LIVE: Rusia tradhton sërish Ukrainën, paralajmërohen goditje të reja ndaj Putinit

Evropë

LIVE: Rusia tradhton sërish Ukrainën, paralajmërohen goditje të reja ndaj Putinit

Nga: Bota sot Më: 1 prill 2022 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 01:02 më 02.04.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Zelensky: Situata në Ukrainën lindore mbetet e vështirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur fjalimin në orët e vona të natës.

Ai tha se duket se trupat ruse po tërhiqen nga veriu i vendit, duke e përshkruar tërheqjen si "të ngadaltë por të dukshme".

Zelenskyy shtoi se situata në Ukrainën lindore mbetet e vështirë, ndërsa beson se Rusia po përgatitet për sulme të reja në rajonet Donbas dhe Kharkiv, përcjell "Bota sot".

Ndërkohë, duke folur në një intervistë për Fox News, udhëheqësi ukrainas tha se duket se sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi po funksionojnë.

Megjithatë, Zelenskyy tha se nevojitet presion i mëtejshëm./AM

Presidentja e PE-së viziton Kievin, takohet me Zelenskyn

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola është takuar në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Vizita është vlerësuar lart nga i pari i Ukrainës.

“Unë sinqerisht dua të ju falënderoj ju personalisht Roberta dhe të gjithë ekipin tuaj që jeni këtu në një moment kaq të rëndësishëm për shtetin tonë. Në këtë moment ju po tregoni heroizëm. Tani është heroike të vish në Ukrainë”, tha Zelensky.

Sipas tij, ardhja e partnerëve ndërkombëtarë në një kohë kur ukrainasit po mbrojnë vendin e tyre është një hap i rëndësishëm në mbështetje të popullit ukrainas.

Ndërkohë Roberta Metsola ka siguruar se Bashkimi Evropian mbështet ambiciet e Ukrainës për të qenë vend kandidat dhe do të ofrojë ndihmë në rindërtimin e qyteteve dhe fshatrave.

Në takim me kryetarin e parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, ajo tha se cenimi i Ukrainës nga ana e Rusisë është cenim i gjithë Europës dhe rendit të ri botëror.

“Bashkimi Evropian njeh ambiciet evropiane të vendit tuaj dhe aspiratat tuaja për të qenë një vend kandidat për anëtarësim dhe ju mund të mbështeteni në përkrahjen e plotë të Parlamentit Evropian në arritjen e këtij qëllimi”, tha Metsola.

Metsola mori pjesë në një seancë plenare të parlamentit ukrainas.

Rusët sulmohen në rrugë, ushtria ukrainase publikon momentin

Një video e re e publikuar nga betejat e ushtrisë ukrainase përballë agresorit rus, tregon se si këta të fundit sulmohen gjatë patrullimit në rrugë.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, pamje të tilla janë tashmë të zakonshme në përditshmërinë e ukrainasve, përcjell Bota sot.

“Kështu duken tani ditët e përditshme të ushtarëve ukrainas!

Dalja në pension për pushtuesit rusë është gjithashtu e dhimbshme.

Së bashku do të fitojmë!”, shkruhet në postimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në Facebook.

Çfarë zbuloi Prokuroria bullgare për diplomatët e Putinit, merret ky vendim

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Një hetim ka vërtetuar se Sekretari i Parë i ambasadës ruse në Sofje kishte kryer spiunazh, tha më 1 prill Prokuroria Bullgare.

Për këtë, prokurori i përgjithshëm Ivan Geshev, e ka njoftuar ministren e Jashtme Teodora Gençovska, thuhet në deklaratë, raporton sofiaglobe.com, përcjell Bota sot.

Më herët, kreu i Agjencisë Shtetërore për Sigurinë, Plamen Tonçev, tha se më shumë diplomatë rusë do të shpallen persona non grata në Bullgari dhe do të dëbohen nga vendi.

Më 18 mars, disa javë pas fillimit të pushtimit aktual të Rusisë në Ukrainë, Bullgaria shpalli persona non grata 10 diplomatë rusë, në një seri dëbimesh të diplomatëve rusë pasi prokurorët thanë se ata kishin spiunuar.

Shkrimin e plotë lexojeni KËTU

Zhvillimet kryesore të ditës në Ukrainë

Zhvillimet kryesore të ditës së premte kanë qenë:

-UNESCO thotë se të paktën 53 vende historike ukrainase janë goditur që nga fillimi i luftës

-Mbi 6 mijë njerëz u evakuuan të premten nga qytetet në vijën e parë të luftës

-BE-ja i bëri thirrje Kinës të mos ndihmojë Rusinë që të shmangë sanksionet perëndimore

-Ekipet e shpëtimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nuk mundën të arrinin në Mariupol të premten, për të ndihmuar operacionin e evakuimit të civilëve

-Rusia nuk lejoi evakuimin e civilëve nga Mariupoli

-Ukraina riktheu qytetin Buça

-Rusia thotë se nuk do të ndërpresë ende furnizimin me gaz në Evropë

-Rusia pretendon se zjarri në një depo karburanti në Belgorod filloi pasi dy helikopterë ushtarak ukrainas goditën këtë lokacion

-Luftimet shpërthyen pranë kryeqytetit ukrainas Kiev

-HRW-ja i ka bërë thirrje Ukrainës të hetojë krimet e mundshme të luftës

-Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se ende nuk është paraqitur “asnjë plan i miratuar” pas bisedimeve të paqes me Ukrainën

-Negociatat Ukrainë-Rusi kanë vazhduar sot në formën “on line”

-NATO-ja ka thënë se forcat ruse po rigrupohen për sulm

-Trupat ruse janë larguar nga Çernobili

UNESCO: Mbi 50 vende historike të Ukrainës janë dëmtuar

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Kulturore (UNESCO) thotë se të paktën 53 vende historike, ndërtesa fetare dhe muze të Ukrainës janë dëmtuar ose shkatërruar pjesërisht që nga fillimi i luftës.

UNESCO thekson se lista nuk është përfundimtare dhe ekspertët vazhdojnë të kontrollojnë raportet për dëme të tjera.

Dëmet në 29 objekte fetare, 16 objekte historike, katër muze dhe katër monumente u verifikuan nga imazhet satelitore dhe raportet e dëshmitarëve.

Më shumë dhjetëra lokacione ndodhen në Kharkiv, një nga zonat më të prekura nga granatimet në Ukrainë.

Lista nuk përfshin asnjë informacion për vendeve apo ndërtesat në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Zjarr i fuqishëm në Kiev, ushtria ukrainase shkatërron edhe fuqinë e gjallë të armikut

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Një betejë e ashpër mes ushtrisë ukrainase dhe agresorit rus është zhvilluar në rajonin e Kievit.

Në pamjet e publikuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, shihet se ukrainasit, pos dëmeve materiale, kanë vrarë edhe ushtarë të armikut, përcjell Bota sot.

“Ushtarët tanë ndalin fokusin e armikut në drejtim të Kievit.

Pas një zjarri të fuqishëm të goditur nga artileria, ushtarët ukrainas arritën të djegin disa dhjetëra njësi të armikut BMP, tanke, automjete të blinduara tajfun dhe kamionë. Dhe gjithashtu shkatërruan fuqinë e gjallë të armikut.

Garda Kombëtare dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë të çlirojnë vendbanimet në rajonin e Kievit nga pushtuesit.

#stoprusia”, shkruhet në postimin e ushtrisë ukrainase në Facebook.

Priten goditje edhe më të mëdha për ekonominë e Rusisë

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

Pas një telefonate me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba premtoi: "Më shumë goditje në ekonominë, sistemin financiar dhe tregtinë e Rusisë po vijnë", raporton BCC, transmeton Bota sot.

Kuleba shkroi në Twitter se dyshja kishin diskutuar mënyrat se si SHBA mund të mbështeste më tej ekonominë dhe ushtrinë e Ukrainës.

Ai shtoi se ishte mirënjohës për mbështetjen që SHBA-ja ka dhënë.

Leximi i thirrjes nga vetë Departamenti i Shtetit premton gjithashtu "të vazhdojë të mbajë përgjegjës ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera në Ukrainë".

Ukraina thotë se 6 mijë njerëz u evakuuan për 24 orë

Zyrtarët ukrainas thonë se gjithsej 6,266 njerëz u evakuuan të premten nga qytetet që janë në vijën e parë të luftës, përmes korridoreve humanitare.

Kirilo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së presidentit, tha se 3,071 njerëz ishin larguar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht raporteve të mëparshme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), i cili tha se nuk mund të hynte në qytetin jugor të bombarduar.

“Ekipi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili, të premten, ishte në rrugë drejt Mariupolit, për të mundësuar kalimin e sigurt të civilëve, u desh të kthehej në Zaporozhye, pasi marrëveshjet dhe kushtet e pamundësuan atë të vazhdonte më tej”, ka thënë më herët, të premten, KNKK-ja, duke shtuar se do të tentonte sërish të shtunën që të depërtonte në Mariupol.

Mbetet e paqartë se si kanë arritur këta njerëz të ikin nga qyteti, por besohet që kanë udhëtuar në qytetin juglindor Zaporozhye, i cili ishte një destinacion kyç për ata që ikën nga Mariupol.

Në Ukrainë, numri i viktimave po rritet ndërsa granatimet vazhdojnë

Autoritetet rajonale në Mykolayiv dhe Odesa kanë konfirmuar viktima të tjera ndërsa sulmet ruse vazhdojnë në të gjithë Ukrainën.

Ata në qytetin jugor të Mykolaiv konfirmuan 31 vdekje pas një sulmi me raketa, të martën, në ndërtesën e administratës rajonale.

Në deklaratë shtohet se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë dhe se në orët e fundit janë nxjerrë viktimat nga rrënojat.

Ndërkohë, të premten, tre raketa goditën një zonë banimi në Odesa.

Guvernatori lokal, Maksym Marchenko konfirmoi se kishte viktima, por nuk dha më shumë detaje.

“Armiku sapo ka kryer një sulm me tre predha në vendbanim”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat