Sapo u martuan u nisën ta mbrojnë Ukrainën! / Pas martesës, nuset vazhdojnë luftën me Rusinë

Evropë

Sapo u martuan u nisën ta mbrojnë Ukrainën! / Pas martesës, nuset vazhdojnë luftën me Rusinë

Nga: I. Morina Më: 20 mars 2022 Në ora: 11:12
Ceremoni martesore në Ukrainë. Një buqetë lule për çiftin, ndërsa ia bekonte dashurinë komandanti.

Në një ambient të veçantë, nuk duket nëse është faltore tipike, por në një hapësirë të brendshme të gjerë, dhe me pak shenja festive, për nusen dhe dhëndrin, u bë ceremonia martesore e dy të dashuruarve ukrainas.

Për një çast, u harrua lufta, oshëtima e armëve, shkatërrimet, flakët, gjëma e dhimbjeve, vdekjet dhe varret. Këtë e bën çifti i ri martesor, Andri dhe Irina.

Një buqetë lule për çiftin, që e mbanin dy ushtarë të tjerë, ndërsa ia bekonte dashurinë komandanti. Që të dy ushtarë ukrainas, vetëm zonja është nderuar, të ishte me veshje civile, ndërsa burri gjithnjë në uniformë dhe i gatshëm për ballafaqim me të papriturën.

Nuk munguan as unazat, shkëmbimi i tyre, buzëqeshjet e ndrojtura, dhe nënshkrimet e kurorëzimit, pa pasur një tavolinë, por një foltore. Ndërsa, në prapavijë lart në mur, dallohet mbishkrimi, “Ukraina e lirë”!

Image
Shkëmbimi unazave, dhëndri ia vendos unazën nuses

Më shumë se sa imazh për dashurinë dhe jetën, fotot po bëhen ikonike për botën, duke përcjellë dashurinë e fuqishme për atdheun, të pa cenueshme nga forcat pushtuese ruse, si armata që ende llogaritet e dyta në botë, kualifikim që pas kësaj lufte mund të ndryshojë shumë.

Image
Radha nuses për t'ia vendosur dhëndrit unazën në gisht!

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, nuk e lë t’i rrëshqasë nga dora një moment i tillë, për ta ngritur moralin dhe për të motivuar për luftë dhe jetë ukrainasit!

Në njoftimin e saj Ministria e Mbrojtjes thotë se ndërsa lufta me okupatorin po vazhdon, një ushtar dhe një ish-sipërmarrëse private, kanë zgjedhur të martohen në luftë, dhe që të dy të luftojnë kundër pushtimit rus.

“Lufta me okupatorin rus po vazhdon në Ukrainë. Andriy - një ushtar, Irina - në të kaluarën sipërmarrëse private, vullnetare, tani po mbron Kievin në një nga njësitë e ushtrisë”.

Dëshmitar i kurorëzimit të martesës u bë gjenerali Valery Zaluzhny, ndërsa e uroi çiftin e ri.

“Në një kohë kaq të vështirë për shtetin, këta dy njerëz, ushtarët tanë, kanë marrë një vendim të rëndë. Guximtar për ta, për gjithë shtetin. Dashuria fiton,” – vuri në dukje, duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve, shefi i Forcave të Armatosura. Ai i uroi çiftit të ri shumë vite të lumtura të jetës bashkëshortore dhe fitore Ukrainës. Pas martesës, nuset vazhdojnë ta mbrojnë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila për shkaqe sigurie nuk jep detaje se ku është mbajtur ceremonia e martesës.

Deri më tani sipas njoftimeve zyrtare ukrainase, që nga fillimi i luftës janë bërë rreth 11 mijë martesa, dhe po aq lindje të reja.

Image
Momenti i nënshkrimit të kurorës me bekimin e komandantit ushtarak

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat