Zhvillimet kryesore të ditës

Evropë

Zhvillimet kryesore të ditës

Më: 29 mars 2022 Në ora: 15:10
Pamje nga lufta në Ukrainë

Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të ditës së 34-të të luftës në Ukrainë:

Bisedimet: Delegacionit e Ukrainës dhe Rusisë u takuan sot në Stamboll të Turqisë. Gjatë këtyre bisedimeve, Kievi ka ofruar që të miratojë një status neutral dhe të mos i bashkohet aleancave ushtarake, në këmbim të garancive të sigurisë. Po ashtu Ukraina ka thënë se dëshiron të bisedojë për statusin e Krimesë së Aneksuar. Nikoqirja e takimit, Turqia, tha se ky ishte rundi më i suksesshëm i bisedimeve që dy palët kanë zhvilluar deri më tani.

Tërheqja e Rusisë: Teksa u mbajtën bisedimet e paqes, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se “do të zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak pranë Kievit dhe Çernihivit. Ky njoftim vjen në ditën e njëjtë kur Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se ushtria ukrainase ka zmbrapsur nga një sërë pozicionesh forcat ruse.

Sulmet: Ukraina raportoi për të paktën tri viktima në Mikolajiv pas një sulmi me raketa në ndërtesën administrative të këtij qyteti. Ushtria ukrainase më herët gjatë ditës po ashtu raportoi se sulmet ruse po kanë në shënjestër depot e karburanteve në disa qytete në mbarë vendin.

Evakuimet: Kievi njoftoi se pala ruse është pajtuar që gjatë ditës së sotme të hapen tri korridore humanitare, përfshirë një në Mariupol. Ky qytet-port ukrainas, është qyteti i goditur më së keqi nga bombardimet ruse. Në këtë qytet besohet se kanë mbetur të bllokuar afër 160,000 banorë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat