Kryeministri grek fjalim historik në Kongresin Amerikan, i dërgon mesazh Turqisë

Evropë

Kryeministri grek fjalim historik në Kongresin Amerikan, i dërgon mesazh Turqisë

Më: 17 maj 2022 Në ora: 21:03
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur një fjalim historik në Kongresin Amerikan. “Nuk ka nder më të madh”, tha kryeministri duke nisur fjalën e tij para ligjvënësve në SHBA.

Një fjalim i mbushur plot me referenca për lidhjet e përbashkëta të Greqisë dhe SHBA-së, për vlerat e përbashkëta të dy vendeve dhe për luftën e tyre për liri e demokraci, raportojnë mediat në Greqi.

Megjithatë, një fjalim në të cilin kryeministri nuk mungoi të tregohej i prerë për pushtimin rus të Ukrainës dhe gabimet e BE-së, ndërkohë që i dërgoi një mesazh Ankarasë, ku bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të fluturimeve në ishujt grekë dhe sqarimin se nuk do të tolerohet asnjë cenim i sovranitetit kombëtar.

Ndonëse nuk përmendi drejtpërdrejt emrin e Turqisë, kryeministri ka bërë një pasqyrim të situatës duke thënë se duhet të ndalohen veprimet provokuese.

“Greqia është gjithmonë e hapur për dialog. Unë do të doja të jem absolutisht i qartë. Ne nuk do të pranojmë asnjë sjellje që cenon sovranitetin tonë kombëtar. Fluturimet mbi ishujt grekë duhet të ndalojnë menjëherë”, tha ai.

Megjithatë, ai i dërgoi edhe një mesazh NATO-s se, meqenëse kërkohet unitet në Aleancë kundër Rusisë, ajo nuk mund të tolerojë sjelljen e Turqisë.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të Kongresit që të marrin parasysh këto fakte kur të vendosin për shitje të mëtejshme të pajisjeve ushtarake.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat