LIVE: Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit, kjo është lëvizja e fundit e Rusisë

Evropë

LIVE: Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit, kjo është lëvizja e fundit e Rusisë

Nga: Bota sot Më: 2 prill 2022 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 21:13 më 02.04.2022
Ushtarët ukrainas në një automjet ushtarak jashtë Kievit të shtunën. Fotografia: Vadim Ghirdă/AP

Rusi, 208 të arrestuar në protestat kundër luftës në Ukrainë

Një organizatë ruse që monitorion arrestimet politike tha se 208 vetë u arrestuan në protestat kundër luftës në Ukrainë të mbajtura në të gjithë Rusinë të shtunën.

Organizata “OVD-Info” tha se protestat u zhvilluan në 17 qytete ruse, nga Siberia deri në qytetet më të populluara në perëndim të vendit. Më shumë se 70 vetë u arrestuan në Moskë dhe një numër i ngjashëm i tyre në Shën Petersburg, thuhet në njoftimin e organizatës.

Qeveria e Presidentit rus Vladimir Putin ka goditur ashpër grupet disidente, madje edhe përpara se Rusia të fillonte sulmin kundër Ukrainës në shkurt.

Nëpërmjet Rusisë, refugjatët ukrainas hyjnë në Estoni

Zyrtarët estonezë thonë se refugjatët ukrainas që mbërrijnë nga Rusia përfshijnë disa të zhvendosur nga Mariupoli i rrethuar në territorin rus, raporton BBC, transmeton “Bota sot”.

Ukraina ka akuzuar forcat ruse për "deportimin" e mijëra civilëve nga Mariupol, një qytet port i shkatërruar nga granatimet ruse. Rusia mohon të detyrojë njerëzit të largohen, por thotë se po kujdeset për mijëra njerëz nga atje.

Indrek Puvi, shefi i policisë së Narvës, në kufirin e Estonisë me Rusinë, tha se rreth 200 refugjatë ukrainas të luftës kishin hyrë çdo ditë në Estoninë e cila është vend anëtar i BE-së. Përveç njerëzve nga Mariupol, kishte refugjatë nga Kherson, Kharkiv dhe qytete të tjera.

Ai i tha transmetuesit publik ERR se disa kishin hyrë vullnetarisht në Rusi sepse nuk kishin mundur të iknin në Ukrainën perëndimore. “Megjithatë, ka pasur edhe njerëz që janë drejtuar me forcë në Rusi dhe janë lejuar të largohen vetë pasi kanë mbërritur atje”, tha ai.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë numrat e evakuuar në Rusi.

Rusia po lufton për të marrë Mariupolin për të lidhur Krimenë me Donbasin. Forcat e saj pushtuan të dy territoret në vitin 2014./ A.SH

Pamje 18+/ Pushtuesit i priste një takim “i ngrohtë”, ukrainasit për disa orë vrasin batalionin e armikut rus

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar pamje nga një betejë mes ushtrisë ukrainase dhe agresorit rus.

Sipas tyre, ushtria ruse dje aktivizoi sulmet në disa drejtime.

Por, ajo u ndal nga ushtarët ukrainas, të cilët kanë vrarë njësi të gjallë të armikut dhe kanë shkatërruar makinerinë e tyre ushtarake, përcjell Bota sot.

Lajmi e plotë lexojeni KËTU

 

 

Nata e parë e qetë në Çernihiv që nga muaji shkurt

Qyteti verior i Çernihivit, të premten pati natën e parë të qetë që nga pushtimi rus më 24 shkurt, tha për BBC-në nënkryetari i bashkisë së qytetit, Oleksandr Lomako.

Ai tha se “falë përpjekjeve të mëdha të ushtrisë ukrainase, trupat ruse u larguan nga shumica e fshatrave përreth Çernihivit”.

Pas javësh granatimesh dhe sulmesh ajrore ruse, Lomako tha se ka dëme të mëdha në infrastrukturën e Çernihivit.

Analistët perëndimorë dhe ukrainas besojnë se tërheqja ruse në pjesë të veriut është një plan rigrupimi, përpara një ofensive të re ruse në lindje të Ukrainës.

​Ukraina pretendon përparime të mëtejshme ushtarake rreth Kievit

Trupat ukrainase kanë rimarrë mbi 30 qytete dhe vendbanime nga forcat ruse në rajonin e Kievit, tha të shtunën këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych.

Por ndërsa forcat ukrainase mund të kenë rimarrë më shumë territor pranë kryeqytetit, luftime më intensive do të zhvillohen në zona të tjera të vendit, tha ai për televizionin lokal.

"Le të mos kemi iluzione - ka ende beteja të rënda përpara për jugun, për Mariupolin, për lindjen e Ukrainës", tha Arestovych.

Tashmë ka kaluar një javë që kur zyrtarët ushtarakë rusë njoftuan planin e tyre për të rifokusuar pushtimin në "çlirimin" e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore.

Mbetjet e rrënuara të avionit më të madh në botë

Disa më shumë tani në atë që ka mbetur nga Antonov An-225 i njohur si Mriya (Ëndërr) avioni që dikur ishte më i madhi në botë për disa masa.

Avioni ukrainas i ngarkesave po strehohej në një depo në aeroportin Hostomel të Kievit, i cili u bë një vend i kontestuar ashpër i luftimeve intensive pas fillimit të pushtimit.

Kompania shtetërore ukrainase e mbrojtjes vlerësoi koston e rindërtimit të anijes në 3 miliardë dollarë.

Forcat ruse tani raportohet se janë tërhequr nga aeroporti dhe sot BBC ka vizituar ku ka kapur disa pamje.

Peskov​: Bisedimet me Ukrainën nuk janë të lehta, por duhet të vazhdojnë

Bisedimet e Rusisë me Ukrainën nuk kanë qenë të lehta, por gjëja kryesore është se ato po vazhdojnë, citoi agjencia e lajmeve RIA zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai tha gjithashtu se Rusia do të donte të vazhdonte bisedimet me Ukrainën në Bjellorusinë fqinje, por Kievi e kundërshtoi idenë.

Rusia dhe Ukraina mbajtën disa runde bisedimesh në Bjellorusi muajin e kaluar përpara se delegacioni i tyre të takohej në Stamboll javën e kaluar.

Mbi 4,000 civilë u evakuuan, duke përfshirë më shumë se 1,200 nga Mariupoli

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Në total prej 4,217 civilësh u evakuuan përmes korridoreve në Ukrainë të shtunën, sipas zëvendëskryeministres së vendit, Iryna Vereshchuk.

Në një deklaratë në Telegram, Vereshchuk tha se 1,263 njerëz nga qyteti i rrethuar i Mariupol dhe qyteti i kontrolluar nga Rusia i Berdiansk arritën në qytetin e mbajtur nga qeveria ukrainase të Zaporizhzhia duke përdorur automjetet e tyre.

Një autokolonë evakuimi prej 10 autobusësh nga qyteti i Berdiansk me më shumë se 300 banorë të Mariupolit kaloi gjithashtu Vasylivka gjatë rrugës për në Zaporizhzhia, tha ajo.

Evakuimet vazhduan gjithashtu në rajonin lindor të Ukrainës Luhansk, me një total prej 2,650 personave që u larguan nga qytetet Severodonetsk, Rubizhne, Lysychansk, Kreminna, Popasna dhe Nyzhne, tha Vereshchuk.

Vereshchuk tha se 17 autobusë arritën në qytetin e Berdiansk nga Zaporizhzhia dhe pritej të dielën në mëngjes për të vazhduar evakuimin e banorëve të Mariupolit. Disa nga autobusët do të përpiqen të arrijnë më afër Mariupolit, shtoi ajo.

Mariupoli, i rrethuar nga postblloqet ruse, ka qenë nën bombardime intensive për javë të tëra. Zyrtarët ukrainas e kanë përshkruar situatën atje për banorët e mbetur si një emergjencë të madhe humanitare.

Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar tha se forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit.

Malyar tha se “i gjithë rajoni i Kievit është çliruar nga pushtuesi”.

Ka pasur edhe raportime të tjera që forcat ukrainase kanë rimarrë territorin rreth kryeqytetit ditët e fundit, derisa forcat ruse po tërhiqen.

Scholz paralajmëron “shkatërrimin e së ardhmes” si pasojë e luftës në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar pasoja të rënda botërore si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne duhet të sigurojmë që kjo luftë të përfundojë shpejt”, tha Scholz të shtunën.

Me sulmin ndaj vendit fqinj, presidenti rus Vladimir Putin po ndjek “pretendime territoriale që rrjedhin nga vizionet imperialiste të shekujve të mëparshëm”, tha Scholz.

“Putin nuk po kërcënon vetëm Ukrainën. Ai nuk po shkatërron vetëm jetë njerëzish, rrugë, infrastrukturë, shtëpi, spitale atje. Ai po shkatërron gjithashtu të ardhmen e Rusisë. Ky është gabimi më i madh i presidentit Putin”, theksoi Scholz.

Putin ka llogaritur gabim me luftën e tij, tha kancelari gjerman, duke iu referuar rezistencës së Ukrainës dhe unitetit të madh të botës demokratike.

“Sepse të gjitha planet, të gjitha skemat që presidenti rus ka vënë në lëvizje kanë dështuar. Ai nuk priste që Ukraina të mbrohej. Ai besonte se do të kishte njerëz që do të qëndronin atje duke valëvitur flamujt dhe duartrokitur. Nuk është kështu. Të gjithë po mbrojnë veten e tyre”, tha Scholz.

“Pas pesë javësh, tashmë mund të shihen pasojat që kjo luftë ka shkaktuar, jo vetëm në Ukrainë dhe Rusi, por në mbarë botën. Të gjitha vështirësitë me të cilat po përballet sot ekonomia botërore, të cilat tashmë ishin mjaft të mëdha për shkak të pandemisë së koronavirusit, tani po bëhen edhe më të mëdha për shkak të kësaj lufte”, tha Scholz.

“Unë them: është një shkatërrim i së ardhmes, shumë përtej Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi tha Scholz.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat