Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Sanksionet kundër Rusisë dhe lufta në Ukrainë po rrisin çmimet globale të drithërave. Zëri i Amerikës ishte në shtetin perëndimor amerikan Uajoming (Wyoming) për të parë se çfarë nënkupton për fermerët amerikanë rritja e çmimeve.
Ndërsa misri i korrur hidhet në treg, fermerët pranë qytetit Albin, në fushat lindore të shtetit Wyoming, po shohin çmime më të larta për grurin e kuq dimëror. Shkas janë bërë ndërprerjet nga eksportuesi më i madh i grurit në botë, Rusia. Si dhe ndërprerja nga Ukraina, e cila zë vendin e pestë në botë për eksportin e drithërave.
Zëri i Amerikës bisedoi me Kenny Tremain, i cili kryeson Shoqatën e Kultivuesve të Grurit në Wyoming.
"Ata e shesin grurin e tyre në mbarë botën, dhe si gjithë të tjerët, bëjnë aq sa munden. Nëse gruri i tyre mungon në treg, atëherë vendet e tjera duhet të plotësojnë nevojat. Kjo është pjesë e problemit. Tjetra është se ata janë në prag të sezonit të mbjelljeve të grurit pranveror dhe janë në luftë, gjë që është pengesa më e madhe”, thotë ai.
Kjo pasiguri e ka nxitur fermerin Theron Anderson të kontrollojë herë pas here çmimet e mallrave në internet, përfshirë tregun e grurit në shtetin fqinj të Nebraskës.
Ndërsa kamera e Zërit të Amerikës filmon, fermeri i ka ngulur sytë tek ekrani i kompjuterit, që tregon çmimet e drithërave që vazhdojnë të ndryshojnë.
“Misri është pothuajse 10. Çmimi për grurin në Kimball ishte nëntë dollarë e dyzet e tetë cent”, thotë Theron Anderson.
Me grurin dimëror, ende katër muaj nga korrja, zoti Anderson pret që të shtohet mbjellja e grurit në gusht nëse çmimet nuk bien.
“Na pëlqen rritja e çmimit sepse zakonisht, në rastin më të mirë, me çmimet tona, nuk dalim me humbje. Për momentin, këto çmime janë të mira. Por a do të zgjasin? Shpresoj, por nuk pres që kjo të ndodhë”, thotë ai.
Ligjvënësit dhe lobistët në shtetin Uajoming janë të ndërgjegjshëm se çmimet e larta mund të bien me shpejtësi, veçanërisht me shtimin e eksporteve të grurit nga India.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Keith Kennedy, drejtor ekzekutiv i Komisionit të Marketingut të Grurit në Uajoming.
“Ka shumë të panjohura. Nuk është e thënë se, ngaqë çmimet janë të larta, ne do të mbjellim grurë. Por, a ka lagështi të mjaftueshme që të jemi në gjendje ta kultivojmë grurin në pranverë këtë vit dhe të përfitojmë nga çmimet e larta, në mes të pasigurisë?”, thotë zoti Keith Kennedy.
Ndërsa rritja e çmimeve nënkupton që fermerët po përfitojnë më shumë, ata thonë se shpenzimet e tyre janë rritur, në disa raste si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Një pjesë e madhe e fosfatit dhe potashit në botë vjen nga Ukraina dhe Rusia. Si rezultat i ndërprerjes dhe eksporteve shumë të kufizuara nga Kina, situata e plehrave pothuajse na kthen ku ishim një vit më parë, për sa i përket përfitimit për fermerët”, thotë Keith Kennedy, drejtor ekzekutiv i Komisionit të Marketingut të Grurit në Wyoming.
Çmimet e larta të naftës e bëjnë më të kushtueshme korrjen dhe transportin e grurit. Zoti Tremain thotë se shpenzimet për fermerët do të zgjasin më shumë se çmimet e larta të grurit.
"Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, apo kushdo që të drejtojë vendin, përfundimisht ata do kthehen tek mbjellja dhe kultivimi i grurit”, thotë Kenny Tremain, i cili kryeson Shoqatën e Kultivuesve të Grurit në Uajoming.
Analistët presin që amerikanë të shohin një rritje prej 3 deri në 5 cent në koston e bukës. Por treguesi i radhës për çmimet do të jetë situata e luftës në fund të qershorit dhe fillim të korrikut, kur drithërat e Ukrainës do të jenë gati për korrje./VOA