Gjykata Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) publikoi të mërkurën masa të parakohshme që udhëzojnë Rusinë të ndalojë zbatimin e dënimeve me vdekje ndaj dy britanikëve që u dorëzuan pasi luftuan përkrah trupave ukrainase në Ukrainën lindore.
Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, së bashku me shtetasin maroken Saaudun Brahim, u dënuan me vdekje më 9 qershor për "veprimtari mercenare" nga e ashtuquajtura Gjykatë Supreme e Republikës Popullore të Donjeckut.
“Gjykata Evropiane vendosi ti kërkojë qeverisë ruse se dënimi me vdekje i vendosur ndaj të burgosurve të mos zbatohet," thuhej në vendimin e lëshuar më 30 qershor. Familja e Aslin ka thënë se ai dhe Pinner jetonin në Ukrainë kur shpërtheu lufta në shkurt.
Tre burrat u kapën ndërsa luftonin në anën e Ukrainës kundër Rusisë dhe forcave të mbështetura nga Rusia, të cilat hynë në vend më 24 shkurt.
Shtetasit britanikë Aslin dhe Pinera u kapën nga forcat e mbështetura nga Rusia në Mariupol, në prill, gjatë luftimeve të ashpra për kontrollin e qytetit.
Marokeni Saadun u dorëzua në mars, derisa luftonte në një qytet të vogël midis Mariupolit dhe kryeqytetit të rajonit Donetsk.
Britania, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania kanë dënuar dënimet me vdekje të dhëna ndaj ushtarëve që luftuan në krah të ushtrisë ukrainase.