Redaktori politik i Kyiv Independent, Oleksiy Sorokin thotë se njerëzit në kryeqytetin ukrainas po përpiqen të kthehen në normalitet sa më shumë që të jetë e mundur, pavarësisht zhurmave të luftimeve vetëm 20-30 km në veri-perëndim të qytetit.
“Çdo natë ne shkojmë të flemë dhe dëgjojmë mbrojtjen ajrore ukrainase dhe artilerinë ruse… qyteti duket si një kështjellë. Ndërkohë disa njerëz hanë pica dhe pinë një kafe”, tha ai për BBC nga Kievi, përcjell Bota sot.
“Dje vizitova miqtë e mi që jetojnë në perëndim të Kievit. Në thelb mund të dëgjoni çdo të shtënë”, tha ai.
Sorokin tha se ukrainasit nuk i besojnë Rusisë, por ka shenja se ata po tërhiqen nga rajoni. Morali mbetet shumë i lartë mes ukrainasve, tha ai.
I pyetur për propozimin e paqes të Ukrainës, ai tha se shumë ukrainas e kuptojnë se vendi nuk do të mund të bashkohej me NATO-n në të ardhmen e afërt.
Por ai tha se ka shqetësime rreth sugjerimeve se qeveria mund të jetë gati të ngrijë bisedimet për kontrollin e rajoneve të Donbasit dhe Krimesë.
“Kjo është ajo nga e cila kanë frikë shumë njerëz, veçanërisht këtu në Kiev,” tha ai.