LIVE: Tensione të mëdha në Ukrainë/ Rusia paralajmëron banorët e Kievit – Zelensky vjen me një mesazh

Evropë

LIVE: Tensione të mëdha në Ukrainë/ Rusia paralajmëron banorët e Kievit – Zelensky vjen me një mesazh

Nga: Bota sot Më: 16 prill 2022 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 17:50 më 16.04.2022
Zjarrfikësit punojnë për të shuar zjarret e shumta pas një sulmi rus në Kharkiv

Putini me paralajmërimin e radhës: Do ta pësojë keq ai që na krahason me...

Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar se kushdo që do të krahasojë ish Bashkimin Sovjetik me Gjermaninë naziste do të gjobitet.

Kështu bëri të ditur la repubblica.

Njerëzit të cilët bëjnë krahasime të tilla do të gjobiten duke filluar nga 2 mijë rubla ose 15 ditë arrest për personat fizikë deri në 50 mijë rubla për personat juridikë.

Do të gjobiten të gjithë ata që mohojnë rolin vendimtar të popullit sovjetik në humbjen e Gjermanisë naziste dhe misionin humanitar të Bashkimit Sovjetik në çlirimin e vendeve të Europës dhe personat që krahasojnë qëllimet, vendimet dhe veprimet e udhëheqjes, komandës dhe personelit ushtarak të BRSS-së me qëllimet, vendimet dhe veprimet e Gjermanisë naziste.

Gjermania: Dërgimi i armatimit të rëndë në Ukrainë lejohet sipas ligjit ndërkombëtar

Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, tha se dërgesat e tankeve dhe armatimeve të tjera të rënda në Ukraina, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk do të përbënin hyrje të Gjermanisë në luftë kundër Rusisë.

Buschmann i tha gazetës Welt am Sonntag më 16 prill se ligji ndërkombëtar nuk thotë se dërgimi i armëve është hyrje në një luftë.

Prandaj, nëse Ukraina “ushtron të drejtën e saj legjitime të vetëmbrojtjes, mbështetja përmes furnizimeve me armë nuk të shndërron në palë në luftë”, tha ai.

Shumë politikanë gjermanë dhe qytetarë kanë debatuar se sa thellë duhet të përfshihet shteti në mbështetjen e Kievit me ndihmë ushtarake, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Shtetet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë rritur dërgesat e tyre me armë për forcat e Kievit, pas thirrjeve dëshpëruese të liderëve ukrainas që shtetet ta furnizojnë Ukrainën me armë.

Gjermania i ka ofruar qindra miliona dollarë ndihmë humanitare Ukrainës.

Kancelari gjerman, socialdemokrati Olaf Shcolz, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik lidhur me mundësinë e dërgimit në Ukrainë të armatimit të rëndë, sikurse tanket, helikopterët apo avionët, edhe pse thirrjet që të marrë një vendim të tillë janë rritur brenda koalicionit qeverisës në Gjermani.

Buschmann, nga partia Demokratët e Lirë, që është partia më e vogël në koalicion, tha se Gjermania ishte në mesin e shteteve të para që nisi hetimin e krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë, teksa policia federale dhe prokurori i Përgjithshëm po udhëheqin hetimet.

“Nuk ka asnjë dyshim se mizori të tmerrshme po kryen në Ukrainë nga forcat ruse”, tha ai.

700 ushtarë ukrainas dhe më shumë se 1000 civilë të kapur nga Rusia

Rreth 700 trupa ukrainase mbahen robër nga forcat ruse, raporton Interfax Ukraine, duke cituar zëvendëskryeministren ukrainase.

Iryna Vereshchuk tha: "Sa i përket ushtrisë, ne kemi, në parim, barazi të përafërt: ne kemi më shumë se 700 të burgosur të tyre, dhe ata kanë afërsisht të njëjtin numër."

Politikani ukrainas tha gjithashtu se trupat e Kremlinit kishin marrë më shumë se 1000 civilë – rreth gjysma e të cilëve ishin gra, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

"Fatkeqësisht, ka shumë civilë tanë, në robëri. Ata kapën më shumë se 1000 njerëz dhe, për fat të keq, rreth 500 prej tyre janë gra," shtoi ajo.

“Dhe ne, padyshim, do të përsërisim se nuk do të shkëmbejmë ushtarë me civilë, kjo është e ndaluar nga Konventat e Gjenevës.

"Ne nuk do të shkelim të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe për këtë arsye kërkojmë lirimin e civilëve pa asnjë kusht dhe transferimin në anën ukrainase."/A.SH

200 fëmijë të vrarë gjatë pushtimit rus

Shifrat e publikuara nga zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas tregojnë se 200 fëmijë kanë vdekur në Ukrainë që kur forcat ruse pushtuan vendin më 24 shkurt.

360 fëmijë të tjerë kanë mbetur të lënduar në luftën që po vazhdon, thonë zyrtarët ukrainas.

Kombet e Bashkuara, muajin e kaluar, thanë se më shumë se 10 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre pas pushtimit të Rusisë.

Kjo shifër përfshinte rreth 3.5 milionë refugjatë që kanë ikur nga vendi i shkatërruar nga lufta, po ashtu edhe civilë të zhvendosur brenda Ukrainës.

Ukraina e shqetësuar nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa

Ushtria e Ukrainës tha të shtunën se ekziston një kërcënim nga sulmet me raketa ruse kundër vendit, ndërsa ushtria ruse po përqendron përpjekjet në zgjerimin e kontrollit në pjesën lindore të Ukrainës. Ndërkohë, sot në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime të forta në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit.

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Shputun tha se ushtria ruse ka përqendruar deri në 22 grupe taktike ushtarësh në zonën e Izyumit.

“Përpjekjet kryesore të armikut janë të përqendruara në rigrupimin dhe forcimin e trupave të tij, vazhdimin e bllokadës së pjesshme të qytetit të Kharkivit dhe sulmet me artileri”.

Rusia gjithashtu vazhdon të kryejë sulme kundër qyteteve të Popasnaya-s dhe Rubizhnoye-s në lindje të vendit dhe po përpiqet të marrë nën kontroll të plotë qytetin e Mariupolit, tha ai.

"Në Donetsk dhe Tavryisk, ushtria ruse po përpiqet të ruaj kontrollin në territoret e pushtuara. Ata po përforcojnë pozicionet e tyre ushtarake, duke dislokuar më shumë trupa dhe pajisje ushtarake atje. Ata po përpiqen të përmirësojnë pozicionet taktike dhe po vazhdojnë bombardimet në shumicën e drejtimeve."

Ndërkohë, në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën, në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime.

Sulmet vijnë pas humbjes nga Rusia të lufanijes kryesore të saj. Ukraina konfirmoi të premten se “Moskva” ishte goditur nga dy raketa ukrainase.

Zëdhënësja e ushtrisë ukrainase për operacionet në jug të vendit, Natalia Homeniuk nuk dha detaje të operacionit, por tha se sulmi u krye nga forcat ukrainase.

"Është e vërtetë që ka patur një operacion dhe sulm kundër një grupi të anijeve ruse. Në këtë operacion është goditur luftanija më e sofistikuar e marinës ruse në Detin e Zi, “Moskva”. Goditja rezultoi në shpërthimin e municionit në bordin e luftanijes ruse”, tha ajo.

Luftanija që kishte emrin e kryeqytetit të Rusisë, Moskës, u fundos të enjten ndërsa po tërhiqej drejt një porti rus, pasi kishte pësuar dëme të mëdha nga goditja.

Moska hodhi poshtë zërat se luftanije ishte sulmuar, duke thënë vetëm se një zjarr kishte shkaktuar shpërthimin e municionit në bordin e saj.

Shkatërrimi i luftanijes “Moskva” përfaqëson një fitore të rëndësishme për Ukrainën dhe një humbje simbolike për Rusinë.

Fundosja e saj zvogëlon fuqinë ushtarake të Rusisë në Detin e Zi dhe simbolizon fatin e Moskës në tetë javë sulm, i parë gjerësisht si një gabim historik pas tërheqjes ruse nga rajoni i Kievit dhe pjesa më e madhe e Ukrainës veriore./VOA

Sulmet në Kiev: Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë se sa e frikshme është

Detaje kanë filluar të dalin në lidhje me sulmet në Kiev gjatë natës, me kryebashkiakun e qytetit duke thënë se ka pasur shpërthime në lagjen Darnytskyi në periferi të kryeqytetit, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Punonjësit e shpëtimit dhe mjekët ishin në vendngjarje, tha Vitali Klitschko në një postim në internet.

Mbetet e paqartë nëse ka pasur viktima dhe çfarë konkretisht është goditur.

Mbrëmja e djeshme ishte nata e dytë radhazi që rajoni i Kievit është vënë në shënjestër, pas dy javësh qetësi relative në zonë.

Anna Budko, një banore vendase, i tha korrespondentit të BBC-së Yogita Limaye: "Ju harroni ndonjëherë se keni ende frikë nga çdo tingull, edhe nëse ai vjen nga shtëpia e fqinjit tuaj, ose nëse dikush përplas derën e makinës”.

"Ti dridhesh dhe përpiqesh ta kapërcesh atë. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë sa e frikshme është."

Kjo vjen pasi Rusia të premten kërcënoi me më shumë sulme ndaj objektivave strategjikë në Kiev nëse Ukraina vazhdon të bombardojë fshatrat ruse përgjatë kufirit./G.B/

Britania: Dëmtimi i infrastrukturës në Ukrainë, pengesë për dërgimin e ndihmave

Britania tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë po pengojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare për civilët në zonat ku trupat ruse janë tërhequr.

“Infrastruktura rrugore në konflikt, në zonat e prekura të Ukrainës, ka pësuar dëme të mëdha”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë përmes një postimi në Twitter më 16 prill.

“Trupat ruse e kanë përkeqësuar situatën duke shkatërruar ura, duke vendosur mina tokësore dhe duke braktisur veturat ushtarake përgjatë rrugëve kyçe, teksa janë tërhequr nga veriu i Ukrainës”, shtoi kjo ministri.

Kjo ministri tha se shkatërrimi i kalimit të lumenjve në dhe përreth Çernihivit për shembull ka lënë vetëm një urë për qytetarët, të cilët duan ta kalojnë lumin Desna.

Rusia ua ndalon hyrjen në shtetin rus Boris Johnson, Liz Truss dhe Ben Wallace

Ministria e Jashtme e Rusisë ia ka ndaluar hyrjen në Rusi kryeministrit Boris Johnson, Sekretares së Jashtme Liz Truss, Sekretarit të Mbrojtjes Ben Wallace dhe 10 anëtarëve të tjerë të qeverisë britanike, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Masa u mor "duke pasur parasysh veprimin e paprecedentë armiqësor nga qeveria britanike, në veçanti vendosjen e sanksioneve kundër zyrtarëve të lartë rusë", tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se së shpejti do të zgjerojë listën.

Gjithashtu të ndaluara për të hyrë në Rusi janë:

Dominic Raab

Grant Shapps

Priti Patel

Rishi Sunak

Kwasi Kwarteng

Nadine Dorries

James Heappey

Nicola Sturgeon

Suella Braverman

Theresa May./G.B/

OKB: Më shumë se 1900 civilë të vrarë

OKB-ja ka regjistruar vrasjen e më shumë se 1900 civilëve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, por paralajmëroi se "shifrat aktuale janë shumë më të larta", raporton BBC, përcjell Bota sot.

Nga 1,982 civilë të vrarë midis 24 shkurtit dhe 14 prillit, 162 ishin fëmijë, tha Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

2651 civilë të tjerë u plagosën - 256 prej tyre fëmijë.

Shumica e vdekjeve dhe lëndimeve ishin shkaktuar nga bombardimet dhe sulmet ajrore, tha OHCHR.

Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet ka shprehur më parë tmerrin ndaj raporteve për civilë të vrarë në qytetin Bucha, pranë kryeqytetit Kiev, duke thënë se ata ngritën "pyetje serioze dhe shqetësuese në lidhje me krimet e mundshme të luftës" dhe duke kërkuar që të ruhen provat./G.B/

Ukraina thotë se do të hapen nëntë korridore humanitare

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se janë pajtuar me Rusinë që të hapen nëntë korridore humanitare, në mënyrë që të mund të evakuohen civilët nga disa qytete, përfshirë edhe nga Maripoli.

Përmes një deklarate të postuar në Telegram, Vereshchuk tha se pesë rrugë evakuimesh do të hapen në rajonin e Luhanskut, në lindje të Ukrainës, zonë në të cilën Rusia tashmë ka përqendruar operacionet e saj ushtarake.

“Korridoret humanitare në rajonin e Luhanskut do të funksionojnë në bazë të ndërprerjes së granatimeve nga forcat ruse”, tha ajo.

Ajo shtoi se korridoret nga Berdijanska, Tokmaku, Mariupoli dhe Enerhodari do të jenë të qasshme vetëm nga transporti privat.

Ukraina thotë se dhjetëra-mijëra persona besohet se janë vrarë në Mariupol dhe e ka akuzuar Rusinë se po bllokon përpjekjet e konvojeve të ndihmës, që po tentojnë të ndihmojnë civilët të cilët janë të bllokuar në qytet për javë të tëra.

Autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje civilëve në pjesën lindore të vendit që të largohen, teksa forcat ruse kanë intensifikuar ofensivën e tyre në këtë rajon.

Lufta e paprovokuar e Rusisë, e nisur më 24 shkurt, ka detyruar një të katërtën e popullsisë 44 milionëshe të Ukrainës që të largohet nga shtëpitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat