Pentagoni tregon ku po shkojnë trupat që po largohen nga Kievi, Britania rrit presionin ndaj Rusisë

Evropë

Pentagoni tregon ku po shkojnë trupat që po largohen nga Kievi, Britania rrit presionin ndaj Rusisë

Nga: BOTA SOT Më: 30 mars 2022 Në ora: 06:39 Përditësuar në ora: 23:46 më 30.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia mund të përjashtohet nga FIFA

Këshilli i FIFA-s, i cili po zhvillohet në Doha, mund të marr një vendim të madh. Një nga pikat e rendit të ditës është ratifikimi i sanksioneve që Byroja miratoi kundër Rusisë në fillim të marsit, me pezullimin e të gjitha klubeve dhe ekipeve ruse nga çdo kompeticion.

Hapi tjetër i FIFA-s është të shkojë më tej dhe sipas gazetës spanjolle “AS” në Këshill rusët mund të përjashtohen përfundimisht nga garat, diçka që CAS e miratoi me dënimin e saj pas apelit të paraqitur nga Federata Ruse kundër FIFA-s dhe UEFA-s. Masa më drastike atëherë do të ishte heqja e drejtpërdrejtë e Rusisë nga anëtarësimi në FIFA.

Edhe pse nuk është e zakonshme, pavarësisht precedentëve të vendeve të tjera që kanë hyrë në luftë, tashmë ka ndodhur, për shembull, në vitet 1970 kur Afrika e Jugut u përjashtua nga FIFA për politikën e saj të aparteidit. Rusët, nga ana e tyre, besojnë se FIFA nuk do të marrë një vendim kaq të ashpër, ata e dinë se janë në rrezik dhe arrijnë në Kongresin e FIFA-s me synimin për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur këtë situatë.

Në rendin e ditës në Doha, janë skenarët e mundshëm të tanishëm dhe të ardhshëm të futbollit botëror, nga rregullat e reja për caktimin e Kupës së Botës pas vitit 2026, te zgjerimi i skuadrave të ekipeve kombëtare, duke kaluar në projektin e kundërshtuar nga Evropa dhe Amerika e Jugut që Kupa e Botës të zhvillohet çdo dy vjet deri në miratimin e Kupës së Botës për Klube, një turne katërvjeçar, i cili do të zëvendësojë Kupën e Konfederatave dhe që do të shohë 32 klube nga të gjitha kontinentet të garojnë kundër njëri-tjetrit.

Përmbledhja e ditës së 35-të të luftës

Kjo është përmbledhja e ditës së 35-të të luftës:

-Katër miliona njerëz kanë ikur nga Ukraina prej nisjes së luftës, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë

-Sipas OKB-së, 1,189 civilë kanë vdekur në Ukrainë, duke përfshirë 98 fëmijë, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt

-Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se nuk është arritur asgjë premtuese në bisedimet Rusi-Ukrainë më 29 mars në Stamboll, derisa negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë se ndihet optimist pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse

-Një negociator rus ka thënë se pozicioni i Rusisë për Krimenë dhe rajonin e Donbasit mbetet i pandryshuar

-Guvernatori i Çernihivit ka thënë se sulmet ruse kanë vazhduar në këtë rajon, pavarësisht zotimeve ruse për zvogëlim drastik të sulmeve

-Një zyrtar ukrainas ka thënë se Rusia është duke bombarduar gati të gjitha qytetet në vijën e frontit në rajonin Donjeck

-Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë

-Forcat ruse janë “shumë, shumë afër” qendrës së qytetit të rrethuar Mariupol, sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby

-Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali Tod Wolters, ka thënë se beson që prezenca e trupave amerikane në rajon duhet të “ndryshojë” për të reflektuar ndaj kërcënimit në rritje të Rusisë

-Rusia do të vazhdojë të lejojë shtetet evropiane që të paguajnë gazin rus me euro dhe jo rubla, siç ka kërcënuar së fundi, ka thënë Qeveria gjermane

Pentagoni: Trupat ruse janë “shumë afër” qendrës së Mariupolit

Forcat ruse janë “shumë, shumë afër” qendrës së qytetit të rrethuar Mariupol, sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby.

