Lufta në Ukrainë/ Rusia përgatit taktika të reja – Putinin e pret një javë e rrezikshme!

Evropë

Lufta në Ukrainë/ Rusia përgatit taktika të reja – Putinin e pret një javë e rrezikshme!

Nga: Bota sot Më: 4 prill 2022 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 00:46 më 05.04.2022
Vullnetarët mbledhin trupat e civilëve të vrarë, në Bucha, afër Kievit, Ukrainë, të hënën, 4 prill 2022. Rusia po përballet me një valë të re dënimi pasi dolën prova të asaj që dukej të ishte vrasje e qëllimshme e civilëve në Ukrainë. (AP Photo/Efrem Lukatsky)

Dhjetë të vrarë pas bombardimeve në Mykolaiv

Granatimet në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv të hënën vranë dhjetë persona, duke përfshirë një fëmijë, tha kreu i administratës rajonale.

Në një video të postuar në rrjetet sociale Oleksandr Senkevich: "Gjatë ditës së sotme, gjithsej 10 persona janë vrarë gjatë bombardimeve dhe 46 janë plagosur".

Sky News nuk ka qenë në gjendje të verifikojë raportin, përcjell "Bota sot".

Mykolaiv ka qenë nën sulm të vazhdueshëm për javë të tëra pasi forcat ruse pushtuan vendin më 24 shkurt.

Raportet vijnë pasi autoritetet ukrainase thanë se të paktën shtatë persona ishin vrarë, ndërsa 34 të tjerë përfshirë edhe tre fëmijë, u plagosën në një sulm me raketa ruse në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të dielën vonë.

Zelensky: Numri i viktimave të civilëve në qytetet e tjera janë ‘shumë më të larta’ se në Bucha

Numri i viktimave civile në Borodyanka dhe qytete të tjera të çliruara të Ukrainës mund të jetë "shumë më i lartë" se në Bucha, ka pohuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton Sky news, përcjell "Bota sot".

Zelensky u bëri thirrje gazetarëve ndërkombëtarë që të vizitojnë Bucha dhe qytetet e tjera për të dokumentuar vrasjet e civilëve, duke shtuar se ishte në interesin e Ukrainës që të kishte hetime të hapura për vdekjet.

Ai vazhdoi duke thënë se do t'i drejtohej Këshillit të Kombeve të Bashkuara të martën pasi kriza në Ukrainë po vazhdon ende.

Sot, udhëheqësi ukrainas u largua nga kryeqyteti për udhëtimin e tij të parë që nga fillimi i luftës, për të parë nga afër atë që ai e quajti "gjenocid" dhe "krime lufte" në Bucha.

Mariupol: Rusia i bën thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzohet

Rusia u ka bërë sërish thirrje forcave ukrainase në qytetin port të Mariupolit që të dorëzojnë armët. Batalionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe mercenarët e huaj duhet të jenë në gjendje të dalin të sigurt nga qyteti drejt zonave të kontrolluara nga Kievi përmes një korridori mëngjesin e kësaj të marte, tha të hënën gjeneralmajor Mikhail Mizintsev i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse.

“Të gjithë ata që dorëzojnë armët u garantohet jeta”, tha ai. Këtë të martë, duhet bërë një përpjekje tjetër për të sjellë civilë dhe shtetas të huaj nga qyteti në detin Azov në siguri, tha ai.

Në ditët e fundit, pala ukrainase ka penguar vazhdimisht nxjerrjen e njerëzve nga Mariupol. Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur./M.L.

Krimet në Bucha, Volodymyr Zelensky bisedon me shefen e BE-së

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka folur me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për krizën në Ukrainë.

Zelensky tha se dyshja folën për "krimet çnjerëzore" në periferi të Kievit, raporton Sky news, përcjell "Bota sot".

Gjithashtu, ai ndau vlerësimin e tij për "gatishmërinë" e BE-së për të ofruar mbështetje financiare dhe teknike për ngritjen e një ekipi të përbashkët hetimor për krimet e dyshuara të luftës nga Rusia.

Më herët sot, udhëheqësi ukrainas u largua nga kryeqyteti, Kiev, për herë të parë që nga fillimi i luftës vetëm për të parë atë që ai e quajti "gjenocid" dhe "krime lufte" në Bucha.

Ai tha se njerëzit e vdekur ishin "gjetur në bodrume, të mbytur, të torturuar".

Më vonë, në një fjalim video në parlamentin rumun, Zelensky tha: "Ushtria torturoi njerëzit dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ka shumë më tepër njerëz të vrarë.

Shumë më shumë nga sa dimë tani."

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se imazhet përmbanin "shenja të falsifikimit të videove dhe falsifikime të ndryshme".

Zyrtarët ukrainas thanë se trupat e të paktën 410 civilëve janë gjetur në qytetet përreth Kievit që u rimorën nga forcat ruse ditët e fundit./AM

Ukraina thotë se Rusia po përgatitet për një ofensivë të re në lindje

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha më 4 prill se Rusia po përgatitet që të nisë një ofensivë të re në lindje të Ukrainës, në përpjekje që të marrë kontrollin e Harkivit dhe për të rrethuar forcat ukrainase.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Oleksandr Motuzyanyk, Rusia është duke sulmuar në qytetet Rubizhne dhe Popasna në rajonin e Luhanskut, duke hapur rrugë për të kryer sulm ndaj Severdonjeckut, që është kryeqyteti rajonal. Po ashtu, sipas këtij zyrtari, forcat ruse po grumbullohen në mënyrë që të marrin kontrollin e Mariupolit, qytetit-port ukrainas që është i rrethuar nga ushtria ruse.

Sereodonjeck dhe Mariupol gjenden në skajet më veriore dhe jugore të “vijës së kontaktit” në Ukrainë, që është disa qindra kilometra e gjatë.

Motuzyanyk tha se njësitë ruse po hyjnë nga Bjellorusia në Rusi dhe Moska po përgatit rezerva të karburanteve dhe municioneve në zonat që janë në kufi me Ukrainën lindore.

Rusia javën e kaluar tha se do të tërhiqet nga rrethina e Kievit dhe Çernihivit dhe do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia po dëshiron që ta marrë kontrollin e pjesës lindore dhe jugore të Ukrainës./REL

Rusia do të bombardohet këtë javë me sanksione

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

SHBA do të shpallë sanksione të reja kundër Rusisë këtë javë, tha të hënën këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.

“Ju mund të prisni njoftime të mëtejshme për sanksione këtë javë. Dhe ne po koordinojmë me aleatët dhe partnerët tanë se cilat do të jenë parametrat e saktë të kësaj, por po, këtë javë do të kemi elementë shtesë të presionit ekonomik për të njoftuar" tha Sullivan për Kaitlan Collins të CNN gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, shkruan CNN, transmeton Bota sot.

Duke iu përgjigjur imazheve të fundit të dhunshme të mizorive që supozohet se janë kryer nga forcat ruse në Bucha, Ukrainë, presidenti i SHBA Joe Biden u tha gazetarëve të hënën më herët se ai "po kërkon më shumë sanksione" kundër Rusisë dhe do t'i shpallë ato së shpejti.

Ai nuk i etiketoi vrasjet si "gjenocid", por tha se ato ishin një "krim lufte", duke kërkuar që të zhvillohej një gjyq kundër presidentit rus Vladimir Putin.

3 mijë e 376 civilë janë evakuuar sot përmes korridoreve humanitare në Ukrainë

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka thënë se 3,376 qytetarë janë evakuuar përmes korridoreve humanitare sot, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të përcjellin njerëz nga disa qytete të tjera në Ukrainën lindore.

Kjo vjen pasi një autokolonë evakuimi e shoqëruar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq mbetet akoma e bllokuar në qytetin lindor të Manhush.

Më herët u raportua se ekipi nga ekipi i KNKK-së ishte ndaluar nga policia gjatë një përpjekjeje për të arritur në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Përpjekjet e përsëritura për të organizuar evakuime masive nga qyteti kanë dështuar gjatë ditëve të fundit./M.L.

Evakuimi nga Mariupol dështon sërish

Ukraina akuzon trupat ruse për bllokimin e përpjekjeve për evakuime nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Mariupol.

Autobusët e nisur për shpëtimin e banorëve nuk arritën në Mariupol, tha në televizion zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk.

