Vazhdojnë luftimet/ SHBA paralajmëron goditjen e radhës ndaj Rusisë - Zelensky thirrje botës

Evropë

Vazhdojnë luftimet/ SHBA paralajmëron goditjen e radhës ndaj Rusisë - Zelensky thirrje botës

Nga: BOTA SOT Më: 23 mars 2022 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 19:40 më 23.03.2022
Njerëzit qëndrojnë në radhë për ndihmë humanitare në portin jugor të rrethuar të Mariupol, Ukrainë. Fotografia: Alexander Ermochenko/Reuters

Kryetari i Kievit: Pothuajse gjithë territori i Irpinit është nën kontrollin ukrainas

Pothuajse i gjithë territori i qytezës së Irpinit – që ka qenëskenë e luftimeve të ashpra gjatë javëve të fundit – është nën kontrollin ukrainas, tha kryetari i Kievit.

Më herët gjatë marsit, mijëra banorë u larguan nga Irpini që gjendet vetëm 20 kilometra në veriperëndim të Kievit.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u tha gazetarëve se forcat ukrainase kanë zmbrapsur trupat ruse nga Irpini, por edhe nga Makariv, qytezë në perëndim të Kievit.

Ai tha se forcat ukrainase kanë “shkatërruar planin që të bëhet rrethimi i Kievit”.

Sipas Klitschko, po ka sulme në veri dhe lindje të qytetit. Ai u përgjigj në pyetjen e gazetarëve lidhur me shpërthimet që po duket se po ndodhin shumë pranë qendrës së Kievit, duke thënë se “ata kurrë nuk do të vijnë në Kiev”.

Ai po ashtu e cilësoi si “propagandë” pretendimin e Rusisë se qendra tregtare në Kiev, që u bombardua të hënën, po përdorej si depo armësh.

Blinken: Pjesëtarë të forcave ruse kanë kryer krime lufte

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka përcaktuar se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 23 mars.

“Sot, mund të njoftoj se bazuar në informacionet që janë të qasshme aktualisht, Qeveria amerikane vlerëson se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha Blinken përmes një njoftimi.

“Vlerësimi ynë është i bazuar me rishikimin e kujdesshëm të informacioneve që janë të qasshme nga burimet publike dhe ato të inteligjencës”, tha Blinken.

“Sikurse me çdo krim të supozuar, një gjykatë që ka juridiksion mbi krimin është përgjegjëse për përcaktimin e fajit për rastet specifike”, shtoi sekretari.

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë zakonisht ndjek penalisht krimet e supozuara të luftës.

SHBA-ja do të prezantojë sanksionet e reja kundër Rusisë më 24 mars

Shtetet e Bashkuara do të prezantojnë më 24 mars paketën e re të sanksioneve të figurave politike dhe oligarkëve të lidhura me Rusinë.

Sanksionet do të prezantohen kur presidenti amerikan, Joe Biden, të marrë pjesë në takimin e liderëve të NATO-s për Ukrainën, tha të mërkurën këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Sullivan foli me gazetarët teksa Biden u nis për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Sipas Sullivan, liderët e grupit G7 janë pajtuar që të enjten, më 24 mars, të vendosin sanksione të koordinuara dhe planifikojnë që të lëshojnë një deklaratë të përbashkët.

Qyteti i vogël ukrainas ia prish planet e mëdha Rusisë

Ishte një prej betejave më vendimtare të luftës deri tani, një përplasje e fuqishme dyditore për kontrollin e qytetit të vogël Voznesensk dhe urës strategjike të tij.

Fitorja do t’u kishte mundësuar forcave ruse që të futeshin edhe më thellë nga bregu i Detit të Zi drejt Odesës dhe një centrali të rëndësishëm bërthamor në Ukrainë. Por trupat ukrainase, të mbështetura nga vullnetarë vendas, arritën të shkatërronin planet e rusëve, fillimisht duke hedhur në erë urën dhe më pas duke detyruar ushtrinë armike që të tërhiqej deri në 100 kilometra në lindje.

“Është e vështirë ta shpjegosh si ia dolëm. Falë shpirtit luftarak të popullit tonë dhe ushtrisë ukrainase”, thotë për BBC kryebashkiaku 32-vjeçar i Voznesensk, Yevheni Velichko.

Por thuajse tri javë pas betejës, ai pranon se një tjetër sulm nga forcat ruse pritet nga momenti në moment.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

“Shfaqje m***, avioni ynë hodhi bomba mbi ne”, telefonata e përgjuar - ushtari rus përshkruan pushtimin e “çmendurisë” së Putinit

Dy ushtarë rusë janë dëgjuar duke përshkruar pushtimin e Vladimir Putinit në Ukrainë si një "shou" pasi trupat e tyre hodhën një bombë mbi ta, sipas një telefonate të përgjuar.

Audio zbulon një ushtar, emri i të cilit nuk dihet, duke përshkruar se si një kolonë e forcave ruse që ishin dërguar pranë njësisë së tij u 'shkëput' nga forcat ukrainase, raporton Daily Mail, përcjell Bota sot.

Ushtari pranë Mykolaiv në Ukrainën jugore, i tha kolegut të tij se sulmi çoi në kaos brenda radhëve të ushtrisë ruse, me 50 për qind të njësisë që vuante nga ngricat.

 

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

Taktika luftarake ruse në krim, e ngjashme me atë që Moska përdori në Siri

Në Idlib, një nga zonat e vetme ende në luftë pas 11 viteve të konfliktit sirian, familjet që po ndjekin sulmin e Rusisë në Ukrainë thonë se taktikat luftarake të Moskës ngjasojnë me ato të përdorura në Siri. Ata kanë frikë se ukrainasit do të paguajnë një çmim të ngjashëm shkatërrimtar.

Njëmbëdhjetë vitet e luftës kanë mbetur Sirinë të copëtuar, të varfër dhe të paqëndrueshme. Qeveria e Presidentit Bashar al-Assad kontrollon pjesën më të madhe të vendit, por jo të gjithë territorin e tij.

Në Idlib, një provincë me 4 milionë banorë, gjysma të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, një ëndërr që filloi gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011.

Të mbijetuarit thonë se ëndërra u kthye shpejt në një makth, që vazhdon edhe sot.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

NATO: 7-15 mijë ushtarë rus janë vrarë në Ukrainë

Një zyrtar i lartë i NATO-s thotë se sipas vlerësimeve të Aleancës, Rusia mund të ketë pësuar 30 deri në 40 mijë humbje mes radhëve të forcave të saj në Ukrainë gjatë muajit të parë të luftës, mes të cilëve 7 deri 15 mijë të vrarë.

Kjo është hera e parë që NATO jep vlerësime për humbjet e forcave ruse në Ukrainë, që kur filloi lufta më 24 shkurt.

Ushtaraku i lartë i NATO-s, që foli në kushte anonimiteti, tha se vlerësimi për ushtarët e vrarë rus bazohet në përpunimin e informacioneve që jep qeveria ukrainase, nga informacionet që dalin nga Rusia, si dhe nga burime të tjera të hapura.

Qeveria amerikane deri tani nuk ka pranuar të japë vlerësime publike për humbjet mes ushtrisë ruse dhe ukrainase, duke thënë se informacionet nuk janë shumë të besueshme.

Zyrtari i NATO-s tha se humbjet prej 30–40 mijë trupash mes radhëve të forcave ruse, është llogaritur sipas vlerësimit standard ushtarak, që në raste luftrash, për çdo ushtar që humb jetën ka tre të tjerë të plagosur. Mes humbjeve llogariten të vrarët, të plagosurit ose ata të kapur rob.

