Rusia nis fushatën e “terrorit masiv” në jug - ofensiva e re e madhe brenda disa ditësh

Evropë

Rusia nis fushatën e “terrorit masiv” në jug - ofensiva e re e madhe brenda disa ditësh

Nga: BOTA SOT Më: 6 prill 2022 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 13:23 më 06.04.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia e ndryshon fokusin, sulmon në lindje dhe jug

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet në Ukrainën lindore dhe jugore dhe të godasin objektiva gjetkë me raketa. Qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, pati bombardime intensive gjatë natës.

Pati gjithashtu sulme të mëtejshme artilerie në pjesë të rajoneve të Luhansk dhe Donetsk, ku luftimet pritet të intensifikohen në javët në vijim, pasi Rusia rigrupon forcat e saj, raporton BBC, transmeton Bota sot 

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Rusia shënjestroi pozicionet e ushtrisë ukrainase dhe infrastrukturën civile në Borivske, Novoluhanske, Solodke, Marinka dhe Zolota Nyva - në rajonet lindore të Luhansk dhe Donetsk.

Forcat ruse kanë vazhduar gjithashtu ofensivën e tyre kundër Mariupolit, të cilin e ka bllokuar dhe bombarduar pamëshirshëm për më shumë se një muaj. Përditësimi i fundit i inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se situata humanitare në qytet po "përkeqësohej".

Ai tha: "Shumica e 160,000 banorëve të qytetit nuk kanë dritë, komunikim, ilaçe, ngrohje apo ujë. Forcat ruse kanë penguar aksesin humanitar, me gjasë që të bëjnë presion ndaj mbrojtësve për t'u dorëzuar".

Diku tjetër, Rusia ka shkatërruar një depo nafte pranë qytetit Dnipro dhe ka goditur objektiva në rajonin Vinnytsia të Ukrainës qendrore dhe Radekhiv në perëndim.

Turqia rihap ambasadën në Kiev

Turqia e ka rikthyer ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës, pas muajin e kaluar evakuoi stafin për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Përparimi i trupave ruse drejt Kievit bëri që Turqia muajin e kaluar të zhvendoste ambasadën e saj në Çernivtsi, qytet në afërsi të kufirit me Rumaninë.

“U desh që përkohësisht të zhvendosnim aktivitetet tona në qytetin Çernivtsi, që u bë qendra jonë logjistike”, tha Ambasada turke në Ukrainë përmes një postimi në Twitter.

“Prej sot, ne do të kthehemi në Kiev, në shtëpinë tonë”.

Ukraina ka thënë se forcat ruse po tërhiqen nga pjesët veriore përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, dhe nga Çernihivi.

Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, së fundi ka thënë se do të përqendrojë aktivitetet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës./REL

Kinës i tërhiqet vërejtja: Mos i minoni saksionet ndaj Rusisë

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

Kina ka një "përgjegjësi të veçantë" për të mbështetur paqen ndërkombëtare dhe për të mos "minuar" sanksionet kundër Rusisë, tha të mërkurën shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, raporton CNN, transmeton Bota sot. 

Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Bruksel, von der Leyen tha se Bashkimi Evropian pret që "pjesa tjetër e botës të marrë një qëndrim të qartë kundër luftës së zgjedhur të Putinit".

Ajo shtoi se blloku i ka dërguar një mesazh Kinës duke bërë thirrje që sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga BE të respektohen, ose të paktën, të mos anashkalohen dhe minohen.

"Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka një përgjegjësi të veçantë për të mbështetur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare," u tha von der Leyen ligjvënësve të BE-së.

Ajo paralajmëroi se lufta që ka nisur Rusia nuk është e kufizuar në Evropë dhe do të përcaktojë se si do të trajtohen shkeljet e ligjit ndërkombëtar në të ardhmen.

“Kina duhet të mbajë një qëndrim të qartë për këtë”, shtoi ajo.

Ukraina afër luftës së urisë - Rusia ia bllokon portet detare për eksportin e ushqimeve

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se Rusia po përdor urinë si armë në përpjekjen e saj për të fituar territor. Duke folur përmes një përkthyesi, ai i tha Parlamentit irlandez se raketat ruse po "shkatërronin gjëra që po mbështesin jetesën", raporton BBC, transmeton Bota sot.

Ai tha se forcat ruse kanë bllokuar të gjitha portet detare dhe anijet e Ukrainës me ushqime për eksport.

Ukraina është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë në bujqësi dhe ushqim – dhe Zelensky tha se veprimet e Rusisë do të çonin në mungesë ushqimi dhe rritje të kostove për miliona njerëz të uritur në të gjithë globin.

“Për ta uria është një armë kundër nesh, njerëzve të thjeshtë si instrument dominimi”, tha ai.

Zelensky u kërkoi gjithashtu udhëheqësve politikë të Irlandës që të përdorin ndikimin e tyre për të bindur vendet e tjera të BE-së që të vendosin sanksione edhe më të ashpra për të ndalur pushtimin e Presidentit Putin. BE do të takohet sot për të diskutuar sanksione të mëtejshme.

Sanksionet janë çmimi që Rusia duhet të paguajë për lirinë

Valdrin Nuredini Valdrin Nuredini

Ju mund të jeni mjaft të sigurt se Kremlini do të përdorë të njëjtin narrativë që ka si përgjigje ndaj sanksioneve të mëparshme - që Perëndimi po kërkon ndonjë justifikim për të sanksionuar Rusinë. Vladimir Putin tha javën e kaluar se Perëndimi ka zhvilluar një luftë ekonomike kundër Rusisë për vite me radhë në mënyrë që të minojë zhvillimin e saj, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

Ai po përpiqet t'i tregojë popullit rus se ata janë, në fakt, viktimat këtu dhe nuk ka asnjë lidhje shkakësore me atë që po ndodh në Ukrainë.

Sipas fjalëve të tij, sanksionet perëndimore janë çmimi që Rusia duhet të paguajë për lirinë dhe pavarësinë.

Narrativa e Kremlinit është se kjo nuk është një luftë - është një operacion special ushtarak i krijuar për të mbrojtur interesat e njerëzve rusishtfolës që jetojnë në lindje të Ukrainës.

Por gjithnjë e më shumë Kremlini po e portretizon Ukrainën si agresorin e vërtetë.

Po përpiqet, u thuhet rusëve, të marrë armë bërthamore, po përpiqet të zhvillojë ato biologjike, ka prova, u thuhet njerëzve këtu, se Ukraina dëshiron të provojë të përdorë ato lloj armësh kundër Rusisë.

Lidhur me pamjet nga Buça, disa rusë po e shohin këtë, por atyre u thuhet se janë lajme të rreme. Është shumë e vështirë të kesh akses në çdo burim tjetër informacioni, madje edhe kanale të mediave sociale - shumë prej tyre janë bllokuar këtu.

E dhimbshme/ E mbijetuara në Bucha: Do të doja të më kishin vrarë edhe mua

Në periferi të Kievit, Bucha, ku provat tregojnë se trupat ruse ekzekutuan civilë të pafajshëm, mizoritë e reja janë ende duke u zbuluar, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Banorja Iryna Abramov i tha BBC-së se si trupat ruse sulmuan shtëpinë që ajo jetonte me burrin e saj Oleg, i vunë flakën dhe e nxorrën burrin e saj jashtë.

Babai i Irynës, Volodymyr, i cili jetonte në vendin fqinj, vrapoi për të shuar zjarrin, duke thirrur dhëndrin e tij për të ndihmuar. Por përgjigja erdhi nga ushtarët rusë, tha Volodymyr.

"Oleg nuk do t'ju ndihmojë më".

Oleg Abramov, ishte një saldator 40-vjeçar, i cili jetoi një jetë të qetë në Bucha, me sa duket u qëllua jashtë shtëpisë së tij, vetëm pak çaste pasi trupat ruse mbërritën.

"Burri im nuk ishte ushtar. Ai kurrë nuk kishte mbajtur armë. Ai ishte një njeri paqësor," tha Iryna.

“Ata e morën nga shtëpia jonë, i kërkuan të hiqte këmishën, i kërkuan të gjunjëzohej në tokë dhe e vranë”.

Kur ajo vrapoi dhe gjeti trupin e tij të shpërfytyruar, katër ushtarët rusë që e tërhoqën zvarrë po qëndronin në këmbë duke pirë ujë, tha ajo.

Ajo u bërtiti atyre duke ju thënë "më qëlloni edhe mua", derisa njëri nga ushtarët ngriti armën e tij, pastaj e uli, derisa babai i saj, Volodymyr e tërhoqi brenda./A.SH

Doli video e të shtënave vdekjeprurëse në Bucha

Në mosmarrëveshjen për interpretimin e mizorive të Buçës në luftën e Ukrainës, "New York Times" publikoi videon ku shihet vrasja e një civili nga ushtarët rusë.

Videoja tregoi një civil duke ngasur biçikletën e tij nëpër Bucha, i cili u vra në një cep të rrugës nga të shtënat prej dy automjeteve luftarake të këmbësorisë ruse, raportoi gazeta.

Videoja nga fundi i shkurtit erdhi nga ushtria ukrainase dhe u verifikua në mënyrë të pavarur nga gazeta.

Pas tërheqjes së trupave ruse, trupi i burrit u gjet më në fund në vendin e saktë që mund të shihet edhe në video.

"Ushtarët rusë hapën zjarr mbi një çiklist muajin e kaluar në Bucha, Ukrainë, tregon video e re.

Pamjet u regjistruan nga ushtria e Ukrainës në fillim të marsit, kur forcat ruse ende mbanin qytetin dhe janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga The New York Times", thuhet në përshkrimin e videos./M.L.

 

 

Më shumë se 400 njerëz të zhdukur nga Hostomel, thonë zyrtarët lokalë

Zyrtarët ukrainas thonë se më shumë se 400 njerëz janë të zhdukur nga qyteti Hostomel, i cili, së bashku me Bucha dhe Irpin, u goditën më së shumti nga ofensiva e Rusisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Zyrtari lokal Taras Dumenko thotë se shumica e trupave të banorëve të Hostomel u gjetën në fshatrat fqinjë dhe në qytetin e Bucha.

Ai thotë se rusët duhet të kenë rrëmbyer njerëz për t'i pushkatuar, raporton agjencia e lajmeve Interfax Ukraine./M.L.

Pesë korridore humanitare janë planifikuar në rajonin lindor të Luhanskut

Autoritetet ukrainase në rajonin e Luhanskut shpresojnë të evakuojnë civilët përmes pesë korridoreve humanitare të mërkurën, përpara një ofensive të frikshme ruse në lindje, raporton Reuters, përcjell "Bota sot".

"Ne do t'i nxjerrim të gjithë jashtë nëse rusët na lejojnë të shkojmë në vendet e takimit [për evakuim]. Sepse, siç mund ta shihni, ata nuk respektojnë gjithmonë armëpushimet," shkruan në Telegram guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai.

"I bëj thirrje çdo banori të rajonit të Luhanskut - evakuoni ndërsa është i sigurt ... Ndërsa ka autobusë dhe trena - shfrytëzojeni këtë mundësi."

Në një adresë të veçantë video, Gaidai thotë se forcat ruse nuk kanë arritur të thyejnë mbrojtjen ukrainase në rajonin e tij, por po shkatërrojnë "çdo gjë në rrugën e tyre"./M.L.

Michel: Sanksionimi i gazit dhe naftës ruse duhet të ndodhë herët a vonë

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione në energjinë ruse, siç është nafta dhe gazi, “herët a vonë”, teksa blloku po përgatitet të rrisë presionin ndaj Moskës, pas raportimeve për mizori të luftës të kryera në Ukrainë nga trupat ruse.

“Mendoj se masat mbi naftën dhe edhe gazin do të duhet të ndërmerren herët a vonë”, tha Michel para Parlamentit Evropian më 6 prill.

Michel u bëri thirrje ligjvënësve evropian që të shqyrtojnë sanksione të tilla, që do të shënjestronin burimin kyç të të ardhurave të Moskës, pas raportimeve se “krime të luftës” janë kryer nga trupat ruse në qytetin ukrainas, Buça ku “që dëshmon se brutaliteti rus kundër popullit të Ukrainës nuk ka kufi”.

Që prej se trupat ruse u tërhoqën javën e kaluar nga qytetet dhe fshatrat përreth Kievit, videot e publikuara dhe mediat kanë raportuar se në këto zona janë parë civilë të vrarë nga trupat ruse, të shtrirë nëpër rrugë. Disa prej viktimave kanë pasur duart e lidhura pas shpine./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat