Dy civilë janë vrarë dhe pesë janë plagosur nga bombardimet ndërsa trupat ruse hynë në periferi të qytetit ukrainas Severodonetsk, ka thënë guvernatori i rajonit të Luhansk, Serhiy Haidai në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shumica prej tyre janë banorë të një blloku në pjesën e vjetër të qytetit, tha ai, duke shtuar se ata po përgatisnin ushqim në oborr kur papritmas filluan granatimet.
Agjencia e lajmeve Reuters po citon guvernatorin të ketë thënë se "luftimet e ashpra po vazhdojnë për Severodonetsk dhe Lysychansk" dhe ai e përshkruan situatën si "shumë të vështirë".
"Armiku ka vendosur të gjitha armët e mundshme, duke përfshirë aviacionin. Megjithatë, ushtria jonë po qëndron fort për të mos lejuar që armiku të hyjë më thellë në vend," tha Haidai.
Qyteti fqinj i Lysychansk mbetet nën kontrollin e Ukrainës dhe evakuimet po kryhen nga qyteti, shtoi ai.