Një aktivist ngriti flamurin ukrainas përpara ambasadës ruse në Berlin. Njerëzit kanë lënë mesazhe për Putinin. Në nivel politik, në Berlin vazhdon debati për dërgesat e armëve në Ukrainë. Olaf Scholz e arsyetoi hezitimin e tij duke thënë se po bënte gjithçka për të parandaluar një luftë të tretë botërore.
Shkencëtarja politike Jessica Berlin thotë se bundeskancelari po bën shumë pak, shumë vonë: “Olaf Scholz i hyri kësaj krize në këtë mënyrë dhe me këtë strategji: të bëjmë sa më pak, sa më vonë që të jetë e mundur, për të mos u kapur në anën e gabuar të historisë".
"Askush nuk po kërkon atë, që Gjermania të veprojë e vetme. Gjermania mund të veprojë, vetëm me aleatët e saj. Por aleatët në fakt, po bëjnë shumë më tepër."
A beson Scholz në një fitore të Ukrainës?
Debati aktual nuk ka të bëjë vetëm me blerjen e gazit rus nga Gjermania, por edhe me refuzimin e Gjermanisë për të dërguar të ashtuquajturat armë të rënda në Ukrainë.
Jessica Berlin: "Ngritet pyetja nëse SPD, qoftë Olaf Scholz, beson se Ukraina mund dhe duhet ta fitojë këtë luftë?"
Por çfarë ndodhi në të vërtetë me “pikën e madhe të kthesës” në politikën e jashtme gjermane, që vetë Olaf Scholz e shpalli. Liana Fix nga Fondacioni Körber thotë se publiku gjerman dhe jashtë saj tashmë dyshojnë se, pika e kthesës nuk po shkon aq shpejt: "Gjesti i madh i ndryshimit që Olaf Scholz e komunikoi dhe prezantoi në Bundestag ende nuk ka përmbajtje të mjaftueshme reale, dhe njerëzit me të vërtetë kanë filluar të dyshojnë tani."
Sondazhet tregojnë se Scholz nuk është në përputhje me publikun gjerman. Shumica e gjermanëve mbështesin ndalimin e importeve të gazit rus dhe përkrahin dërgimin e armëve të rënda për Ukrainën. Për këtë ka kritika edhe nga vende të tjera, por edhe nga anëtarët e partive politike gjermane. Megjithatë, nuk ka gjasa që qeveria në Berlin të ndryshojë kurs, kur bëhet fjalë për Ukrainën.
Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja