Aktivistët çekë mbajtën një tubim paqeje përpara ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Pragë të martën mbrëma, duke nderuar ata që u vranë nga bombardimet ruse në qytetin ukrainas të Mariupol, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Pjesëmarrësit shprehën fjalën "fëmijë" në rusisht me qirinj, një referencë për shenja të ngjashme që shiheshin në një teatër të bombarduar në Mariupol, ku qindra njerëz kishin kërkuar strehim. Numri i të vdekurve nga sulmi në teatër është ende i paqartë, por të mbijetuarit i thanë BBC-së se panë skena të tmerrshme dhe zemërthyese.
Për javë të tëra, Mariupol është nën granatimet e vazhdueshme nga forcat ruse, të cilat kanë rrethuar plotësisht qytetin port.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se nuk ka “ngelur asgjë” nga Mariupol, duke shtuar se 100,000 civilë janë bllokuar pa akses në ushqim, ujë apo ilaçe.
Ka pasur një valë mbështetjeje për Ukrainën në Republikën Çeke, me mijëra të pranishëm në protesta kundër Rusisë që nga fillimi i luftës.
Rreth 270,000 refugjatë ukrainas kanë hyrë në vend dhe parlamenti çek ka miratuar ligje që e bëjnë më të lehtë për refugjatët aksesin e punës dhe sigurimit shëndetësor.
Por zyrtarët qeveritarë kanë shprehur gjithashtu shqetësime se si mund të vazhdojnë të përballen me fluksin e vazhdueshëm - një ministër ka thënë se vendi "po balancon në kufirin e kapaciteteve ku ne jemi në gjendje të ofrojmë kushte komode jetese".