Disa përpjekje për të larguar banorët nga qyteti tashmë kanë dështuar.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë./M.L.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës thotë se tmerret në Bucha janë vetëm "maja e ajsbergut"

Mimozë Lakna Mimozë Lakna

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se tmerret e para Bucha, e cila ndodhet 20 milje në veriperëndim të Kievit, ishin "vetëm maja e ajsbergut".

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për shtyp në Varshavë bashkë me Sekretaren e Jashtme Liz Truss sot, shkruan Sky News transmeton "Bota sot".

Ai tha: "Ukraina e fitoi betejën për Kievin, por lufta vazhdon. Ne po përgatitemi për ofensivën e re në shkallë të gjerë nga Rusia në Ukrainën lindore. “Ata do të përpiqen të kapin më shumë territore në rajonet e Donetsk dhe Luhansk. “Ata do të përpiqen të nguliten dhe të zhvendosen në rajonin e Khersonit, do të përpiqen të kapin Mariupolin e gjakosur.

“Ajo që keni parë, tmerret që kemi parë në Bucha, janë vetëm një majë e ajsbergut të të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse në Ukrainë deri më tani.

"Dhe mund t'ju them se pa ekzagjerim dhe me dhimbje të madhe se situata në Mariupol është shumë më e keqe në krahasim me atë që kemi parë në Bucha dhe qytete të tjera, dhe qyteza dhe fshatra afër Kievit.

Tmerret e Bucha, Mariupol dhe vende të tjera kërkojnë sanksione serioze të G7 dhe BE-së.Unë vlerësoj gjithçka që është bërë deri më tani, por Liz (Sekretarja e Jashtme Liz Truss) ka të drejtë. “Perëndimi vazhdon të ushqejë makinën ruse të luftës me pagesa për lëndët djegëse fosile, me tregtinë që po zhvillohet ende midis Rusisë dhe vendeve perëndimore”.

Gjatë konferencës për shtyp, zonja Truss bëri thirrje që Rusia të pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe tha se nuk duhet të "bisedohet" për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë ndërsa trupat e saj mbesin në Ukrainë.

Gjermania, Lituania dhe Letonia dëbojnë diplomatë rusë

Lituania tha se ka dëbuar ambasadorin rus në Vilnius dhe ka kërkuar ambasadori i saj në Moskë të kthehet në shtet, në përgjigje të raportimeve se forcat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas, Buça.

“Lituania qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas, të cilët janë viktimë e agresionit të paprecedent të Rusisë. Prandaj, ne po ulim nivelin e përfaqësimit diplomatik të Rusisë”, tha ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis.

“Fatkeqësisht, ajo që bota pa në Buça mund të jetë vetëm fillimi. Ne do të jemi në gjendje të gjejmë dëshmi të krimeve të tjera të luftës në qytete të tjera kur ato të çlirohen. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë nuk do të harrohen”, shtoi ai.

Fotografitë e publikuara kanë shfaqur trupat e disa civilëve të vrarë të cilët kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto skena kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe për ndjekjen penale të keqbërësve.

Pasi Lituania njoftoi për dëbimin e ambasadorit, Letonia tha se “po zvogëlon raportet diplomatike me Federatën Ruse” për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe Qeveria gjermane shpalli 40 diplomatë rus si “persona të padëshiruar”.

Ministria e Jashtme e Letonisë tha se do të japë më shumë detaje për këtë lëvizje pasi të kenë përfunduar “procedurat e brendshme”.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Qeveria gjermane ka vendosur që të shpallë “një numër të madh të pjesëtarëve të Ambasadës ruse si persona të padëshiruar, pasi ata që kanë punuar çdo ditë në Gjermani kundër lirisë sonë dhe kundër kohezionit të shoqërisë sonë”, tha Baerbock.

“Kjo nuk do të tolerohet më”, shtoi ajo.

Vendimi i Berlinit i është bërë i ditur ambasadorit rus, Sergei Nethayev, i cili është thirrur në bisedë në Ministrinë e Jashtme, tha Baerbock. Personat e shpallur “non grata” do të kenë kohë pesë ditë që të largohen nga Gjermania.

Këta diplomatë dyshohet se janë pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës ruse./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat