Në periferi të Kievit, Bucha, ku provat tregojnë se trupat ruse ekzekutuan civilë të pafajshëm, mizoritë e reja janë ende duke u zbuluar, shkruan BBC, përcjell Bota sot.
Banorja Iryna Abramov i tha BBC-së se si trupat ruse sulmuan shtëpinë që ajo jetonte me burrin e saj Oleg, i vunë flakën dhe e nxorrën burrin e saj jashtë.
Babai i Irynës, Volodymyr, i cili jetonte në vendin fqinj, vrapoi për të shuar zjarrin, duke thirrur dhëndrin e tij për të ndihmuar. Por përgjigja erdhi nga ushtarët rusë, tha Volodymyr.
"Oleg nuk do t'ju ndihmojë më".
Oleg Abramov, ishte një saldator 40-vjeçar, i cili jetoi një jetë të qetë në Bucha, me sa duket u qëllua jashtë shtëpisë së tij, vetëm pak çaste pasi trupat ruse mbërritën.
"Burri im nuk ishte ushtar. Ai kurrë nuk kishte mbajtur armë. Ai ishte një njeri paqësor," tha Iryna.
“Ata e morën nga shtëpia jonë, i kërkuan të hiqte këmishën, i kërkuan të gjunjëzohej në tokë dhe e vranë”.
Kur ajo vrapoi dhe gjeti trupin e tij të shpërfytyruar, katër ushtarët rusë që e tërhoqën zvarrë po qëndronin në këmbë duke pirë ujë, tha ajo.
Ajo u bërtiti atyre duke ju thënë "më qëlloni edhe mua", derisa njëri nga ushtarët ngriti armën e tij, pastaj e uli, derisa babai i saj, Volodymyr e tërhoqi brenda.