ukrainë
Zyrtarët sllovakë të mbrojtjes pritet të diskutojnë një transferim të mundshëm të sistemeve të tyre të mbrojtjes ajrore S-300 të epokës sovjetike në Ukrainë me Sekretarin amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin pasi ai të arrijë në vend të enjten, tha një zëdhënës ushtarak sllovak.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski përmendi raketat S-300 me emër gjatë një takimi virtual me ligjvënësit amerikanë të mërkurën, duke bërë thirrje për sisteme anti-ajrore që do të ndihmonin Ukrainën të "mbyllte qiejt" për avionët luftarakë dhe raketat ruse.
Zëdhënësja e Ministrisë sllovake të Mbrojtjes, Martina Koval Kakascikova tha se sllovakët presin që çështja të jetë në rendin e ditës kur Austin të arrijë në Bratisllavë për bisedime.
Sllovakia nuk ka asnjë kundërshtim në lidhje me dërgimin e raketave S-300 në Ukrainë, tha ajo. "Por ne nuk mund të heqim nga arsenali ynë një sistem që mbron hapësirën tonë ajrore nëse nuk kemi ndonjë zëvendësim për të", shtoi ajo.
Sistemi S-300 përdor raketa me rreze të gjatë që janë të afta të fluturojnë qindra kilometra dhe të godasin raketat kruz në ajër, si dhe avionët luftarakë. Sistemet e mbrojtjes kundërajrore të epokës sovjetike mund të jenë të dobishme në pengimin e sulmeve ajrore ruse në qytete dhe objektiva të tjerë në Ukrainë.
Papa dhe Patriarku ortodoks rus diskutojnë për luftën në Ukrainë
Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse Ruse dhe Papa Françesku kanë biseduar për luftën në Ukrainë të mërkurën, tha zyra e Kirillit.
Kjo është biseda e parë e dy liderëve fetarë që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.
Patriarkati i Moskës përmes një deklarate tha se dy krerët fetarë kanë biseduar për “aspektet humanitare të krizës që po vazhdon” dhe për rëndësinë që të ketë bisedime të paqes.
Ata po ashtu kanë diskutuar “se çfarë veprimesh mund të marrin Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Katolike Romake për të kapërcyer pasojat e saj”, tha pala ruse.
Ndërkaq, në deklaratën e lëshuar nga Vatikani, për bisedën që është zhvilluar përmes video-lidhjes u tha se Papa i tha Kirillit se “ata që e paguajnë çmimin e luftës janë populli, ushtarët rusë dhe njerëzit që po bombardohen dhe po vdesin”.

Kirill, 75 vjeç, është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ka bërë deklarata në mbrojtje të veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe ai e sheh luftën si një mburojë kundër një Perëndimi, që ai e konsideron dekadent, veçanërisht për shkak të pranimit të homoseksualitetit.
Lirohet kryetari i rrëmbyer i Melitopolit
Kryebashkiaku i Melitopolit, i cili thuhet se u rrëmbye nga forcat ruse pesë ditë më parë, është liruar, sipas këshilltarëve të presidentit ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky kishte akuzuar Rusinë se po kalonte në një “fazë të re terrori” pasi Ukraina shfaqi pamjet e asaj që tha se kryetari i bashkisë, Ivan Fedorov, po largohej me sy të lidhur.
Melitopol ishte një nga qytetet e para që ra në duart e forcave ruse dhe u vendos një kryetar i ri bashkie. Qeveria e Ukrainës akuzoi gjithashtu Rusinë për rrëmbimin e kryetarit të qytetit të Dniprorudne.
Pas njoftimit të lirimit të Fedorov, zyrtarët ukrainas postuan një video në mediat sociale të Zelensky duke telefonuar kryetarin e bashkisë dhe duke i thënë atij se ishte “i lumtur të dëgjonte zërin e një njeriu të gjallë”.
Fedorov dëgjohet duke falënderuar presidentin që nuk e braktisi dhe tha se do t’i duhen një ose dy ditë për t’u rikuperuar, dhe pastaj “do të jem në komandën tuaj për të kontribuar në fitoren tonë”.
The mayor of #Melitopol of the #Zaporizhzhia oblast Ivan Fedorov was released from #Russian captivity.
— SSSCIP Ukraine (@dsszzi) March 16, 2022
On the video a conversation of the President @ZelenskyyUa with the mayor. #WARINUKRAINE #RussiaUkraineWar #RussiaInvadedUkraine #StopRussia pic.twitter.com/lJKMULUwf6
OBSH: Sulmet ndaj spitaleve po bëhen pjesë e taktikave të luftës
Ndërtesat shëndetësore po bëhen shënjestër e luftës, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë, teksa tha se sistemi shëndetësor i Ukrainës “është në prag të shkatërrimit”.
OBSH ka verifikuar 43 sulme ndaj spitaleve dhe ndërtesave shëndetësore në Ukrainë dhe 46 të tjera në konfliktet e tjera në botë. Sipas kësaj organizate, ky është niveli më i lartë i sulmeve ndaj objekteve shëndetësore, sulme që janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Mike Ryan, drejtor i programit për emergjenca shëndetësore në OBSH, tha se është “e papranueshme” që sulmet ndaj sistemit shëndetësor “po bëhen pjesë e strategjisë dhe taktikave të luftës”.
“Sistemi shëndetësor në Ukrainë që është në prag të shkatërrimit, por performon jashtëzakonisht mirë, por duhet të mbështetet, të forcohet, tÇi jepen mjetet bazë për të shpëtuar jetë”, tha ai.
Përveç në spitalet ukrainase, OBSH-ja ka verifikuar sulme edhe në Afganistan, Burkina Faso, Republikën Demokratike të Kongos, Libi, Nigeri, Palestinë, Sudan dhe Siri.
Biden: Mendoj se Putini është kriminel lufte
Presidenti amerikan Joe Biden e quajti homologun rus Vladimir Putin një "kriminel lufte" të mërkurën ndërsa Rusia intensifikoi sulmet ndaj Ukrainës.
“Unë mendoj se ai është një kriminel lufte”, u tha Biden gazetarëve, raportoi CNN.
Ky cilësim i Biden për Putinin pasqyron një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i administratës amerikane. Zyrtarët, përfshirë Bidenin, ishin përmbajtur nga deklarimet për krime lufte në Ukrainë, duke përmendur vetëm hetimet e vazhdueshme nëse ky term mund të përdoret.
Por zyrtarët amerikanë kanë qenë të qartë se shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve do të përbënte krime lufte.
"Vërejtjet e Presidentit flasin vetë," tha më pas sekretarja e shtypit Jen Psaki. Ajo tha se Biden "po fliste nga zemra".
Ajo tha se hetimi në vazhdim në Departamentin e Shtetit për krimet e luftës ishte ende duke u zhvilluar.
Biden fillimisht tha "jo" kur u pyet nëse Putin ishte një kriminel lufte, por menjëherë u kthye te një grup gazetarësh për të sqaruar se çfarë ishte pyetur. Kur u pyet përsëri nëse Putin ishte një kriminel lufte, ai u përgjigj pozitivisht.
Zyrtarët ukrainas: Pesë të vrarë nga granatimet në Çernihiv
Pesë persona, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë pasi forcat ruse kanë granatuar një banesë në qytetin Çernihiv të Ukrainës, thanë zyrtarët e emergjencave.
Ky qytet gjendet në veri të Ukrainës.
Ministria e Emergjencave e Ukrainës përmes një postimi në Telegram ka thënë se punëtorët e emergjencave kanë arritur të nxjerrin pesë trupa të pajetë nga rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.
Biden: Ndihma e re për Ukrainën, 800 milionë dollarë
Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden njoftoi sot ndihmë shtesë të sigurisë dhe humanitare për Ukrainën në shumën prej 800 milionë dollarësh, dhe paketa e re përfshin drone dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Kjo ndihmë përfshin 800 sisteme kundërajrore për të siguruar që ushtria ukrainase mund të vazhdojë të ndalojë avionët dhe helikopterët rusë që sulmuan popullin e tyre”, tha Biden, raporton Reuters.
Gjatë fjalimit për situatën në Ukrainë, presidenti amerikan akuzoi homologun e tij rus Vladimir Putin për shkatërrim të tmerrshëm në Ukrainë, bombardime ndërtesash, maternitete dhe spitale.
Fondet e shpallura janë pjesë e ndihmës ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, në shumën totale prej 13.6 miliardë dollarësh, bazuar në ligjin e buxhetit që Biden nënshkroi sot.
Lista e publikuar: Ja çfarë kërkon Ukraina për ndihmë ushtarake dhe teknologjike
Ukrainasit përpiluan sot një listë të gjerë që përshkruan atë që u nevojitet nga ndihma ushtarake dhe teknologjike.
Regjistrimi u organizua bazuar në nivelet e urgjencës, duke filluar nga nevojat urgjente deri te prioriteti i ulët, thanë dy burime të informuara.

Prioriteti kryesor: sistemet kundërajrore duke përfshirë S300 dhe raketat, armët antitank, lloje të ndryshme municionesh artilerie, aeroplanë, automjete të blinduara dhe helikopterë, raporton CNN.
Lista përfshin gjithashtu dronë shumë të avancuar amerikanë që mund të kontrollohen nga distanca dhe të hedhin në erë objektivat në distanca të gjata.
Përveç armëve, kërkesat e Ukrainës përfshijnë edhe stacione radari, kontroll të automatizuar të sistemeve kundërajrore, radio, komplete mjekësore dhe armaturë trupore.
Një nga gjërat kryesore janë gjithashtu sistemet e sigurta të komunikimit që rusët nuk mund t'i kontrollojnë. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më parë këtë lloj teknologjie komunikimi në Ukrainë dhe janë të gatshme të ofrojnë më shumë nga kjo mbështetje, thanë zyrtarët.
Ushtria ukrainase: Rusia ka sulmuar civilët gjatë evakuimit nga Mariupoli
Përveç bombardimit të një teatri, që përdorej për strehimin e civilëve, nga Mariupoli raportohet se ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj civilëve.
Në një incident të ndarë, forcat e armatosura ukrainase, thanë se një konvoj me civilë që po tentonin të evakuoheshin nga qyteti i rrethuar, u sulmua me raketa nga forcat ruse.
Ushtria ukrainase tha përmes Facebook-ut se civilët ishin duke u larguar për në qytetin Zaporizhja, që gjendet mbi 200 kilometra larg Mariupolit.
Ushtria tha se sipas raportimeve të para ka viktima në mesin e civilëve, por nuk dha më shumë detaje.
Ndërkaq, Qeveria lokale në Zaporizhja tha se të paktën pesë persona janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë që është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kuleba: Teatri në Mariupol është shkatërruar plotësisht
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se sulmi i forcave ruse në Mariupol është “krim lufte”.
Ai tha se Teatri, që përdorej nga civilët për t’u strehuar, është shkatërruar plotësisht.
“Edhe një krim i tmerrshëm i luftës në Mariupol.
Një sulm masiv mbi Teatrin, ku qindra civilë të pafajshëm po fshiheshin.
Tani, kjo ndërtesë është shkatërruar plotësisht. Rusët nuk mund ta dinin se kjo ishte një strehimore për civilët. Shpëtoni Mariupolin! Ndaloni kriminelët rusë të luftës”.
Another horrendous war crime in Mariupol. Massive Russian attack on the Drama Theater where hundreds of innocent civilians were hiding. The building is now fully ruined. Russians could not have not known this was a civilian shelter. Save Mariupol! Stop Russian war criminals! pic.twitter.com/bIQLxe7mli
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 16, 2022
Biden: Putin ta paguajë çmimin
Presidenti i SHBA-së Joe Biden paralajmëroi se lufta në Evropën Lindore mund të jetë e gjatë dhe i vështirë.
“Populli amerikan do të jetë i vendosur në mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës, i cili po përballet me sulmet imorale dhe jo etike të Putin-it ndaj popullatës civile. Ne do t'i japim Ukrainës armë për të luftuar dhe mbrojtur për ditët e vështira që do të vijnë. Ne do të mbështesim ekonominë e Ukrainës me ndihmë të drejtpërdrejtë financiare”, tha ai në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
“Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi ekonominë e shkatërruar të Putin-it, duke e izoluar atë në skenën globale. Ky është qëllimi ynë. Bëni Putin-in të paguajë çmimin, dobësoni pozicionin e tij, ndërsa ne forcojmë ukrainasit në fushën e betejës dhe në tryezën e negociatave”, ka shtuar Biden, transmeton CNN.
Zyrtari ukrainas: Një teatër ku strehoheshin civilët është bombarduar
Zëvendëskryetari i qytetit ukrainas të Mariupolit, Serhiy Orlov, i tha transmetuesit britanik BBC se Rusia ka bombarduar një teatër.
Sipas tij, në këtë teatër po strehoheshin civilët.
Ai vlerësoi se 1,000 deri në 1,200 persona gjendeshin brenda këtij objekti. Ndërkaq, numri i viktimave është ende i panjohur.
Publikohen pamjet nga droni: Momenti kur ushtria ruse vret dy civilë ukrainas
Televizioni gjerman ZDF, të martën, ka publikuar pamje nga momenti i vrasjes së dy civilëve ukrainas nga ushtria ruse.
Pamjet janë filmuar nga droni.
Aty shihet se si fillimisht një person del me duart lart nga vetura dhe vritet nga rusët.
Sipas raportimit të televizionit gjerman, ngjarja ka ndodhur më 7 mars në rrugën E-40 afër një pike të karburanteve.
Pas vrasjes së civilëve nga Ukraina, makina është larguar dhe është djegur.
Video KETU
Stoltenberg: Nuk planifikojmë të vendosim forcat e NATO-s në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mbajti një konferencë për shtyp pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s për krizën në Ukrainë, por edhe masat konkrete për forcimin e mbrojtjes së NATO-s.
Stoltenberg ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin duhet ta ndalojë menjëherë luftën, të tërheqë forcat e tij dhe të angazhohet në përpjekjet diplomatike.
“NATO nuk do të tolerojë një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të anëtarëve të saj. Ne kemi aktivizuar tashmë planet tona të mbrojtjes për të mbrojtur aleancën. Qindra-mijëra ushtarë janë në gatishmëri të lartë gjatë gjithë Aleancës”, tha Stoltenberg, duke shtuar se Aleanca po përballet me një realitet të ri.
“Në tokë, ne kemi nevojë për shumë më shumë forca në krahun lindor të Aleancës në një gjendje të lartë gatishmërie. Ne kemi nevojë për më shumë avionë në ajër dhe mbrojtje të integruar, të përforcuar ajrore dhe raketore. Ne kemi nevojë për nëndetëse dhe aeroplanmbajtëse në det”, ka thënë Stoltenberg.
Ai vuri në dukje se "aleatët janë të bashkuar në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, por edhe në faktin që NATO nuk duhet të vendosë forca në tokë ose të dërgojë aeroplanë në hapësirën ajrore të Ukrainës".
“Ne duhet të sigurohemi, kemi përgjegjësinë që lufta të mos përhapet përtej Ukrainës. Ne shohim vdekje, shkatërrim, vuajtje njerëzore, por kjo situatë mund të përkeqësohej nëse NATO do të bënte diçka që do ta kthente këtë në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Prandaj, aleatët janë të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës”, tha Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s nuk do të vendosen as në tokë dhe as në ajër, dhe ky është një pozicion i bashkuar.
I pyetur nëse Rusia mund ta fitojë këtë luftë, Stoltenberg tha se duhet pasur kujdes në vlerësime të tilla dhe përsëri lavdëroi forcat ukrainase. Ai shtoi se edhe Putin e nënvlerësoi NATO-n, por se Aleanca reagoi shpejt dhe e bashkuar.
Zelensky: GJND ka urdhëruar Rusinë të ndalojë pushtimin
Ukraina ka arritur një fitore të plotë kundër Rusisë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Gjykata urdhëroi Rusinë që të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës. Urdhri është i detyrueshëm për Rusinë sipas ligjit ndërkombëtar”, shkroi Zelensky në Twitter.
Presidenti i Ukrainës shtoi se injorimi i këtij vendimi do ta "shtynte Rusinë në izolim edhe më të madh".
Ukraina konfirmon vrasjen e dhjetë personave në Çernihiv
Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se dhjetë persona u vranë nga forcat ruse në qytetin verior të Çernihivit.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, zyrtarët thanë se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 sipas kohës lokale.
Lexo edhe: Vazhdojnë bombardimet në Ukrainë, SHBA dhe Rusia shënojnë kontaktin e parë pas disa javësh
Raportohet se “ushtarët rusë sulmuan njerëzit që po prisnin në radhë për të marrë bukë nga një dyqan ushqimor”.
Më herët gjatë ditës, Ambasada amerikane në Ukrainë njoftoi se dhjetë persona u vranë në Çernihiv, teksa po prisnin në radhë për bukë.
Blinken: SHBA po shikon me shumë kujdes nëse Rusia po synon gazetarët në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se SHBA-ja “po shikon shumë ashpër” nëse Rusia po synon qëllimisht gazetarët në Ukrainë.