Në një konferencë para gazetarëve në Pentagon, Kirby ka akuzuar Rusinë për shënjestrim të infrastrukturës civile, ndërtesave të banimit dhe spitaleve.

“Qyteti është duke u bombarduar me sulme ajrore”, ka thënë Kirby.

“Qyteti thjesht po shkatërrohet nga sulmet ajrore ruse”.

Kirby ka thënë se në një “moment të përshtatshëm” Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë mësimet nga lufta, dhe rolin e tyre në mbështetje të forcave ukrainase.

“Shtetet e Bashkuara do të analizojnë se çfarë kanë mësuar duke parë sesi Rusia nuk ka funksionuar mirë, dhe sesi ukrainasit kanë vepruar në mënyrë të mahnitshme”, ka thënë ai.

“Ne të gjithë duam të mësojmë nga gjërat që shohim dhe do të vazhdojmë të mësojmë edhe nga sjelljet tona, dhe përpjekjet për t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë veten”.

Shtëpia e Bardhë: Putin ndihet i mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë.

“Ne besojmë se Putin është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa dobët është duke vepruar ushtria ruse dhe si është duke u dëmtuar ekonomia ruse nga sanksionet, sepse këshilltarët e lartë ushtarakë janë shumë të frikësuar për të treguar të vërtetën”, ka thënë drejtorja për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një prononcim para gazetarëve.

Ajo ka thënë se “është e qartë” që pushtimi rus në Ukrainë ka qenë “gabim strategjik” që do ta lë atë të dobët në periudhë afatgjatë.

Bedingfield ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të shohin të dhëna për sulmet ruse dhe avancim në vendet që Rusia ka thënë se nuk do të luftojë”.

Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit dhe do të fokusohet në rajonin lindor Donbas.

Por, zyrtarët lokalë në Çernihiv, kanë thënë se sulmet kanë vazhduar gjatë natës.

Pentagoni: Forcat ruse po largohen nga Kievi, po ripozicionohen në Bjellorusi

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se rreth 20 për qind e forcave ruse që ishin tërhequr nga rrethi i Kievit, janë drejtuar në Bjellorusi, gjatë 24 orëve të fundit.

Ai tha se vlerësimi i Pentagonit është se rusët do t’i furnizojnë trupat ushtarake dhe ndoshta do t’i ripozicionojnë diku tjetër në Ukrainë, teksa shtoi se në këtë fazë, ripozicionimi i forcave ruset nuk po bëhet më ndonjë speficikë, shkruan CNN.

Tutje, Kirby tha se nëse Rusia është në lidhje me pretendimet për de-përshkallëzim, ata duhet t’i çojnë trupat e tyre në garnizon e tyre në Rusi, teksa shtoi se forcat ruse janë ende duke e sulmuar Kievin me sulme ajrore, bombardime e zjarr artilerie.

Komandanti i ushtrisë: Ushtria amerikane në Evropë duhet të ndryshojë

Komandanti i lartë i ushtrisë amerikanë në Evropë, Tod Wolter, ka thënë se qëndrimi i trupave amerikanë në rajon duhet të ndryshoj, marr parasysh kërcënimin në rritje nga Rusia.

Wolters, i cili drejton Komandën Evropiane të Ushtrisë, pushtimin e Ukrainës e ka quajtur si “akt të pakuptimtë”.

Ai shtoi se invazioni rus ofron një mundësi për të rishqyrtuar arkitekturën e përhershme ushtarake që ekziston në Evropë, shkruan BBC.

Tutje, ai shtoi se kjo do të përfshinte si dislokimet e trupave në terren në Evropën Lindore, patrullimin ajror si dhe forcat detare.

Mbretëria e Bashkuar prezanton ligje të reja që synojnë oligarkët rusë

Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar ligje të reja që kanë për qëllim “t’ua parandalojnë oligarkëve rusë qasjen në shërbimet britanike të aviacionit dhe ato detare”.

Zyra e Jashtme britanike ka thënë se legjislacioni do të ndalojë mirëmbajtjen e aeroplanëve apo anijeve që u takojnë oligarkëve të sanksionuar rusë apo bizneseve të tyre.

Departamenti ka thënë se kompetencat e reja janë zbatuar menjëherë për të sanksionuar biznesmenët rusë, Eugene Shvidler dhe Oleg Tinkov.

Ndërkohë, sanksionet financiare, tregtare dhe ato të transportit, që janë vendosur në lidhje me Krimenë, janë zgjeruar edhe për rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss ka thënë se “nuk ka dyshim që presidenti rus, Vladimir Putin dhe elita e tij janë befasuar nga fuqia e sanksioneve tona”.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin për aq kohë sa trupat ruse të jenë në Ukrainë, duke shënjestruar jo vetëm bizneset e oligarkëve, por edhe asetet e tyre dhe stilin e jetës”.

Gjermania: Rusia do të pranojë pagesat e gazit në euro

Rusia do të vazhdojë të lejojë shtetet evropiane që të paguajnë gazin rus me euro dhe jo rubla, siç ka kërcënuar së fundi, ka thënë Qeveria gjermane.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se pagesat nga Evropa, muajin e ardhshëm "do të vazhdojnë të kryhen në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Bankën Gazprom, e cila nuk është e prekur nga sanksionet”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Banka më pas do të konvertojë pagesat në rubla, ka thënë Putin, sipas Hebestreit.

“Scholz nuk është pajtuar për këtë procedurë në bisedë, mirëpo ka kërkuar informacion me shkrim për të kuptuar më mirë procesin”.

Rusia ka thënë më parë se shtetet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë gazin rus në rubla nga 31 marsi.

Zëdhënësi gjerman ka shtuar se Scholz vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj marrëveshjes së shtatë vendeve më të industrializuara se furnizimet ruse me energji duhet të paguhen vetëm në euro dhe dollarë amerikanë.

Gjermania merr rreth gjysmën e gazit të saj dhe një të tretën e naftës nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me recesion nëse furnizimet ndalen papritur

Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kanë rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë prej kur kjo e fundit ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Ushtari ukrainas flet nga fshati i çliruar në Kharkiv

Pas më shumë se një muaj luftimesh të ashpra në rajonin e Kharkivit, ushtria ukrainase thotë se ka çliruar një fshat dhe se ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme po detyrojnë forcat ruse të tërhiqen. Duke folur nga fshati i çliruar Mala Rohan, një ushtar ukrainas thotë se në këtë zonë ka filluar të rikthehet jeta.

Në fshatin Mala Rohan, në lindje të rajonit të Kharkivit, i çliruar nga trupat ukrainase, këto shkatërrime janë dëshmitë e pranisë ushtarake ruse.

Dy tanke të djegura shihen pranë shtëpive të shkatërruara të fshatit.

Guvernatori i Kharkivit Oleh Synegubov tha para dy ditësh se një kundërsulm i forcave ukrainase çliroi fshatin që ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Kharkivit.

Lajmi i plotë KETU

“Ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”/ Ish-zyrtari i lartë amerikan tregon kur do të përfundojë lufta në Ukrainë

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

David L. Phillips, Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia, ka thënë se lufta në Ukrainë do të përfundojë vetëm kur forcat ruse të mposhten ushtarakisht dhe të dëbohen nga vendi.

Në një shkrim të publikuar në Washington Times, këshilltari i lartë dhe eksperti i punëve të Jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave të Clinton, Bush dhe Obama, ka theksuar se virusi i nacionalizmit agresiv të Rusisë do të zhduket vetëm kur populli rus ta largojë Putinin nga detyra.

Teksa ka lavdëruar lartë administratën e presidentit amerikan Joe Biden, për përpjeket e saj diplomatike transatlantike, Phillips ka thënë se ajo ka udhëhequr reagimin humanitar dhe ka koordinuar ndihmën e sigurisë. 

Sipas tij, udhëheqja globale e SHBA-së është përmirësuar nga përpjekjet proaktive të Bidenit në Ukrainë. Eksperti amerikan vlerëson se Administrata Biden mund të përshpejtojë përfundimin e luftës duke zgjeruar fushën dhe llojet e ndihmës për sigurinë. 

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat