Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të zhvillojë bisedime të reja me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë 48-72 orëve të ardhshme, lidhur me situatën në Ukrainë dhe një nismë për të ndihmuar banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit.
Macron tha se po koordinonte përpjekjet me Greqinë dhe Turqinë dhe tha se shpreson që ta bindë Rusinë që të lejojë evakuimin nga ky qytet-port, që gjendet në juglindje të Ukrainës.
Mariupoli është goditur më së rëndi nga bombardimet ruse. Dhjetëra-mijëra persona besohet se janë të bllokuar në qytet dhe kanë pak qasje në ushqim, rrymë apo ngrohje, ndërkaq, pjesa më e madhe e qytetit është shndërruar në gërmadha nga bombardimet ruse.
Lidhur me situatën në Mariupol, Macron tha se ka biseduar me kryetarin e këtij qyteti.
“Ne po koordinohemi dhe ne do të negociojmë me rusët”, u tha Macron gazetarëve në Bruksel, pas një samitit të Bashkimit Evropian.
Ai tha se shpreson që ndihma të arrijë te banorët e Mariupolit në ditët e ardhshme.
“Do të zhvillojë një bisedë me presidentin Putin në 48-72 orët e ardhshme për të finalizuar detajet dhe modalitetet. Kjo çështje është urgjente”, tha Macron.