Rusia nis fushatën e “terrorit masiv” në jug - ofensiva e re e madhe brenda disa ditësh

Evropë

Rusia nis fushatën e “terrorit masiv” në jug - ofensiva e re e madhe brenda disa ditësh

Nga: BOTA SOT Më: 6 prill 2022 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 01:13 më 07.04.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Kërkohet evakuimi i banorëve të Kharkiv-it, Luhansk-it dhe Donetsk-it  

Luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdojnë.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës ka bërë thirrje që banorët e rajoneve lindore të Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk të evakuohen.

Arsyeja se pse Vereshchuk  kërkon që banorët të evakuohen  dyshohet se Rusia do të intensifikojë sulmet në këto vendbanime.

 "Kjo duhet të bëhet tani. Më vonë njerëzit do të  përballen me kërcënimin e vdekjes" , tha Iryna Vereshchuk./A.M.

Republika Çeke, vendi i parë i NATO-s që dërgon tanke në Ukrainë

Vendet e NATO-s deri më tani kanë furnizuar Ukrainën me mjete të lehta ushtarake, edhe pse shumë të dobishme, si antitanket e tipit Javelin, që po shkaktojnë dëme të mëdha ushtrisë ruse.

Por vendimi i sotëm i Republikës Çeke shënon një hap para në furnizimet ushtarake drejt Kievit. Për herë të parë, një vend i NATO-s do të dërgojë tanke, specifikisht tanket sovjetike T-72, që njihen mirë edhe nga ushtria ukrainase.

Kanali publik çek ka treguar një tren të mbushur me mjetet e rënda, pjesë e një pakete ndihme që përfshin edhe mjete të blinduara BVP-1 dhe artiljeri të rëndë.

Vendimi i Pragës zyrtare në qarqet diplomatike shihet disi me shqetësim, sepse mund të jetë pretekst për një përgjigje të fortë të Kremlinit.

Pentagoni nuk e mbështet zyrtarisht dërgesën e tankeve në Ukrainë, jo vetëm nga frika për një zmadhim të konfliktit, por më shumë sepse nuk besojnë se mjete të tilla mund të jenë të dobishme, duke preferuar sistemet Javelin, për të cilët edhe sot ka miratuar një fond prej 100 milionë dollarësh për Kievin.

Ndërkohë Republika çeke dhe Sllovakia kanë deklaruar se ato janë të gatshëm të riparonin mjetet ukrainase në territorin e tyre, si pjesë e ndihmave konkrete shpesh herë e kërkuar nga presidenti ukrainas Volodymy Zelensky.

Përtej ndihmës Çeke, nuk duket sikur nga vendet e NATO do të ketë ndonjë furnizim i rëndësishëm mjetesh të rënda luftarake. Gjermania ka deklaruar dërgimin e disa mjeteve të blinduara, Britania e Madhe do të dërgojë vetëm ambulanca, ndërkohë që ideja e avionëve Mig nga Polonia u përjashtua, të paktën për momentin.

Ndërkohë, ekspertët ushtarak përllogarisin që ukrainasit shpenzojnë në një ditë të vetme, sasinë e armatimeve që i vjen nga miqtë e saj në një javë.

Sekretarja shtypit në Shtëpinë e Bardhë: Qëllimet e Rusisë në Ukrainë nuk kanë ndryshuar

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se ka mundësi që të ketë më shumë skena të masakrave si në Bucha, duke shtuar se askush nuk duhet të ketë iluzionin se qëllimet e Kremlinit kanë ndryshuar, pavarësisht tërheqjes së forcave ruse nga Ukraina veriore.

“Qëllimi i tyre mbetet të dobësojnë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe ne nuk duhet të kemi asnjë iluzion se ai objektiv nuk ka ndryshuar edhe pse taktikat e tyre kanë ndryshuar”, ka thënë Psaki në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën.

Psaki tha gjithashtu se SHBA-ja i sanksionoi dy fëmijët e rritur të njohur të presidentit rus, Vladimir Putin, Maria Putina dhe Katerina Tikhonova, shkruan CNN.

4,892 ukrainas u evakuuan sot përmes korridoreve humanitare

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha se 4,892 njerëz u evakuuan përmes korridoreve të evakuimit, të mërkurën.

Në një postim në Facebook, ajo tha se 3,686 njerëz mbërritën në Zaporizhzhia nga Mariupol dhe Berdiansk.

1,171 njerëz dolën nga Mariupol dhe 2,515 njerëz të tjerë nga qytetet Polohy, Vasylivka, Berdiansk, Melitopol dhe Huliaipole.

Ajo tha se 11 autobusë u larguan nga Zaporizhzhia të mërkurën, autobusët do të vazhdojnë të qarkullojnë edhe të enjten.

Vereshchuk shtoi se 1,206 njerëz u evakuuan nga qytetet Lysychansk, Severodonetsk, Rubizhne, Kreminna dhe fshati Hirske, të gjitha në rajonin e Luhanskut, shkruan CNN.

​Pentagoni: E pamundur të dihet sa do të zgjasë lufta, por Ukraina mund të triumfojë

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes thotë se është “e pamundur” të dihet se sa do të vazhdojë lufta në Ukrainë nëse nuk përfundon përmes rrugëve diplomatike, por se Ukraina “sigurisht” mund ta fitojë luftën.

“Fakti që [presidenti rus Vladimir Putin] do të përqendrohet në një zonë më të vogël gjeografike sigurisht që paraqet mundësinë që dhuna të vazhdojë”, tha sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

Kirby përsëriti se Ukraina mund ta fitojë "absolutisht" luftën, siç tregohet nga paaftësia e Putinit për të arritur objektivat e tij strategjikë.

“Mariupol ende nuk është marrë. Ai i ka zhvendosur forcat e tij nga Kievi. Ai i ka lëvizur forcat e tij nga Chernihiv. Ata nuk e kanë marrë Kharkivin. Ata nuk e kanë marrë Mykolaiv në jug”, tha Kirby duke dashur të dëshmojë se provat për një fitore të Ukrainës mund të shihen nga këto rezultate të luftës.

Të ikurit nga Mariupoli arrijnë në Zaporizhja të Ukrainës

Një ekip i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) udhëhequr një kolonë autobusësh dhe makinash private që transportonin më shumë se 1,000 njerëz në Zaporizhja pasi civilët u larguan nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupolit.

"Ardhja e kësaj autokolone në Zaporizhja është një lehtësim i madh për qindra njerëz që kanë vuajtur jashtëzakonisht dhe tani janë në një vend më të sigurt. Është e qartë, megjithatë, se mijëra civilë të tjerë të bllokuar brenda Mariupolit kanë nevojë për një kalim të sigurt dhe ndihmë për të hyrë brenda," tha Pascal Hundt, kreu i delegacionit të KNKK-së në Ukrainë.

KNKK ka punuar në Ukrainë që nga viti 2014 dhe së fundmi ka sjellë mbi 700 tonë furnizime mjekësore, ushqime dhe sende ndihme në vend.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha të mërkurën (6 prill) se do të hapen 11 korridore humanitare për të evakuuar civilët nga zonat e luftës, përfshirë edhe nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Sulm me raketa në Ukrainën lindore, raportohet për viktima

Raportohet për viktima të shumta në Ukrainën lindore, pasi tri raketa goditën një stacion hekurudhor në rajon.

Kështu u njoftua sot nga Hekurudhat e Ukrainës në pronësi shtetërore, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Ndërtesat dhe stacionet hekurudhore gjithashtu janë dëmtuar pasi raketat u hodhën në zonë.

"Ka viktima", tha kompania hekurudhore në një deklaratë, pa dhënë detaje mbi numrin e viktimave apo vendndodhjen e sulmit.

Bllokohen civilët në qytetin ukrainas, ekipet e shpëtimit nuk mund t’i evakuojnë

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Autoritetet ukrainase nuk po mund të evakuojnë banorët e bllokuar në qytetin lindor të Izyum të kontrolluar nga Rusia ose të dërgojnë ndihma humanitare atje.

Kështu ka deklaruar guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleh Sinegubov, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Kjo vjen vetëm një ditë pasi deputetja ukrainase Lesia Vasylenko pretendoi se 93 civilë nga Izyum ishin vrarë nga forcat ruse teksa po përpiqeshin të largoheshin nga qyteti i rrethuar.

Banorët në Izyum, i cili shtrihet në një rrugë kyçe për në rajonin e Donbasit në lindje, kanë mbetur të bllokuar në qytet për javë të tëra me shumë pak qasje në ushqim ose ujë, derisa forcat ruse vazhdojnë të pushtojnë zonën.

Kryeministri i Italisë: Ndalimi i importeve të gazit rus “nuk është në tryezë”

Kryeministri italian, Mario Draghi tha të mërkurën (6 prill) se ndalimi i importeve të gazit nga Rusia nuk po konsiderohet në nivel të BE-së, por nëse arrihet një konsensus për këtë çështje, Italia do të pajtohet me të.

"Një embargo gazi nuk është ende në tryezë dhe nuk e di nëse do të jetë ndonjëherë," u tha Draghi gazetarëve në një konferencë shtypi.

Ai tha se nëse flukset e gazit nga Moska do të pezulloheshin, Italia kishte ende rezerva për të mbuluar nevojat e saj deri në fund të tetorit.

Italia është shumë e varur nga Rusia për furnizimet e saj me gaz, por Draghi tha se nëse shfaqet një konsensus në nivelin e BE-së për të bllokuar importet e gazit, "ne do të jemi krejtësisht të lumtur ta respektojmë".

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.

Vendet e Bashkimit Evropian përveç Hungarisë e kanë kundërshtuar këtë formë të pagesës.

Biden denoncon krimet e mëdha të luftës në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka denoncuar vrasjen e përhapur të civilëve ukrainas nga trupat ruse në Bucha si “krime lufte”.

“Jam i sigurt se i keni parë fotot nga Bucha, pak jashtë Kievit: trupat e mbetur në rrugë ndërsa trupat ruse u tërhoqën, disa të qëlluar në pjesën e pasme të kokës me duart e tyre të lidhura pas shpine”, tha Biden.

Ai komentet i bëri në një ngjarje sindikale, shkruan Aljazeera.

“Nuk ka asgjë më pak se krimet e mëdha të luftës,” tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat