Putin lavdëron aksionin ushtarak për pushtimin e Ukrainës

Evropë

Putin lavdëron aksionin ushtarak për pushtimin e Ukrainës

Më: 18 mars 2022 Në ora: 16:17
Presidenti rus Vladimir Putin gjatë ceremonisë festive në tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Ukraina.

Të premten, më 18 mars, në një paraqitje të rrallë publike, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u shfaq në një skenë para dhjetëra-mijëra rusëve për të festuar tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Ukraina.

Në ngjarjen që u zhvillua në stadiumin e qytetit të Moskës, para dhjetëra-mijëra rusëve Putin, lavdëroi aksionin ushtarak rus që po zhvillohet për pushtim të Ukrainës.

“Krah për krah, ata ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin”, tha Putin para masës.

"Ne nuk kemi pasur unitet si ky për një kohë të gjatë," shtoi Putin derisa dëgjoheshin brohoritjet e turmës.

Përpara fjalimit të presidentit Putin, grupet muzikore luajtën këngë patriotike sovjetike për identitetin kombëtar dhe folësit e tjerë lavdëruan Putinin se po luftonte "nazizmin" në Ukrainë, një pretendim i hedhur poshtë kategorikisht nga liderët anembanë globit.

Disa të pranishëm, duke përfshirë prezantuesit e ngjarjes, mbanin bluza apo xhaketa me shkronjën "Z" - një simbol që po shihet vazhdimisht i shënuar në tanket dhe automjetet ushtarake ruse në Ukrainë. Këtë simbol po e përdorin kryesisht rusët që mbështetësin luftë.

Putin foli në skenë para dhjetëra-mijëra rusëve që valëvitnin flamurin shtetëror të Rusisë.

Tubimi u mbajt për të festuar përvjetorin e tetë të aneksimit të gadishullit të Krimesë në Detin e Zi, ngjarje kjo që ndodhi më 18 mars të vitit 2014.

Pas fillimit të fjalimit të presidentit rus, Televizioni Shtetëror i Rusisë papritmas ndërpreu fjalimin e tij.

Putin sapo kishte filluar të fliste dhe ishte në mes të fjalisë kur transmetimi i drejtpërdrejtë nga stadiumi Luzhniki papritmas kaloi në imazhe të regjistruara të fjalimeve të vjetra dhe shfaqje të koncerteve.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një problem në server ishte shkaktar i gabimit, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Pak kohë më vonë, fjalimi u shfaq i plotë në kanalin televiziv Rossiya 24.

Rusia filloi pushtimin e Ukrainës me 24 shkurt. Shumica e vendeve të botës kanë kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës dhe Rusisë i janë vendosur sanksione të ashpra ekonomike e politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat