Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sinjalet nga bisedimet për paqe, mund të konsiderohen pozitive, mirëpo ka shtuar se ato nuk kanë ndalur shpërthimet nga ana e Rusisë
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se Rusia është duke “ripozicionuar” forcat e saj afër Kievit, mirëpo nuk është duke i tërhequr ato, andaj qyteti është nën rrezik
Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim
Polonia ka miratuar një projektligj që do të ndalonte importin e thëngjillit rus, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller. Ky shtet u ka kërkuar partnerëve të Bashkimit Evropian që të vendosin embargo në blerjen e energjisë ruse, mirëpo nuk ka arritur t’i bindë deri më tani.