Po vazhdojnë edhe më tej sulmet ruse ndaj Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është drejtuar parlamentit izraelit dhe u ka kërkuar ligjvënësve që të heqin dorë nga neutraliteti i Izraelit.
Ai citoi kryeministren e ndjerë izraelite, Golda Meir, në mesazhin e tij me fjalët “ne synojmë të jetojmë, por fqinjët tanë duan të na shohin të vdekur”.
Zelensky thotë se Izraeli ka mbrojtjen ajrore më të mirë në botë dhe thotë “ju patjetër mund të ndihmoni njerëzit tanë, të shpëtoni jetën e ukrainasve”.
Autoritetet në Mariupol në Ukrainën jugore thonë se Rusia ka shkatërruar një shkollë me 400 gra, fëmijë dhe të moshuar të strehuar brenda.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se konflikti ka dëbuar 10 milionë ukrainas nga shtëpitë e tyre.
OKB-ja tha se ata ose ishin zhvendosur brenda vendit, ose kishin ikur jashtë tij.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, i cili po ndërmjetëson bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, ka thënë se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje.