Presidenti Emmanuel Macron humbi shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare të dielën. Këto zgjedhje kishin rëndësi për Macron, sepse bëhej fjalë për realizimin e programit të tij politik në mandatin e dytë.
Presidenti francez i saporizgjedhur, Emmanuel Macron me kampin politik të qendrës, "Ensemble" ka humbur shumicën absolute në Asamblenë Kombëtare franceze, sipas llogaritjeve të para, madje më shumë se pritej. Në raundin e fundit të zgjedhjeve parlamentare të dielën (19.06) liberalët arritën 210 deri 250 vende nga 577. Për shumicën absolute nevojiten 289 vende. Zëdhënësi i qeverisë franceze, i pyetur, se si do t'ia bëjë qeveria pa shumicën absolute në parlament është shprehur, se ne do të punojmë me të gjitha partitë e moderuara që duan ta çojnë vendin përpara.
Aleanca e majtë ia doli të mobilizonte votuesit
Rezultati konsiderohet si një goditje e rëndë politike për Macron, i cili aktualisht kishte shumicën absolute në Dhomën e Ulët të parlamentit. Normalisht zgjedhjet që mbahen pak pas zgjedhjeve presidenciale shihen si konfirmim, pasi fuqia kryesore politike normalisht fiton edhe shumicën absolute.

Aleanca e majtë e Jean-Luc Mélenchon, Nupes, arriti sukses në këto zgjedhje duke u kthyer në grupin më të fuqishëm opozitar në vend. Aleanca e majtë do të jetë e përfaqësuar në parlament me 150 deri në 180 vende.
Po ashtu edhe e djathta ekstreme e Marine Le Pen, "Rassemblent National" arrin sukses të madh në raundin e dytë zgjedhor duke pritur të marrë 80 deri në 100 vende në parlamente, 10 herë më shumë se deri më tani dhe bëhet forca e tretë më e fortë në parlament.

Humbje të rëndë zgjedhore pësoi edhe grupi opozitar më i fuqishëm deri tani në parlament, republikanët konservatorë. Ata arritën të marrin vetëm në 60 deri në 80 vende. Megjithatë qeveria e Macron në kërkimin e saj për mbështetje në parlament, me gjasë mund të orientohet më shumë nga republikanët.
Në këto zgjedhje parlamentare bëhej fjalë, nëse Macron do mund të realizonte projektet e tij politike në mandatin e dytë, për të cilat ai ka nevojë për shumicën absolute parlamentare. Me një shumicë relative, presidenti dhe qeveria janë të detyruar të kërkojnë mbështetjen e kampeve të tjera. Edhe pse shumë francezë ishin të pakënaqur me mandatin e parë të qeverisjes së Macron, 44-vjeçar përfitoi nga ajo që zgjedhjet parlamentare shpesh shihen si konfirmim i zgjedhjeve presidenciale. Në zgjedhje marrin pjesë tradicionalisht përkrahësit e fituesit të zgjedhjeve presidenciale. Por aleanca e majtë ia doli të mobilizonte votuesit.

Në zgjedhjet vendimtare për parlamentin u shënua një pjesëmarrje më e lartë zgjedhore se në raundin e parë. Disa qendra zgjedhore qëndruan të hapura deri në orën 08:00 në mbrëmje.