Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit Kharkiv, tha të shtunën se forcat ruse kanë vazhduar bombardimet e kryeqytetit rajonal të Kharkiv.
“Gjatë ditës së kaluar, pushtuesit kanë shkaktuar rreth 50 goditje nga artileria, mortajat, tanket dhe MLRS (raketëhedhës të shumëfishtë)”, tha ai në një deklaratë në Telegram, shkruan CNN, transmeton Bota sot.
"Infrastruktura e (rretheve të) Saltivka, Kholodna Hora, Oleksiyivka, XTZ (rrethi i uzinës së traktorëve Kharkiv) u prek," shtoi ai.
Ditët e fundit zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për një ofensivë të mundshme të madhe ruse në lindje të vendit, duke përshkruar një përpjekje të forcave ruse për të avancuar nga Izium në rajonin jugor të Kharkivit drejt rajonit të Donbas.
Zyrtarët rajonalë kanë kërkuar gjithashtu evakuimin e civilëve nga lindja e Ukrainës, përpara asaj që ata thonë se mund të jenë luftime të ashpra në Donbas.
Të enjten, Borys Filatov, kryebashkiaku i Dnipro -- një kryeqytet rajonal në jug të rajonit të Kharkiv -- u bëri thirrje grave, fëmijëve dhe të moshuarve që të largoheshin nga qyteti.