Zhvillimet kryesore të ditës në Ukrainë

Evropë

Zhvillimet kryesore të ditës në Ukrainë

Më: 3 prill 2022 Në ora: 12:09
Pamje nga lufta në Ukrainë

Përshëndetje të nderuar lexues, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të luftës në Ukrainë:

Luftimet: Rusia tha se ka goditur një rafineri të naftës dhe depo të karburanteve në qytetin-port të Odesës. Deri më tani, Ukraina nuk ka konfirmuar se është goditur rafineria e naftës, por vetëm ka thënë se infrastruktura kritike ka qenë cak i sulmeve ajrore dhe ka shtuar se deri më tani nuk ka njoftime për viktima. Ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur gjashtë sulme ruse në lindje, ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia dëshiron të marrë kontrollin e jugut dhe lindjes së vendit.

Evakuimet: Kryqi i Kuq ka thënë se do të vazhdojë përpjekjet për të evakuuar banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit. Autobusët, që do të përdoren për evakuim, janë nisur drejt Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Bisedimet: Kryenegociatori rus tha se bisedimet e paqes me Ukrainën nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm që presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, të takohen. Megjithatë, një ditë më parë, pala ukrainase kishte thënë se një takim i tillë mund të ndodhë, pasi në negociata është shënuar përparim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat