Kryeministri indian Narendra Modi thotë se ai i ka bërë thirrje vazhdimisht presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta.
Duke folur gjatë një bisede video me presidentin amerikan Joe Biden, Modi thotë se lufta në Ukrainë është "shqetësuese" dhe dënon vrasjen e të pafajshmëve, raporton BBC, transmeton Bota sot.
"Ne shpresojmë që diskutimet e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës do të çojnë në paqe," thotë ai. "Ne kemi theksuar gjithashtu sigurinë e civilëve në Ukrainë dhe furnizimin dhe ndihmën e papenguar humanitare për ta".
Në fund të marsit, Biden e karakterizoi përgjigjen e Indisë ndaj pushtimit të Ukrainës si "të lëkundshme". Ajo deri më tani ka refuzuar të dënojë Rusinë në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka zbatuar ende sanksione.
Të dielën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se të dy udhëheqësit do të vazhdojnë "konsultimet e ngushta" mbi luftën në Ukrainë dhe se si të dy vendet mund të zbusin ndikimin e saj në furnizimin global të ushqimit dhe tregjet e mallrave.