Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, niset të enjten në mbrëmje, sipas orës lokale, në një udhëtim në Rumani dhe Sllovaki, ku do të takojë disa familje ukrainase të zhvendosura pas pushtimit rus.
Pjesë e agjendës intensive katërditore të takimeve dhe vizitave të zonjës së parë përfshin aktivitetet e Ditës së Nënës në Kosice të Sllovakisë, ku Biden do të vizitojë një qendër refugjatësh dhe dy shkolla të veçanta.
“Dr. Biden është frymëzuar nga qëndrueshmëria dhe forca e popullit ukrainas dhe shpreson të komunikojë se amerikanët po qëndrojnë me ta”, thuhet në njoftim.
Biden do të takohet edhe me presidenten sllovake Zuzana Caputova.
Para Sllovakisë, të shtunën, zonja e parë do të zhvillojë një takim në Bukuresht, Rumani, me zonjën e parë të atij vendi, Carmen Iohannis, e cila ashtu si Biden është një pedagoge dhe e cila gjithashtu ka mbajtur punën e saj si mësuese e anglishtes në një kolegj lokal gjatë mandatit të saj.
Ndalesa e parë e Biden do të jetë e premtja në bazën ajrore Mihail Kogălniceanu në Rumani, ku ajo do të takohet me lidershipin ushtarak të SHBA-së dhe NATO-s. Ajo do të vizitojë gjithashtu trupat e vendosura në bazë përpara nisjes për në Bukuresht.