Plazhet e Turqisë, Qipros, Tajlandës dhe Kubës zakonisht tërheqin miliona turistë ruse dhe ukrainas të pasur. Këtë vit këto destinacione duken të zbrazëta, duke shuar shpresat për një ringjallje për industritë turistike të vendeve.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar kryesisht në sektorin e turizmit të Turqisë, veçanërisht në Antalia, një rajon mesdhetar në Turqinë jugore, i mbushur me plazhe vezulluese dhe rrënoja arkeologjike.
Turqia ka pritur 20 milionë turistë nga Rusia dhe Ukraina në tre vitet e fundit dhe priste me padurim më shumë turistë në vitin 2022. Për fat të keq, pushtimi i frikshëm rus i Ukrainës mund të sjellë një goditje në sektorin e turizmit të Turqisë.
Nga 3 milionë e 513 mijë që vizituan Antalian vitin e kaluar 1 milion e 510 mijë ishin mysafirë të ardhur nga Rusia që shpenzuan rreth 31 miliardë euro për akomodim dhe shpenzime të tjera në rezortet e pushimit. Ukrainasit u renditën të dytët pas rusëve në frekuentimin e plazheve turke me 558 mijë. Gjermanët me 346 mijë e 319 turistë, Anglia me 211 mijë e 881 mysafirë dhe Polonia me 90 mijë e 751 turistë.
Linjat ajrore turke kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Rusia të paktën deri në fund të muajit prill, si dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj bankave ruse i kanë lënë rusët pa shumë para për të shpenzuar për turizëm.