"Qyteti është nën rrethim total. Granatimet dhe bombardimet nuk ndalojnë kurrë", tha deputeti ukrainas Dymtro Gurin për programin "Today" të BBC Radio 4 këtë mëngjes, duke përshkruar situatën në qytetin juglindor Mariupol, transmeton Bota sot.
Gurin beson se më shumë se 100 mijë civilë kanë mbetur në qytetin port të rëndësishëm strategjik, i cili ka qenë nën zjarr të fortë që nga fillimi i pushtimit rus.
Ai tha se kishte pak dyshime se rusët ishin fajtorë për gjenocid, sepse qëllimi i tyre ishte shumë i qartë - të shpëtonin botën nga Ukraina dhe populli i saj.
Gurin krahasoi gjithashtu vrasjet masive në qytet, dhe në zona të tjera të Ukrainës, me mizoritë e patur nën nazistët në Aushvic. Siç kemi raportuar, ka shenja në rritje se Rusia mund të jetë në prag të pushtimit të plotë të Mariupolit.