Të paktën tre gazetarë janë vrarë duke mbuluar luftën në Ukrainë gjatë disa ditëve të fundit - Pierre Zakrzewski, Oleksandra Kuvshynova dhe Brent Renaud - dhe të paktën dy janë plagosur rëndë.
“Ne po shikojmë shumë mirë në shënjestrimin që forcat ruse po bëjnë, duke përfshirë nëse ato synojnë qëllimisht civilë, gazetarë apo dikë tjetër”, tha ai në një intervistë për NPR që u transmetua të mërkurën.
“Kjo është diçka që ne po e shikojmë me kujdes, po e dokumentojmë. Të tjerët po e shikojnë këtë. Synimi i qëllimshëm i civilëve, gazetarëve dhe të tjerëve do të përbënte një krim lufte”, tha ai.
Blinken tha se bota “po sheh gazetarë në përplasje, njerëz që bëjnë punën e tyre për të sjellë të vërtetën në botë”.
"Ne kemi parë një ekip të Fox që ka pasur dy anëtarë të saj të vrarë, një të plagosur - dikë që e njoh shumë mirë," tha Blinken. “Ky është Ben Hall. Ai është dikush që udhëton me mua kur unë udhëtoj nëpër botë. Dikush për të cilin kam shumë dashuri, i cili është një gazetar i jashtëzakonshëm që më bën shumë pyetje të vështira kudo ku shkojmë.”
“Unë shpresoj shumë dhe lutem që ai të kthehet në punë sa më shpejt të jetë e mundur. Por ndërkohë dy kolegë të tij kanë humbur jetën. Dhe një tjetër regjisor shumë i shquar humbi jetën vetëm një ditë tjetër”, tha Blinken.
Në Vlorë për t’i shpëtuar luftës, Ivan Shevcenko: Putin nuk e di se çfarë është njerëzimi
Ivan Shevcenko është një nga ukrainasit e shumë i detyruar të braktisë vendin e tij për shkak të luftës. Ai ka gjetur një shtëpi të dytë për të dhe familjen e tij në Vlorë. Ata mbërritën në vendin tonë në datën 10 mars, pas telefonatës së një miku Vlorë, në të cilin kishin kaluar pushimet e verë e shkuar.

Pronari i hotelit i tha se mund të qëndrojë në hotelin e tij pa pagesë deri sa lufta të përfundojë. I riu tregon se rruga për në Shqipëri ishte e gjatë dhe e mundimshme.
“Erdhëm në Vlorë në datën 10 Mars me prindërit dhe familjen e xhaxhait. Miqtë tanë nga Shqipëria na morën e na thanë ejani në Vlorë. Erdhëm me makinë dhe rruga ishte shumë e vështirë, pasi gazi po na mbaronte.”
Ivani tregon se dëshironte të qëndronte në Kiev për të luftuar së bashku me miqtë e tij, por nëna e tij e detyroi që largohej bashkë me ta.
“Miqtë e mi ndjenjën në Ukrainë, ndërsa unë erdha sepse ma kërkoi mamaja. Ajo më tha nuk iki pa ty.”
Nëna e Ivanit tregon se sapo nisi lufta u detyruan të qëndronin nëntokë për shkak të bombardime.
“Kur ishim në Kiev, për shkak të bombardimeve qëndronin nëntokë. Ishte shumë e frikshme. Morëm vetëm dokumentet dhe gjithçka e lamë atje.”
“Kemi folur me miqtë në Kiev. Ata na thonë se situata është tepër kritike. Njerëzit po humbasin jetën dhe shtëpitë po shkatërron.”
Ivani në Ukrainë punonte si inxhiner nuklear. Kthimin për në Kiev e sheh të largët, e për këtë arsye është në kërkim të një pune në Vlorë.
“Po mendojmë të gjejmë një punë, sepse paratë po na mbarojnë.”
Për ta presidenti Putin është një lider mizor.
“Presidenti Putin nuk e di se çfarë është njerëzimi.”
Që prej 24 shkurtit në vendin tonë kanë hyrë 958 shtetas nga Ukraina dhe kanë dalë 607 shtetas.
Aktualisht në Shqipëri janë strehuar 351 qytetarë ukrainas dhe 14 prej tyre kanë kërkuar azil. Atyre iu është dhënë mbrojtja e përkohshme. Pjesa më e madhe e tyre janë strehuar në Vlorë, Sarandë e Durrës.
Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë në vendin tonë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.