Ndërkohë në një fjalim para parlamentit të Francës, Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje kompanive franceze të largohen nga Rusia dhe të mos ndihmojnë indirekt luftën kundër Ukrainës.

Zoti Zelensky e shfrytëzoi fjalimin për të siguruar mbështetje më të madhe nga Evropa për vendin e tij. Ai i bëri thirrje Francës për ndihmë me armë, pajisje dhe avionë.

Në një fjalim po sot për parlamentin japonez, zoti Zelensky i bëri thirrje Japonisë të vendosë embargo tregëtare ndaj Rusinë dhe firmave japoneze u kërkoi të largohen nga Rusia.

Gjatë 28 ditëve të kaluara, tha ai, mijëra vetë, përfshi 121 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë dhe mbi 9 milionë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë. "Ne as mund të varrosim të vdekurit", tha ai.

Ndërsa lufta po hyn në muajin e dytë, Rusia është bllokuar në një luftë të lodhshme, të kushtueshme, të pasigurtë ushtarakisht, me një numër të patreguar ushtarësh të vrarë dhe pa shenja se do të përfundojë shpejt.

Ekonomia e Rusisë po dëmtohet nga sanksionet e ashpra që ka vënë perëndimi. Objektivat kryesore strategjike ruse janë ende të paplotësuara. Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev është bombarduar vazhdimisht po nuk ka rënë dhe as është i rrethuar.

Forcat ruse po bombardojnë objekte nga larg, duke përsëritur taktikat që kanë përdorur më parë në Çeçeni dhe Siri.

Plaka ukrainase: I mbijetova urisë masive dhe Luftës së Dytë Botërore, kjo është më e tmerrshme

US CBS News publikoi një video prekëse të një gruaje ukrainase 95-vjeçare që i mbijetoi Holodomorit (uria masive e shkaktuar nga Stalini në Ukrainë, e cila vrau miliona ukrainas) dhe Luftës së Dytë Botërore.

“Në 95 vitet e mia, nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. I mbijetova urisë së vitit 1933, Luftës së Dytë Botërore, por nuk kam parë kurrë diçka kaq të tmerrshme”, tha ajo.

“Pse? Kujt i duhet kjo luftë? Ne jemi ukrainas. Ne duam të jemi të pavarur. Ne kemi qenë të pavarur për 30 vjet. Le të jetojmë të pavarur. Ne kemi kaluar 70 vjet nën këtë zgjedhë”, tha ajo.

Momentet e humanizmit gjatë një muaji lufte në Ukrainë

Gjatë një muaji dhune në Ukrainë, ka pasur edhe momente të emocioneve të fuqishme, të mirësisë dhe të dashurisë, nga njerëzit e ikur nga lufta dhe nga ata që përpiqeshin t’iu ndihmonin atyre.

I dërguari special i Kremlinit jep dorëheqje

Nga: M.L.

Përfaqësuesi special i presidentit rus Vladimir Putin për marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, Anatoli Chubais, ka njoftuar dorëheqjen e tij, shkruan SRF transmeton "Bota sot". Këtë e ka konfirmuar të mërkurën në Moskë një zëdhënës i ish-politikanit të lartë, i cili numërohej gjithmonë në kampin liberal.

Sipas një raportimi të gazetës së përditshme “RBK”, 66-vjeçari thuhet se po largohet nga Rusia me gruan e tij dhe dëshiron të udhëtojë për në Turqi.

Fillimisht nuk pati asnjë reagim zyrtar nga shteti. Thuhet se dorëheqja lidhet me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Fillimisht nuk kishte asnjë informacion nga zëdhënësi i tij. Chubais mori postin si përfaqësues special në dhjetor 2020.

Nën ish-kreun e shtetit Boris Jelcin, ai kishte shtyrë përpara privatizimin e ekonomisë si nënkryetar i qeverisë dhe kreu i administratës presidenciale.

Më vonë ai menaxhoi kompani të rëndësishme për shumë vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat