Një zyrtar ka bërë të ditur se një varr me dhjetëra civilë ukrainas është gjetur në fshatin Buzova pranë Kievit, derisa forcat ruse tërhiqen nga ofensiva e tyre në kryeqytet dhe përqendrojnë sulmet e tyre në lindje të vendit.
Taras Didych, kreu i komunitetit Dmytrivka që përfshin Buzova, tha se trupat u gjetën në një hendek pranë një pike karburanti, mirëpo numri i të vdekurve ende nuk është konfirmuar.
“Tani ne po kthehemi në jetë, por gjatë okupimit kishim ‘pikat tona të nxehta’, shumë civilë vdiqën,” tha Didych.
Rritja e viktimave civile ka shkaktuar një valë të re dënimesh ndërkombëtare, veçanërisht për qindra vdekje në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit, që deri javën e kaluar ishte i pushtuar nga forcat ruse.
Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar forcat ruse për krime lufte në Bucha, shkruan Reuters.
Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët në atë që e quan një “operacion special” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” fqinjin e saj jugor.
Ukraina dhe vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë si një pretekst të pabazë për luftë.